Çfarë është ajo që tërheq udhëtarë të caktuar në lidhje me të frikshmen? A është faktori i përballjes me frikën apo emocioni i asaj ndjesie shpimi gjilpërash në shpinë.
Cilado qoftë arsyeja, disa prej nesh tërhiqen nga vende të frikshme ndërsa shijojmë monumente dhe peizazhe më të njohura. Për fat të mirë, nuk ka mungesë vendesh të frikshme për t’u eksploruar në të gjithë botën, shumë prej të cilave janë historike ose argëtuese.
Agjencia Anadolli nxori në pah një postim interesant në profilin e saj në Instagram me vendet “më të pushtuara nga fantazmat” në botë.
Ishulli Hashima Japoni

Ishulli Hashima ka një histori shumë të ndërlikuar, por ajo që është e sigurt për këtë vend është se kur njerëzit u larguan, ndërtesat u shembën dhe natyra lulëzoi.
Rreth 14.5 kilometra nga qyteti i Nagasakit shtrihet ky ishull i shkretë, pa asnjë banor, por me një histori të pasur.
Ishulli Hashima dikur ishte i rëndësishëm për minierat e qymyrit nënujor, një ilustrim i zymtë i industrializimit të shpejtë të Japonisë. Ai njihet edhe si Gunkanjima, që do të thotë ishull anijesh luftarake, për shkak të ngjashmërisë së tij me një anije luftarake japoneze. Hashima në fakt funksionoi si një uzinë qymyri nga viti 1887 deri në vitin 1974.
Kolmanskop, Namibi

Kolmanskop është një qytet i braktisur, një i ashtuquajtur qytet fantazmë, në shkretëtirën Namib në Namibinë jugore. Ndodhet disa kilometra në brendësi të qytetit portual të Luderitz.
Në vitin 1908, një punëtor i quajtur Zacharias Lewala gjeti aksidentalisht një diamant ndërsa punonte në zonë. Shpejt u përcaktua se kishte sasi të mëdha diamantesh aty, dhe shumë minatorë gjermanë u vendosën shpejt më kërkim të tyre. Të inkurajuar nga pasuria e madhe e diamanteve, banorët ndërtuan një qytet në stilin e qyteteve gjermane të asaj kohe. Qyteti kishte të gjitha objektet dhe institucionet, të tilla si një spital, sallë vallëzimi, termocentral, shkollë, sallë boulingu, teatër dhe sallë sportive, kazino, si dhe tramvajin e parë në Afrikë. Qyteti kishte një lidhje hekurudhore me Lüderitzin. Pas Luftës së Parë Botërore, rezervat e diamanteve ishin pothuajse të shteruara dhe qyteti u braktis përfundimisht në vitin 1954. Disa nga ndërtesat e braktisura u shembën ose u varrosën pjesërisht nga rëra.

Sot, Kolmanskop është një atraksion turistik dhe qyteti fantazmë më i famshëm në Namibi. Meqenëse ndodhet në zonën e mbrojtur Sperrgebiet, turistët duhet të kenë një leje të veçantë për të hyrë.
Pripyat, Ukrainë

Pripyat ndodhet në veriun e largët të Ukrainës, pranë kufirit me Bjellorusinë. Është 100 km nga kryeqyteti Kiev dhe ndodhet në lumin Pripyat me të njëjtin emër.
Ishte një qytet ku jetonin punonjësit e termocentralit bërthamor të Çernobilit. Pas aksidentit në vitin 1986, qyteti u braktis brenda një rrezeje prej 30 km. Popullsia para aksidentit ishte rreth 50,000 banorë, dhe tani është një qytet krejtësisht i zbrazët. Ky qytet, megjithëse kishte rëndësi ushtarake, ishte i arritshëm për të gjithë. Reaktorët bërthamorë të kohës konsideroheshin si krenaria e inxhinierisë dhe përparimit të Bashkimit Sovjetik. Edhe pse termocentrali duhej të ndërtohej vetëm 25 km nga Kievi, kryeqyteti i Ukrainës, Akademia e Shkencave e Ukrainës këmbënguli që ai të ndërtohej më larg qytetit, më saktësisht 100 km nga Kievi, në qytetin e Pripyat-it.
Bodie, SHBA

Vendi u popullua në vitin 1876 kur u zbuluan ar dhe argjend në kodrat aty pranë, ndërsa banorët e fundit u larguan nga Bodie gjatë viteve 1940.
Rreth 200 ndërtesa të rrënuara, përfshirë kishën metodiste, sot janë vetëm një atraksion për turistët e rrallë.
Craco, Itali

A keni menduar ndonjëherë se si duket qyteti fantazmë italian i Craco-s? Epo, mund të thuhet – si në një film. Sidomos nëse e keni parë filmin “Pasioni” të Mel Gibsonit. Qyteti dikur madhështor i Craco-s në provincën jugore italiane të Matera-s u braktis në fund të shekullit të 20-të.
Sot, është një atraksion i famshëm turistik në jug të vendit, që pret vetëm të shtohet në listën tashmë të mbushur me gjëra për të parë në Itali.
Edhe pse banorët e Craco-s e kanë braktisur qytetin e tyre prej kohësh, madhështia e kësaj fortese mesjetare ende ju lë pa frymë. I vendosur në majë të “çizmes” italiane, qyteti dikur i begatë qëndron në majë të një shkëmbi 400 metra të lartë me pamje spektakolare të luginës së lumit.
Fshati i guximshëm i mbijetoi disa pushtimeve, por Craco nuk vdiq për shkak të pushtimit armik. Pas disa tërmeteve dhe krijimit të rrëshqitjeve të shumta të tokës, qyteti u bë i pasigurt dhe banorët filluan të evakuoheshin për shkak të fatkeqësive natyrore.
Oradour-Sur-Glane, Francë

Në atë vend, më 10 qershor 1944, ndodhi një nga ngjarjet më të përgjakshme në Francë gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur nazistët vranë 642 banorë dhe dogjën pothuajse gjithçka.
Presidenti Charles de Gaulle urdhëroi që vendi të lihej ashtu siç është, në kujtim të viktimave të vrarë. Në të ka vetëm një muze.


