Kush ndalet i pari? Trump e bën Tel Avivin të heshtë
Të premten pasdite, Shtëpia e Bardhë u njoftua se Hamas, pas gati pesë ditësh heshtjeje, i ishte përgjigjur planit 20-pikësh të paqes të paraqitur nga presidenti Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza. Zyrtarët amerikanë reaguan me shpejtësi të rrallë: e publikuan menjëherë përgjigjen e Hamasit në rrjete sociale, madje për pak çaste e atribuonin gabimisht vetë Trumpit.
Në përgjigjen e saj, Hamas nuk pranoi plotësisht çdo pikë të planit, veçanërisht ato që kërkojnë çarmatosjen dhe asnjë rol të grupit në qeverisjen e ardhshme të Gazës. Por Trump zgjodhi të përqendrohej në atë që Hamas kishte pranuar – sidomos gatishmërinë për të liruar të gjithë pengjet e mbetura nga sulmet e 7 tetorit 2023. Për të, ky ishte sinjali që priste për të shpallur se paqja ishte “afër”, edhe pse detajet ishin ende të paqarta.
Vetëm një orë pas publikimit të përgjigjes së Hamasit, Trump reagoi publikisht duke shkruar në “Truth Social”: “Bazuar në deklaratën e sapo publikuar nga Hamas, unë besoj se ata janë gati për një paqe të qëndrueshme. Izraeli duhet të ndalojë menjëherë bombardimet në Gaza, që të mund të shpëtojmë pengjet shpejt e në siguri!”
Ky mesazh, i publikuar pa koordinim paraprak me Izraelin, e zuri në befasi kryeministrin Benjamin Netanyahu. Sipas burimeve izraelite për CNN, Netanyahu u befasua dy herë: fillimisht nga pranimi i menjëhershëm i Trumpit ndaj përgjigjes së Hamasit, dhe më pas nga urdhri i drejtpërdrejtë për ndalimin e bombardimeve. Si pasojë, Izraeli u detyrua të pezullojë ofensivën mbi Gaza City, edhe pse planifikonte të vijonte negociatat nën zjarr.
Të shtunën në mëngjes, zyra e Netanyahut publikoi një deklaratë të kujdesshme: “Izraeli është gati të zbatojë menjëherë fazën e parë të planit të presidentit Trump për lirimin e të gjithë pengjeve.” Ai shtoi se do të vazhdojë bashkëpunimin me administratën amerikane “në përputhje me parimet e vizionit të presidentit Trump”.
Në një video të publikuar atë mbrëmje, Trump e quajti “një ditë të madhe” dhe tha se “në shumë mënyra është historike”. Ai shtoi se “të gjithë janë të bashkuar në dëshirën për t’i dhënë fund kësaj lufte dhe për të parë paqe në Lindjen e Mesme.”
Nuk dihet nëse kishte një telefonatë direkte mes Trumpit dhe Netanyahut, por mungesa e koordinimit ishte e qartë. Në fjalimin e tij, Trump falënderoi Katarin, Turqinë, Arabinë Saudite, Egjiptin dhe Jordaninë për rolin e tyre ndërmjetësues – por nuk përmendi fare Izraelin.
Ky ishte momenti i parë ku Trump, hapur dhe publikisht, i kërkoi Izraelit të ndalë menjëherë bombardimet në Gaza. Me këtë deklaratë, ai në fakt i zhvendosi përgjegjësinë mbi Tel Avivin për të ndalur luftën.
Ndërkohë, emisarët e Trumpit, Steve Ëitkoff dhe Jared Kushner, udhëtojnë drejt Egjiptit për të negociuar detajet e lirimit të pengjeve dhe aspektet teknike të planit të paqes.
Megjithatë, reagimi në Uashington nuk ishte unanim. Edhe disa nga aleatët më besnikë të Trumpit, si senatori Lindsey Graham, e quajtën përgjigjen e Hamasit “një ‘po’, por me kushte” – duke theksuar se grupi nuk pranon çarmatosjen dhe kërkon ruajtjen e kontrollit në Gaza. “Në thelb, kjo është një refuzim i planit ‘merre ose lëre’ të presidentit Trump”, shkroi Graham.
Por Trump preferoi të shihte përparim, jo pengesa. “Do të shohim si do të përfundojë. Tani duhet ta përkufizojmë marrëveshjen në mënyrë të qartë e të shkruar”, deklaroi ai në videomesazhin nga Zyra Ovale.
Burime amerikane tregojnë se komunikimi i vonuar i Hamasit lidhej me probleme mes udhëheqësve të tij në Gaza dhe degëve të jashtme, si dhe me përçarjet brenda strukturës së lëvizjes. Por Trump, i paduruar, kishte lëshuar paralajmërimin e së dielës: pranoni planin ose “në Gaza do të shpërthejë ferri”.
Në vend që ta përdorte përgjigjen e Hamasit për të justifikuar një ofensivë të re izraelite – siç kishte paralajmëruar më parë – Trump zgjodhi të bëjë të kundërtën: të ndalë zjarrin. Kjo lëvizje e vuri Netanyahu-n në pozitë të vështirë, mes detyrimit për të ruajtur aleancën me SHBA-në dhe presionit të brendshëm për të vijuar luftën.
Marrëdhëniet mes të dyve janë përkeqësuar që kur Trump u rikthye në detyrë në janar, me biseda telefonike të tensionuara mbi zgjatjen e luftës dhe zgjerimin e saj përtej kufijve të Gazës – një strategji që, sipas disa këshilltarëve, po dëmton mundësinë e Trumpit për të fituar Çmimin Nobel për Paqe.
Ndërkohë, edhe pjesë të bazës së tij politike në SHBA janë larguar nga qëndrimet pro-izraelite, duke e quajtur ofensivën në Gaza “gjenocid”, siç ka bërë deputetja republikane Marjorie Taylor Greene.
Goditja më e fundit për Trumpin ishte bombardimi izraelit në Katar muajin e kaluar, ku u vranë disa liderë të Hamasit. Sipas Uashingtonit, kjo sulm i dëmtoi përpjekjet diplomatike për paqe dhe e detyroi ekipin e Trumpit të hartonte planin shumëpikësh që sot përbën bazën e marrëveshjes.
Ky plan, i ndërtuar me ndihmën e Jared Kushner dhe i përfshirë në diskutimet e fundit në Nju Jork me Netanyahu-n, synon të mbyllë një nga konfliktet më të përgjakshme të dekadës – edhe nëse paqja që ofron mbetet ende e brishtë. /Përshtati “Pamfleti” nga “CNN”


