Vdekja e udhëheqësit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, përbën një “hap përpara” dhe një shpresë për vendin, deklaroi nipi i tij, Mahmoud Moradkhani, një mjek me bazë në Francë dhe kritik i hapur i Republikës Islamike.
“Si shumica e iranianëve, jam i lumtur”, tha Moradkhani në një bisedë telefonike nga shtëpia e tij në veri të Francës. “Jam shumë i lumtur për vdekjen e Ali Khameneit. Mendoj se është një hap përpara, një shpresë”, citohet ai nga agjencia AFP.
Moradkhani, djali i një prej motrave të Khameneit, ka qenë prej kohësh kundërshtar i sistemit aktual në Teheran. Ai pranoi se lufta dhe ndërhyrjet ushtarake mund të ngadalësojnë proceset politike, por la të kuptohet se ky zhvillim mund të ishte i pashmangshëm. “Lufta dhe ndërhyrjet ushtarake e ngadalësojnë disi procesin politik, gjë që është për të ardhur keq, por ndoshta duhej të kalonim përmes këtij hapi”, tha ai.
Sipas tij, regjimi iranian mund të mos arrijë të mbijetojë pas eliminimit të Khameneit. “Rivalitetet e brendshme të regjimit janë të tilla që ai nuk do të mund t’u rezistojë. Do të duhet të zhduket dhe t’ia dorëzojë pushtetin popullit”, u shpreh Moradkhani.
Deklaratat e tij vijnë në një moment tranzicioni të thellë politik në Iran, ndërsa autoritetet kanë nisur procesin kushtetues për zgjedhjen e pasardhësit të liderit suprem, mes tensioneve të brendshme dhe konfliktit të hapur me SHBA-në dhe Izraelin.
