Nga Auschwitz, në Bosnje, deri në Gaza; vijat që lidhin këto tragjedi nuk janë vetëm histori e përgjakur e njerëzimit, por prova se ajo që e lejon të përsëritet dhuna është heshtja. Jo vetëm e viktimave, por mbi të gjitha e botës që zgjedh të shohë dhe të të mos veprojë.
Në vitin 1944, një djalë 16-vjeçar u hip në një tren drejt Auschwitz-it. Sot, vajza e tij, Jill Klein, kujton heshtjen e atyre që e panë të hipte në tren dhe nuk thanë asnjë fjalë. Heshtën edhe kur e kthyen në shtëpi, gjallë por i thyer, një nga të paktët që mbijetuan. Ata që heshtën nuk ishin nazistët. Ishin fqinjët, bashkëqytetarët, kalimtarët. Ishin ata që mund të kishin bërë diçka, por zgjodhën të mos e rrezikojnë rehatinë e tyre.
Tridhjetë vjet më vonë, në Bosnje, Damir Mitrić, ishte vetëm 13 vjeç kur përjetoi tmerret e luftës, spastrimeve dhe urrejtjes që ushqehej po me të njëjtin mekanizëm: shpërfytyrimin e njeriut në “armik”, ndarjen e shoqërive dhe pastaj çlirimin e dhunës si zgjidhje.
Dhe vetëm pak vite më vonë, në Kosovë, dhjetëra mijëra fëmijë shqiptarë u detyruan të braktisin shtëpitë, të ecin zbathur në kolonat e ikjes, të veshur me trishtim, frikë dhe pasiguri. Rrënojat e fshatrave të djegura, kufomat në lumenj, nënat që kërkonin djemtë e zhdukur; janë plagë që kujtojnë po të njëjtin dështim global për të vepruar në kohë. Edhe atëherë, bota u përpoq të ruante “neutralitetin diplomatik”, derisa tmerret dolën në dritë dhe u desh ndërhyrja e NATO-s për të ndalur kasaphanën.
Sot, në Gaza, mijëra fëmijë janë në mes të rrënojave. Të zhveshur nga fëmijëria, të rrethuar nga uria, traumat, bombardimet dhe zërat që kërkojnë drejtësi, por që mbyten në një zhurmë politike që e relativizon edhe dhimbjen.
Të tre këto episode; Auschwitz, Bosnja, Gaza, ndodhin në kohë, vende dhe rrethana të ndryshme. Por kanë një emërues të përbashkët: ajo që i bëri të mundshme nuk ishte vetëm urrejtja e ekzekutorëve. Ishte mungesa e guximit të të tjerëve për të thënë: mjaft!
Gjenocidi nuk ndodh papritur. Ai përgatitet me fjalë, me ndarje, me mohime dhe në një shoqëri që mbyll sytë. Në epokën digjitale, askush nuk mund të thotë “nuk dija”. Viktimat janë para syve tanë, në ekranet tona. Heshtja sot nuk është më produkt i injorancës. Është zgjedhje.
Dhe çdo zgjedhje e ka një çmim./Pamfleti