“Ne do të ndryshohemi, do të përmirësohemi dhe do të përsosim punën tonë mbi bazën e nevojave dhe kërkesave të qytetarëve. Ata që më njohin mirë e dinë se asnjë funksion nuk është i garantuar e as i përjetshëm”, tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në aktivitetin e sotëm me rastin e raportimit për punën katërvjeçare të kryetarëve të komunave, shkruan gazeta KOHA.
Ai theksoi se pikërisht për këtë, menjëherë pas zgjedhjeve lokale do të ketë ndryshime në parti, si dhe rekonstruksion dhe përmirësim të kapaciteteve të Qeverisë.
“Dhe për këtë, menjëherë pas zgjedhjeve do t’i hapim dyert e partisë për rotacione të reja dhe për njerëz të rinj, ndërsa edhe në Qeveri do të ketë rekonstruksion dhe rritje të kapaciteteve. Tashmë e dimë mirë se si mund të ecim edhe më fuqishëm dhe më guximshëm me potenciale të shtuara. Kjo nuk do të thotë se njerëzit që do të zëvendësohen kanë qenë të këqij ose të pakujdesshëm, por Qeverisë gjithmonë i nevojitet kapacitet i shtuar, një ritëm edhe më i fuqishëm për ndryshimet që po i bëjmë. Ne jemi në rrugën e ndryshimeve, në rrugën e ndërtimit të ndryshimeve dhe për herë të parë pas një kohe të gjatë, në rrugën e ndërtimit të sukseseve të përbashkëta që do të sjellin një të ardhme më të mirë dhe një shans që gjenerata e gjenerata të reja e kanë pritur,” theksoi Mickoski.
Mickoski potencoi se shifrat nga makroekonomia tregojnë se shteti është në rrugën e ndërtimit të ndryshimeve që do të sjellin një të ardhme më të mirë, duke treguar rritje të eksportit, rritje të BPV-së, zhvillim dhe gjallërim të ekonomisë dhe tregtisë.
“Që jemi në atë rrugë e tregojnë edhe shifrat makroekonomike të cilat thonë se kemi rritje të eksportit, rritje të BPV-së, gjallërim të ekonomisë, rritje të tregtisë dhe ekonomisë, dhe koha kur këto rezultate realisht do të ndihen nga qytetari i zakonshëm patjetër do të vijë. Unë nuk jam njeri që i shikon gjërat nga distanca, dhe për këtë ndryshimet në Qeveri do të nënkuptojnë ritëm edhe më të fuqishëm dhe suksese edhe më të mëdha të përbashkëta, që do të dëshmojnë se jemi në rrugën e duhur dhe se qytetarët kanë bërë zgjedhjen e vërtetë”, tha Mickoski.