Ushtria izraelite ka ndërmarrë sulme të reja në jug të Libanit, duke deklaruar se operacioni ishte një përgjigje ndaj asaj që e cilësoi si shkelje të armëpushimit nga Hezbollahu.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) njoftuan se kishin goditur objektiva në Libanin jugor pas një “shkeljeje flagrante të armëpushimit nga organizata terroriste Hezbollah”.
Paralelisht me sulmet, ushtria izraelite lëshoi një urdhër evakuimi për banorët e fshatit Al Mansouri, duke u kërkuar atyre të largohen menjëherë nga zona.
“Për sigurinë tuaj, duhet të evakuoni menjëherë shtëpitë tuaja”, deklaroi në platformën X zëdhënësja e ushtrisë izraelite në gjuhën arabe, Ella Waweya.
Sipas autoriteteve izraelite, ky është urdhri i parë i evakuimit i lëshuar në Libanin jugor pas rreth një muaji.
Zhvillimet vijnë në një moment kur në Romë po zhvillohen negociata mes Izraelit dhe qeverisë libaneze, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara. Bisedimet fokusohen në një plan që parashikon vendosjen e ushtrisë libaneze në disa “zona pilot”, nga të cilat forcat izraelite do të tërhiqeshin, me kusht që Hezbollahu të çarmatoset.

