Shkruar nga Roberto Vivaldelli
Tensionet midis Shteteve të Bashkuara dhe Venezuelës po vazhdojnë të përshkallëzohen, teksa rreziku i një konflikti të armatosur të drejtpërdrejtë që duket gjithnjë e më real. Presidenti Donald Trump ka vendosur së fundmi një bllokadë detare mbi anijet cisternë të naftës që janë në shënjestër të sanksioneve.
Frika nga një konflikt i afërt në Detin e Karaibeve, është më reale se kurrë. Më 16 dhjetor, presidenti i SHBA-së Trump shpalli në TruthSocial një “bllokim total dhe të plotë” të cisternave të naftës të sanksionuara që hyjnë dhe dalin nga Venezuela.
Ky veprim u interpretua nga ekspertët e së drejtës ndërkombëtare si një akt i mundshëm lufte. Ai erdhi pas sekuestrimit të një cisterne nafte që transportonte 1.9 milion fuçi naftë bruto, por edhe një serie bombardimesh të anijeve të dyshuara për trafik droge.
“Marina Venezueliane po i shoqëron anijet që largohen nga Venezuela me eksportet e naftës”- shkroi në platformën X Erik Sperling, drejtor ekzekutiv i “Just Foreign Policy”. “Kjo mund të nënkuptojë se për të zbatuar bllokadën detare, Shtetet e Bashkuara do të duhet të ndërmarrin veprime ushtarake sulmuese kundër forcave venezueliane. Një shkelje kjo e qartë e Aktit të Pushteteve të Luftës dhe Kushtetutës”- shtoi ai.
Maduro i quajti “pirateri” sekuestrimet nga SHBA-ja, dhe e krahasoi situatën me ndërhyrjet e kaluara në Irak , Afganistan dhe Libi, duke premtuar rezistencë dhe duke bërë thirrje për mbrojtjen e tregtisë së lirë. Një përpjekje për sekuestrimin e një cisterne nafte të shoqëruar nga luftanijet venezueliane, mund të shkaktojë një përplasje të drejtpërdrejtë midis marinave të dy vendeve, gjë që do të kishte me pasoja të paparashikueshme.
I pyetur nga gazetarët, presidenti amerikan deklaroi se Venezuela duhet t’ia kthejë SHBA-së “naftën e vjedhur”. “Venezuela na mori të drejtat e naftës dhe i dëboi kompanitë tona. Ne kishim atje shumë naftë dhe unë dua që të na e kthejnë”-nënvizoi ai.
Sirenat e luftës dhe heshtja e Trumpit
Më 17 dhjetor, një thashethem i vazhdueshëm, i raportuar nga gazetari konservator Taker Karlson gjatë një interviste në podkastin “Judging Freedom”, pretendonte se Trump do të njoftonte fillimin zyrtar të luftës kundër Venezuelës në fjalimin e tij drejtuar kombit të planifikuar për në orën 21:00 të mbrëmjes.
Karlson, duke cituar një burim në Kongresin Amerikan, pretendoi se ligjvënësit ishin informuar për një veprim të afërt ushtarak. Lajmi u bë menjëherë viral në mediat sociale dhe në platformën X. Megjithatë, në fjalimin e tij të mbrëmjes më 17 dhjetor nga Salla e Pritjes Diplomatike e Shtëpisë së Bardhë, Trump nuk e përmendi fare Venezuelën.
Ai u përqendrua tek çështjet e politikës së brendshme: kritikat ndaj administratës Bajden, sukseset ekonomike, migracionin dhe shpenzimet shtesë për ushtrinë. Kjo heshtje e çuditshme, e përforcon mundësinë e “ngurrimit” nga ana e presidentit amerikan, ndoshta e ndikuar nga sondazhet që tregojnë mungesën e madhe popullaritetit për një ndërhyrjeje ushtarake kundër Karakasit, madje edhe midis elektoratit të Trump dhe bazës së MAGA-s.
Çfarë lidhje ka nafta me këtë përplasje?
