Berlini e solli në pushtet, por pas pesë vitesh pa rezultate, Albin Kurti ka humbur vlerën si projekt politik gjerman në Kosovë…
Prej ditësh ka pasur shumë zhurmë për përplasjen e fortë mes qeverisë amerikane dhe Albin Kurtit në Kosovë. Një fakt politik i rëndë, por jo i ri.
Kurtin, amerikanët; si demokratët, ashtu edhe republikanët, nuk e kanë dashur asnjëherë. Sidomos me Donald Trump, ai ka qenë i padëshiruar.
Albin Kurtin e solli në pushtet Gjermania dhe veçanërisht Angela Merkel. Në vitin 2020, ajo kreu një “blitzkrieg” politik që për nga efekti ishte edhe më i fuqishëm se të parët e saj të frikshëm. Merkel e ndaloi Hashim Thaçin në aeroport, duke i prishur udhëtimin drejt Uashingtonit dhe më pas ai përfundoi në Hagë. Një akt politik perfekt, pa viktima dhe pa kosto kolaterale, që e vuri në qendër të skenës Kurtin, Vjosa Osmanin dhe Donika Gërvallën.
Që nga viti 2014, diplomatët gjermanë kanë goditur pa kompromis njerëzit e lidhur me Thaçin. Kujtojmë këtu episodin në Tiranë, kur ambasadori gjerman Helmut Hoffmann e sulmoi publikisht Enver Hoxhajn, aq fort sa ky i fundit u largua jo vetëm nga aktiviteti, por edhe nga Tirana. Gjermania e Merkelit ngriti “Procesin e Berlinit”, një projekt që synonte të ndërtonte një bosht të ri gjeopolitik në Europë. Një proces që nuk u pëlqeu italianëve, francezëve e britanikëve, dhe që amerikanët e shihnin me dyshim, megjithëse nuk e kundërshtuan hapur.
Donald Trump zgjodhi ta sfidonte drejtpërdrejt Merkelin me ambasadorin Richard Grenell. Merkel e shpalli ‘Non Grata’ dhe e dëboi nga Berlini, ndërsa ndëshkoi edhe Hashim Thaçin që ndoqi aventurat e tij, duke e lënë në burg që prej 2020-s dhe duke sjellë në pushtet Kurtin. Ky i fundit u llastua nga mbështetja gjermane, por nuk arriti asnjëherë ta justifikojë. Ai u soll si Xhafer Deva i viteve ’40: pushtet nga Berlini, por pa rezultate.
Gjermania e ka mbajtur Kurtin, por nuk e sheh më si kartë të vlefshme. Berlini ka treguar forcë jo vetëm me Kosovën, por edhe në raste të tjera. Kriza greke e vitit 2008 tregoi qartë se Wolfgang Schäuble diktonte çdo lëvizje në Athinë. E njëjta fuqi u pa në vendosjen me forcë të Ursula von der Leyen në krye të Komisionit Europian, në menaxhimin e pandemisë Covid-19 dhe në shpërndarjen e miliardave të fondeve europiane. Pas luftës në Ukrainë, Gjermania nuk është më vetëm “banka” e Europës, por po kthehet në superfuqi ushtarake, duke shumëfishuar ndikimin e saj në Ballkan.
Në rajon, Gjermania po luan hapur kundër Aleksandar Vuçiçit, ashtu siç ndihmoi në rrëzimin e Slobodan Millosheviçit në vitet ’90. Zoran Gjingjiç ishte produkt i Berlinit dhe vrasja e tij është ende plagë e hapur për gjermanët. Ata nuk harrojnë se kush e ekzekutoi, as lojërat e dyfishta që mendohet se bënë amerikanët.
Në Kosovë, Berlini ka investuar shumë, por Kurti e ka shpërdoruar këtë rast të artë. Ideologjia e tij e ngurtë, hezitimi për vendime të forta dhe frika nga konsumimi e kanë bërë të mbijetojë pa arritje. Pesë vjet kanë kaluar kot. Një rast i tillë nuk do t’i vijë më as atij, as Donikës.
Gjermania nuk është një aktor periferik, por një fuqi që vepron me qetësi dhe me vendosmëri. Ajo tashmë duket se po kërkon figurën e re për Kosovën dhe Shqipërinë. Dhe kur ta gjejë, nuk do të ketë më vetëm “bam”, por “bam-bam”./Pamfleti