Lajme

Triumfi i Albin Kurtit dhe opozita në ‘knock down’

Vetëvendosja triumfon me organizim spartan, strategji të qartë dhe votën e diasporës, ndërsa opozita dështon pa lidership, pa vizion dhe pa narracion politik…

Fitorja e Albin Kurtit në zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk lë asnjë vend për dyshim. Është një fitore absolute, e thellë dhe politikisht gjeniale.

Vetëvendosja, pa llogaritur votat me postë apo diasporën që ka votuar nga jashtë, ka aktualisht më shumë se 430 mijë vota. Përkatësisht, rreth 70 mijë më pak se objektivi maksimal i Albin Kurtit për 500 mijë vota.

Gati dyfish më shumë se PDK-ja, që ka rreth 183 mijë vota, dhe trefish më shumë se LDK-ja, e cila nuk ka marrë as 118 mijë vota.

Ishte një fitore e përgatitur me kujdes, me një objektiv të qartë dhe me një organizim gati spartan në të gjithë Kosovën. Vetëvendosja ka dalë parti e parë në pothuajse të gjitha komunat e vendit, përjashtuar ato të Drenicës, e cila mbetet bastion i Partisë Demokratike të Kosovës.

Po pse fitoi Albin Kurti kaq thellë?

Së pari, Kurti është lideri më i qartë dhe më i formuar politikisht në Kosovë. Ai ka ngritur një parti që, në aspektin organizativ, funksionon si një organizatë pothuajse militare në territor, duke siguruar prani dhe kontroll në çdo njësi administrative.

Vetëvendosja është një parti që, nga pikëpamja organizative, i ngjan Partisë Socialiste në Shqipëri: punohet ditë për ditë, lagje për lagje dhe shtëpi për shtëpi.

Politikisht, Kurti ndërtoi një strategji fituese pas pamundësisë njëvjeçare për të krijuar qeverinë, ndonëse kishte dalë parti e parë në zgjedhjet e mëparshme. Me një objektiv të shënjestruar, ai identifikoi saktë segmentet nga të cilat do të merrte vota për të siguruar këtë fitore.

Siç shihet edhe nga rezultatet, Vetëvendosja ka dëmtuar ndjeshëm LDK-në, duke marrë vota nga partia më e vjetër e Kosovës, si dhe ka thithur një pjesë të elektoratit të Nismës së Fatmir Limajt.

Por suksesin vendimtar Albin Kurtit ia dha mërgata kosovare, e cila u kthye masivisht për pushimet e fundvitit dhe votoi Vetëvendosjen në mënyrë të dukshme.

Kjo ndodhi për një arsye të qartë: Vetëvendosja është partia me ligjërimin publik më të konsoliduar. “Mos lësho pe” ishte slogani kryesor, që përkthente qartë ndjenjën e diasporës se Kosova nuk duhet të tërhiqet përballë kërkesave të ndërkombëtarëve.

Ky rezultat u arrit pavarësisht faktit se Kurti kishte përballë thuajse të gjithë Perëndimin: SHBA-në dhe Bashkimin Evropian.

Një faktor tjetër i rëndësishëm i kësaj fitoreje ishte mungesa e një lidershipi të qartë dhe bindës në opozitë. Opozita nuk arriti të shndërrohej në alternativë qeverisëse, edhe pse në teori kishte numrat për ta bërë këtë.

Lumir Abdixhiku humbi shansin e jetës politike. Në vend që të përfitonte nga konsumimi i Kurtit, ai dështoi totalisht. Abdixhiku nuk kishte një strategji të qartë politike dhe veproi taktikisht në mënyrë arrogante, duke mos arritur ta mbante të bashkuar partinë, e cila u rrudh edhe më tej.

Lideri i PDK-së, Bedri Hamza, një burokrat i aftë në fushën e ekonomisë, nuk arriti të bindë elektoratin se është lider politik. Në fushatë ai foli për paga, pensione, indekse dhe elementë teknikë, por nuk ofroi asnjë ide apo sfidë për temat e mëdha politike.

Në shifra, PDK-ja mbetet në nivelin e votave që ka marrë në dy zgjedhjet e fundit, duke treguar se, pas Vetëvendosjes, është partia më stabile në Kosovë. Ajo ruan bastionet e saj në Drenicë, Prizren dhe Gjilan, por në pjesën tjetër të vendit renditet kryesisht si forcë e dytë, ndërsa në Rrafshin e Dukagjinit shpesh edhe e treta apo e katërta.

Asnjë nga liderët e PDK-së nuk ka arritur të zëvendësojë figurën e Hashim Thaçit të zgjedhjeve të vitit 2007, i cili ndërtoi aleanca dhe koalicione që e bënë PDK-në parti qeverisëse. Hamza mbetet një zyrtar i urtë për vendin e dytë, siç u pa edhe në Mitrovicë, ku humbi në foto-finish.

Ndërkohë, Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj, në mënyrë dialektike, po shkojnë drejt një pensionimi politik të arsyeshëm. Ata nuk kanë më çfarë t’i japin skenës politike. Nëse AAK synon të mbijetojë si forcë politike me peshë në Dukagjin, duhet të ndërtojë koalicione të reja dhe një narracion politik më të fortë.

Të dy këta përfaqësues të elitës së vjetër politike, Albin Kurti i nxori përfundimisht jashtë loje./Pamfleti

3sgIgLJ.png