Lajme

DAP konstaton parregullsi tatimore në ndërtimtari

Shkup – Ndërtimtaria është sektor me rrezik të lartë nga aspekti i disiplinës tatimore. Marrëveshje me vlerë joreale të ulët të shitjes, punësime dhe angazhime të paregjistruara, dallime të konsiderueshme midis vëllimit real të ndërtimit dhe të ardhurave të raportuara nga shitja, pagesa të shpeshta me para në dorë. Këto janë pjesë e rreziqeve potenciale mbi të ardhurat tatimore që i detektoi Drejtoria e të Ardhurave Publike. Me “Planin për përmirësimin e harmonizimit në sektorin e ndërtimit”, Drejtoria që nga janari i këtij viti i ka forcuar kontrollet në sektorin e ndërtimit. Tek 318 kompani ka dërguar njoftime për të korrigjuar parregullsitë.

“Në këtë sektor ekzistojnë rreziqe të cilat mund të çojnë në pagesë të pasaktë të tatimeve, veçanërisht përmes mosregjistrimit dhe regjistrimit jo të plotë të të ardhurave nga shitja – për shembull, për shkak të shitjes së banesave me pagesë në kesh, shprehje e pasaktë ose joreale e çmimeve të shitjes në kontratat e lidhura, mundësi për keqpërdorim të përjashtimit ligjor nga TVSH nëse shitja e parë e banesës bëhet pas skadimit të 5 viteve nga ndërtimi, etj”, tha Elena Petrova – Drejtoreshë e DAP.

Guvernatori Trajko Slaveski muajin e kaluar paralajmëroi masa për, siç tha, rritjen spekulative të çmimeve të banesave. Tregoi se gjysma e banesave blihen me para në dorë. Ndërtuesit që i kontaktuam sqarojnë se problemet vijnë nga kompani individësh që ndërtojnë banesa.

Nuk ka analizë se sa është evazioni tatimor, gjegjësisht sa më pak para kanë hyrë në llogarinë e buxhetit për shkak të paraqitjeve të pasakta tatimore në këtë sektor. Drejtoresha Petrova thotë se kjo do të hetohet më vonë.

“Këto janë indikatorë për shkak të të cilëve ndërmarrim masa më konkrete, në të cilat do t’i detektojmë ato parregullsi dhe sa, për shembull, në lidhje me pyetjet tuaja, sa mund të jenë të ardhurat e paregjistruara që mund të maten nëse merret parasysh vëllimi i ndërtimit nga njëra anë, furnizimet hyrëse të materialeve e të ngjashme. Shërbime të përdorura nga ana e realizuesve nga njëra anë, nga ana tjetër të ardhurat e realizuara nga shitjet”, u shpreh drejtoresha e DAP, Elena Petrova.

Sipas të dhënave të Bankës Popullore, në tremujorin e dytë të këtij viti çmimet e banesave janë rritur për 22,3 përqind.

Se në masë të madhe ndërtohen banesa e konfirmon edhe statistika. Në qershor janë dhënë 213 leje ndërtimi, ose për 15,1% më shumë se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Më së shumti leje – 120 – janë dhënë për ndërtimin e objekteve banesore. Tek 110 objekte si investitorë paraqiten persona fizikë, ndërsa tek 103 objekte investitorë janë subjekte afariste.

3sgIgLJ.png
3svPxtI.png