Shtetet e Bashkuara janë një eksportues neto i naftës bruto dhe teorikisht, nuk kanë nevojë të menjëhershme për të siguruar burime të reja. Megjithatë, tensionet kanë të bëjnë me Guajanën, e cila ndodhet në bregdetin verilindor të Amerikës së Jugut dhe kufizohet me Venezuelën në perëndim.
Ajo e ka mirëpritur vendosjen masive të ushtrisë amerikane në Detin e Karaibeve, pranë bregdetit të Venezuelës. Kjo mbështetje buron nga mosmarrëveshja territoriale afatgjatë me Karakasin mbi rajonin e pasur me naftë Esekibo, i cili përfaqëson rreth 2/3 e territorit të Guajanës, por që pretendohet nga Venezuela.
Tensionet u përshkallëzuan, pasi gjiganti amerikan i naftës “ExxonMobil”, zbuloi depozita të mëdha në det të hapur rreth një dekadë më parë. Kompania amerikane, e cila ka operuar në bllokun Stabroek pranë Guajanës që nga viti 2015 – me rezerva të rikuperueshme të vlerësuara në mbi 11 miliardë fuçi nafte – përfiton nga mbështetja e fortë nga Shtetet e Bashkuara, siç dëshmohet edhe nga deklaratat e Sekretarit të Shtetit Marko Rubio.
Ndërkohë Shevron, e cila ka qenë e pranishme në Venezuelë për dekada të tëra, ndjek një qasje më bashkëpunuese me qeverinë e Karakasit, duke prodhuar aktualisht rreth 200.000–240.000 fuçi në ditë në sipërmarrje të përbashkëta, edhe pse në kushte komplekse të operimit dhe sanksioneve.
Siç raportohet nga Responsible Statecraft , në vitin 2007 qeveria venezueliane shtetëzoi fushat e fundit private të naftës në vend. Shumica e kompanive shumëkombësheve i pranuan kushtet e reja, por “ExxonMobil” dhe “ConocoPhillips” rezistuan, duke çuar në mosmarrëveshje që kanë përfunduar në gjykatat e arbitrazhit ndërkombëtar.
Drejtori i atëhershëm ekzekutiv i ExxonMobil, Reks Tilerson, i vlerësoi në rreth 10 miliardë dollarë asetet e shpronësuara. Por një gjykatë e Bankës Botërore e urdhëroi Venezuelën të paguante vetëm 1.6 miliardë dollarë.
Zgjerimi i mëvonshëm i “ExxonMobil” në Guajana – eksplorimi filloi në vitin 2015 nën udhëheqjen e Tilerson – ishte një formë hakmarrjeje, duke shfrytëzuar ujërat e diskutueshme për të hyrë në rezervat që Venezuela pretendon se janë të vetat.
Ky kontekst ndihmon shumë në shpjegimin, të paktën e pjesshëm, të qëndrimit kritik të Shteteve të Bashkuara ndaj Karakasit, duke përfshirë mosnjohjen e zgjedhjeve presidenciale të Nikolas Maduro dhe mbështetjen e saj për opozitën e brendshme.
Kongresi dështon të bllokojë përshkallëzimin
Dje Kongresi hodhi poshtë dy rezoluta për kompetencat e luftës, që synonin kufizimin e veprimeve të Trump, me votimet përkatëse 211-213 dhe 210-216. Vetëm disa republikanë (përfshirë Tomas Masi dhe Marxhori Grin) i mbështetën masat.
Pavarësisht mungesës për momentin të një deklarate zyrtare lufte – dhe dështimit për ta shpallur atë, që pritej mbrëmë – veprimet në terren vazhdojnë: bllokadë detare, rrëmbime dhe presion ushtarak në nivelin maksimal.
Objektivi i deklaruar i administratës Trump mbetet ndryshimi i regjimit në Karakas, me opsione që përfshijnë sulmet ndaj objektivave qeveritare dhe operacione speciale. Ngurrimi i tij, mund të burojë nga konsiderata politike të brendshme, por mungesa e kundërshtimit nga Kongresi e lë fushën e hapur për një përshkallëzim që tani duket se ka dalë jashtë kontrollit./ “Inside Over”

