Lajme

Sanksionet e SHBA, a do të mundet Orban të shpëtojë Vuçiçin nga katastrofa?

Kriza e energjisë në Serbi: Orbán hyn në lojë për të zëvendësuar Gazpromin

Pas një serie shtyrjesh, sanksionet amerikane ndaj Naftna Industrija Srbije (NIS), kompania shtetërore serbe e naftës, kanë hyrë realisht në fuqi. Si pasojë e vendimit të Uashingtonit, naftësjellësi Adria ka ndërprerë furnizimet drejt Serbisë, ndërsa shumë pika karburanti të NIS-it kanë nisur të refuzojnë pagesat me karta bankare, nga frika e sanksioneve dytësore ndaj sistemit financiar të vendit.

Situata u përkeqësua më tej kur, pas heqjes së licencës operuese për NIS-in, rafineria e Pançevës, e vetmja në Serbi, u detyrua të mbyllet në fillim të dhjetorit. Kjo ka hapur një krizë të thellë energjetike me pasoja të paparashikueshme për Beogradin: mungesë të mundshme karburanti, rritje të fortë të çmimeve të naftës dhe varësi pothuajse totale nga importet e huaja të kësaj lënde strategjike.

Sanksionet amerikane janë vendosur për shkak se aksionet shumicë të NIS-it zotërohen nga Gazprom, kompania ruse që de facto kontrollon industrinë e naftës serbe dhe përbën një shtyllë të politikës energjetike të Beogradit. Paketa amerikane nuk synon vetëm sektorin e gazit dhe naftës, por prek edhe sistemin bankar, duke rrezikuar bllokimin e pagesave me karta dhe ndërprerjen e linjave të kreditimit për Serbinë.

Në këtë skenar të zymtë, Serbia e Aleksandar Vuçiçit, e përfshirë tashmë nga tensione të forta politike të brendshme, rrezikon të mbetet e izoluar në arenën ndërkombëtare. Pikërisht në këtë moment shfaqet një mbështetje e papritur për shumëkënd: ajo e kryeministrit hungarez Viktor Orbán, një nga aleatët më të ngushtë rajonalë të presidentit serb.

Pas hyrjes në fuqi të sanksioneve dhe mbylljes së rafinerisë së Pançevës, Vuçiç reagoi duke urdhëruar Gazpromin të shesë aksionet e tij në NIS deri në mesin e janarit 2026. Sipas Beogradit, largimi i kapitalit rus do t’i hapte rrugë heqjes së sanksioneve amerikane dhe rikthimit në normalitet. Nëse Gazprom nuk i bindet këtij vendimi, qeveria serbe ka paralajmëruar se do të ndërhyjë në mënyrë vendimtare, megjithëse këmbëngul se nuk synon nacionalizimin e kompanisë. Deri në gjetjen e një blerësi të ri për aksionet ruse, situata energjetike e Serbisë mbetet jashtëzakonisht problematike.

Në këtë kontekst, ndërhyrja hungareze shihet si një litar shpëtimi i përkohshëm. Më 27 nëntor, Viktor Orbán vizitoi Suboticën, qytet serb pranë kufirit me Hungarinë, për të marrë çmimin “Pásztor István”. Gjatë fjalimit të tij, Orbán sulmoi ashpër Bashkimin Evropian, duke deklaruar se “bota e vjetër po vdes” dhe se Brukseli, duke ndjekur linjën e përplasjes me Moskën, po humb rolin dhe peshën e tij ndërkombëtare.

Sipas Orbánit, aleanca si ajo mes Hungarisë dhe Serbisë janë thelbësore për stabilitetin e Evropës Qendrore dhe Ballkanit. Ai theksoi se serbët po vuajnë nga sanksione që Budapesti ka arritur t’i shmangë dhe garantoi se Beogradi mund të llogarisë gjithmonë në miqësinë hungareze. Konkretisht, pas takimit me Vuçiçin, Orbán njoftoi se Hungaria do të rrisë ndjeshëm eksportet e naftës drejt Serbisë, fillimisht duke i dyfishuar dhe më pas duke i rritur edhe dy herë e gjysmë të tjera në dhjetor. Paralelisht, do të përshpejtohen planet për ndërtimin e një naftësjellësi që do ta lidhë Serbinë me linjën ruse Družba, projekt që parashikohet të jetë funksional nga viti 2028.

Një ditë pas vizitës në Suboticë, Orbán udhëtoi drejt Moskës, ku u takua me presidentin rus Vladimir Putin. Zyrtarisht, bisedimet kishin të bënin me furnizimin energjetik të Hungarisë, por burime të ndryshme sugjerojnë se kriza serbe ka qenë një temë kyçe e diskutimit. Kjo u përforcua nga deklaratat e zëvendëskryeministrit rus Aleksandr Novak, i cili pranoi se gjatë takimit ishte diskutuar edhe blerja nga Hungaria e interesave ruse në kompanitë energjetike të goditura nga sanksionet amerikane.

Në këtë kuadër, ministri i kabinetit të Orbánit, Gergely Gulyás, konfirmoi se MOL, kompania shtetërore hungareze e naftës, është në bisedime për të blerë aksionet e NIS-it që zotërohen nga Gazprom. Për më tepër, MOL mund të përfshihet edhe në blerjen e aseteve ndërkombëtare të Lukoil në Rumani, Bullgari, e madje edhe në Kazakistan dhe Azerbajxhan, duke hyrë në një garë të gjerë ku përfshihen gjigantë si ExxonMobil, Chevron dhe kompani nga Gjiri.

Sipas analistëve, një operacion i tillë do t’i sillte fitime të mëdha strategjike Hungarisë. Kontrolli i NIS-it do t’i jepte Budapestit ndikim vendimtar mbi sektorin energjetik serb, duke forcuar më tej pozitat e tij në Ballkan dhe Evropën Qendrore, pas blerjeve të mëparshme të INA-s kroate dhe Slovnaft-it sllovak./Insideover

3sgIgLJ.png