Lajme

Erdogan në “luftë” me opozitën: Dhunë, tension dhe gaz lotsjellës, shpërthejnë protestat në Turqi

Pas burgosjes së Imamoglu, Erdogan godet edhe partinë kryesore opozitare

Turqia po përjeton një tjetër valë tensioni politik, ndërsa presidenti Recep Tayyip Erdogan akuzohet se po shtyp gjithnjë e më hapur opozitën dhe po përdor institucionet shtetërore për të neutralizuar kundërshtarët e tij politikë.

Policia turke përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë një protestë të organizuar nga lideri i shkarkuar i Partisë Popullore Republikane (CHP), Özgür Özel, vetëm pak ditë pasi një gjykatë e largoi atë nga drejtimi i partisë.

Sipas Özel, policia speciale kishte hyrë me forcë edhe në selinë qendrore të CHP-së në Ankara, duke përdorur gaz lotsjellës dhe dhunë ndaj anëtarëve të partisë.

Ngjarja konsiderohet si goditja më e fundit ndaj CHP-së — partisë më të vjetër të Turqisë dhe forcës opozitare që në zgjedhjet lokale të vitit 2024 arriti një fitore të rëndësishme ndaj partisë AKP të Erdoganit.

Gjithçka nisi pas një vendimi të papritur gjykate që anuloi zgjedhjet e brendshme të vitit 2023, përmes të cilave Özel kishte marrë drejtimin e CHP-së. Vendimi riktheu në krye të partisë rivalin e tij Kemal Kiliçdaroglu, një figurë që shihet nga shumë si e konsumuar politikisht.

Por opozita e sheh këtë si një ndërhyrje të drejtpërdrejtë të pushtetit në jetën e brendshme të partisë.

Kjo nuk është çështje e brendshme e CHP-së. Kjo është një betejë mes popullit dhe Erdoganit. Po përpiqen të ndalin partinë që po marshon drejt pushtetit”, deklaroi Özel gjatë protestës në Izmir.

Erdogan në "luftë" me opozitën: Dhunë, tension dhe

Mijëra protestues dolën në rrugë me flamuj turq dhe slogane kundër qeverisë, ndërsa policia rrethoi sheshin qendror Cumhuriyet dhe tentoi të shpërndante turmën me automjete ujëhedhëse.

President Özgür, Turqi e lirë!”, thërrisnin protestuesit.

Kriza politike vjen vetëm pak muaj pas arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, rivali më i fortë politik i Erdoganit dhe kandidati presidencial i CHP-së.

Imamoglu ndodhet në burg për akuza që opozita dhe shumë vëzhgues ndërkombëtarë i konsiderojnë të motivuara politikisht.

Arrestimi i tij u pa si një përpjekje e Erdoganit për të neutralizuar figurën më popullore të opozitës përpara zgjedhjeve të ardhshme presidenciale.

Erdogan në "luftë" me opozitën: Dhunë, tension dhe

Özel e lidhi drejtpërdrejt sulmin ndaj CHP-së me burgosjen e Imamoglu.

Ashtu siç futi në burg kandidatin presidencial që mund ta mposhtte, tani po përpiqet të mbyllë edhe partinë që mund ta mposhtë”, deklaroi ai.

Sipas opozitës, Erdogan po përdor gjykatat, policinë dhe institucionet shtetërore për të kontrolluar skenën politike dhe për të dobësuar çdo forcë që mund të rrezikojë pushtetin e tij.

Vendimi ndaj Özel lidhet me akuza për blerje votash në zgjedhjet e brendshme të CHP-së në vitin 2023, një çështje që ishte rrëzuar më parë nga një gjykatë në Ankara për mungesë provash, por që u rikthye më pas pas apelimit.

Për shumë analistë në Turqi, zhvillimet e fundit tregojnë se Erdogan po hyn në një fazë edhe më agresive të kontrollit politik, ndërsa opozita po përpiqet të mbijetojë mes presionit gjyqësor, arrestimeve dhe ndërhyrjeve të drejtpërdrejta shtetërore.

3sgIgLJ.png