Lajme

Dave Chappelle, Izraeli dhe kufijtë e hipokrizisë

Mbyllja më provokuese dhe më e guximshme që komediani sjell në dritë

Në mbylljen e specialit të tij më të ri në Netflix, Dave Chappelle nuk kufizohet vetëm te rrëfimi historik dhe mjeshtëria narrative që e kanë shndërruar në një figurë unike të stand-up comedy në SHBA.

Ai përdor skenën për të adresuar drejtpërdrejt akuzat për hipokrizi morale, duke e zhvendosur debatin nga Arabia Saudite drejt një çështjeje shumë më të ndjeshme dhe aktuale: vrasjen e gazetarëve në Gaza.

Duke iu përgjigjur kritikëve që e kanë akuzuar se “tradhtoi vlerat e tij” duke performuar në Arabinë Saudite – një shtet i lidhur drejtpërdrejt me vrasjen e gazetarit të Washington Post, Jamal Khashoggi – Chappelle e pranon faktin, por e përdor atë si trampolinë për një krahasim brutal.

“Thanë: ‘Arabia Saudite vrau një gazetar’, dhe paqja qoftë mbi të, Jamal Khashoggi”, thotë Chappelle. “Më vjen keq që u vra në një mënyrë kaq të tmerrshme”.

Por menjëherë pas kësaj, ai shton batutën që ka shkaktuar më shumë reagime:

“Dhe gjithashtu… shiko, vëlla: Izraeli ka vrarë 240 gazetarë në tre muajt e fundit. Kështu që nuk e dija që ju ende po i numëronit”.

Në vetëm dy fjali, Chappelle e kthen kritikën morale në një pasqyrë të dyfishtë: pse disa vrasje të gazetarëve cilësohen të papranueshme, ndërsa të tjerat relativizohen ose justifikohen politikisht.

Pa mbajtur fjalim, pa dhënë konkluzione konkrete, por duke shtruar pyetje, ai e lë publikun përballë një dileme të pakëndshme mbi selektivitetin e indinjatës perëndimore.

Arabia Saudite, Khashoggi dhe standardet e dyfishta

Performanca e Chappelle në Arabinë Saudite ishte kritikuar gjerësisht si një akt normalizimi i një regjimi autoritar.

Por në specialen e sapo publikuar, komediani e bën të qartë se problemi, sipas tij, nuk është zgjedhja e skenës – por mënyra se si publiku zgjedh kujt t’i mbajë përgjegjësi morale.

Për Chappelle, debati nuk është “a është Arabia Saudite problematike?”, por “pse disa aleatë nuk i nënshtrohen të njëjtave pyetje?”.

Është një kthesë tipike chappelliane: jo mohimi i fajit, por zgjerimi i aktakuzës.

Charlie Kirk, MAGA dhe krahasimi i papranueshëm me Martin Luther King Jr

Speciali nuk ndalet vetëm te politika globale megjithatë.

Chappelle ndalet edhe te vrasja publike e Charlie Kirk në shtator – një ngjarje që tronditi opinionin publik amerikan.

Edhe pse e dënon qartë ekzekutimin, ai ironizon mënyrën se si figura të kampit MAGA provuan ta ngrinin Kirk në nivelin e një martiri historik, duke e krahasuar me Martin Luther King Jr..

“Të dy u qëlluan në qafë, por aty mbarojnë ngjashmëritë”, thotë Chappelle.

Më pas, ai e çmonton krahasimin pa mëshirë:

“Charlie Kirk është një personalitet interneti. Në thelb, ai nuk mund të funksionojë si Dr. King”.

Në një kritikë që shkon përtej individit, Chappelle flet për kulturën e provokimit digjital.

“Personalitetet e internetit duhet të jenë negativë. Askush nuk merret me ta nëse nuk thonë gjëra që i bëjnë njerëzit të zemërohen”.

Kulmi ndërkaq, vjen me një imitacion të Martin Luther King Jr. të transformuar në influencer: “Shtypni ‘like’, abonohuni, më ndiqni për më shumë përmbajtje. Besoj se të gjithë njerëzit e zinj duhet të jenë të lirë. Ndryshoni mendimin tim”, i referohet ai me këtë të fundit memes së famshme virale.

Është një shaka që godet njëkohësisht kulturën e klikimeve, banalizimin e figurave historike dhe mënyrën se si aktivizmi reduktohet në performancë algoritmike sot.

Një speciale që kërkon konflikt, jo konsensus

Specialja e re e Dave Chappelle nuk synon të pajtojë, as të shpjegojë veten.

Ai kërkon përplasje – jo për skandal, por për të nxjerrë në pah kontradiktat morale të audiencës së vet.

Nga Gaza te Arabia Saudite, nga Khashoggi te Charlie Kirk, nga historia amerikane te epoka e dezinformimit, Chappelle ndërton një mbyllje që nuk kërkon duartrokitje të menjëhershme, por debat të vonuar.

Dhe pikërisht aty qëndron fuqia e tij: jo në faktin se ka gjithmonë të drejtë, por në aftësinë për ta bërë publikun të kuptojë se pyetjet e vështira nuk vijnë gjithmonë nga vendet e rehatshme.

Ai rend të zbulojë normat amorale në moralitetin e shtirur. Të zbulojë konspiracionet duke pranuar se “të mos e dish diçka” është më mirë se të trillosh mbi të e të shkaktosh kaos.

Chappelle nuk kërkon roberspierizmin brenda turmës, por evolucionin darvinian brenda rrëfimit të tij të mallkuar nga intelekti i ngarkuar emocionalisht.

Ai flet për Diddyn njëjtë si për Jack Jackson, një ish-kampion boksi me ngjyrë, i pari në histori, i cili sfidoi lirinë për të kënaqur veten.

Reflekton mbi vrasjen e Nipsey Hussle nga një dorë e parëndësishme urbane, teksa rrëzon mite konspiracioniste për idhullin e tij, Charlie Barnett, komedianin e rrugës që s’dinte të lexonte, i cili humbi jetën nga HIV/AIDS.

Por mbi të gjitha, Chappelle kryqëzon kumtin e papjekurisë politike të botës MAGA, pa pasur frikë, pa qenë kolonizator i mendimit – duke mprehur gjuhën ku më shumë i dhemb “portokalliut” dhe duke lëshuar në fund sinjalin më të fortë, në një Amerikë ku sipas tij, është sot më e vështirë të shprehesh si komedian, se në Arabinë Saudite.

“Na duhet një kod nëse më kapin dhe më detyrojnë të flas publikisht siç duan ata. Sepse zëri im, përkundër dëshirës time, është bërë më i fortë. Diçka që unë nuk do e thoja kurrë. Diçka që nëse më dëgjoni ta them, mos merrni parasysh asgjë nga fjalët pasuese, pasi më kanë kapur. Unë e di si duhet të jetë ai kod. ‘I stand with Israel’ (Unë mbështes Izraelin)”.

Është kjo mbyllja chappelliane e rikthimit të tij në ekranin e vogël amerikan dhe botëror. Është kjo zhurma që ai prodhon dhe që ka dy rrugë: Të hidhet fort në opinionin publik, ose të censurohet masivisht.

Koha gjithsesi është e Chappelle dhe e narrativës së tij të zgjeruar, por aspak lodhëse.

*Mic Drop*

3sgIgLJ.png