Në rast se nuk ka kompromis dhe lëshime nga partitë politike, zgjedhjet e parakohshme mund të jenë sërish një opsion…
Procesi i numërimit të votave në Kosovë pothuajse ka përfunduar, por rezultati i dalë prej këtyre zgjedhjeve nuk jep shpresë për zgjidhjen e ngërçit politik që ka futur vendi në një rreth vicioz.
Pas numërimit të të gjitha votave, Lëvizja Vetëvendosje (LVv) e Albin Kurtit, mori 43,06 për qind ose 295,891 vota, duke dalë parti e parë, por pa mundur të marrë shumicën e nevojshme për të krijuar qeverinë e vetme. Partia e Kurtit ka pësuar një rënie nga zgjedhjet e fundit të mbajtura në dhjetor, ku mori 51 për qind të votave, duke siguruar mandatet e nevojshme për të qeverisur e vetme.

Parti e dytë u rendit Partia Demokratike E Kosovës (PDK) e udhëhequr nga Bedri Hamza mori 21,12 për qind ose 145,136 vota. PDK-ja në këto zgjedhje ka pësuar një rritje të vogël nga zgjedhjet e dhjetorit ku mori 20,98 për qind të votave.
Parti e tretë u rendit Lidhja Demokratike E Kosovës (LDK) e udhëhequr nga Lumir Abdixhiku, mori 17,68 për qind ose 121,529 vota. LDK-ja është ajo që ka përmirësuar më tepër rezultatin nga zgjedhjet e dhjetorit ku doli me 13,57 për qind.
Më pas u rendit Aleanca Për Ardhmërinë E Kosovës, (AAK) e udhëhequr nga Ardian Gjini, mori 7,21 për qind ose 49,563 vota. Edhe AAK-ja ka pësuar rritje nga zgjedhjet e shkuara, ku mori vetëm 5,66 për qind.
Me këtë rezultat, mandatet ndahen LVV me 48 mandate, PDK- 24 mandate , LDK- 20 mandate, AAK- 8 mandate. Me këtë ndarje mandatesh kthemi te rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, që krijoi ngërçin politik që solli zgjedhjet e dhjetorit 2025.
Kjo do të thotë se zgjedhjet e sotme nuk sollën zgjidhje për situatën e krijuar në Kosovë. Kjo lloj situate nuk po përkrahet më as nga populli, i cili ndjeshëm sot tregoi indiferencë ndaj procesit të zgjedhjeve, i cili kishte një pjesëmarrje shumë të ulët me vetëm 688,592 qytetarë që ushtruan të drejtën e zgjedhjes nga pothuajse 2 milionë të tillë me të drejtë vote.
Se si do të zhvillohet loja politike në Kosovë mbetet për t’u parë, po në rast se nuk ka kompromis dhe lëshime nga partitë politike, zgjedhjet e parakohshme mund të jenë sërish një opsion.

