Një bazë e Grupit Rus Wagner është zbuluar në fshatin Kladnica në Bullgarinë jugore, vetëm 50 kilometra larg kufirit me Serbinë. Siç është zbuluar nga shoqata bullgare BOEC, bëhet fjalë për një strukturë të vogël në një zonë malore që ruhet me shumë kujdes dhe dyshohet se përdoret për aktivitete paraushtarake.
Përveç kontrollit të rreptë të objektit, që përfshin edhe qen roje, baza është shumë e vështirë për t’u arritur pasi ndodhet në terren të paarritshëm.
Sipas një deklarate nga shoqata që zbuloi objektin misterioz, njerëzit që qëndrojnë pranë tij kanë në rrobat e tyre shenja dalluese të organizatës paraushtarake ruse “Wagner”, mbajnë kapele me simbolet e tyre dhe disa janë edhe të armatosur.
Sipas shoqatës bullgare, flamuri rus dhe emblema e grupit Wagner janë të vendosura në vetë ndërtesën.
“Njerëzit përreth shtëpisë mbajnë rroba dhe kapele me logon e organizatës paraushtarake ruse “Wagner”, e cila është nën kontrollin e shërbimeve speciale ruse”, pohon përfaqësuesi i BOEC, Georgi Georgiev.

Shoqata menjëherë informoi Ministrinë e Punëve të Brendshme Bullgare për zbulimin e saj, duke theksuar: praninë e personave të armatosur, simbolet e një organizate nën sanksione ndërkombëtare dhe përfshirjen e mundshme të anëtarëve aktualë ose të mëparshëm të shërbimeve të sigurisë.
BOEC, një shoqatë që monitoron punën e institucioneve shtetërore, lufton korrupsionin dhe ekspozon kërcënimet ndaj sigurisë publike dhe shtetërore, beson se prania e individëve të tillë përbën një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare.
Georgiev kritikoi, siç pretendon ai, mungesën e reagimit institucional, duke sugjeruar se autoritetet përkatëse nuk po marrin masat e duhura pavarësisht seriozitetit të akuzave.
Grupi Wagner mori emrin nga kompozitori Richard Wagner. Udhëheqësi dhe, besohet, themeluesi i tyre ishte Yevgeny Prigozhin, i cili vdiq në një aksident misterioz ajror në vitin 2023, pasi u përfshi në konflikt të hapur me Presidentin rus Vladimir Putin.
Megjithatë, ka edhe informacione se ky grup është themeluar nga Dmitry Utkin, i cili dikur ishte komandant i Drejtorisë Kryesore të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Federatës Ruse (GRU).
