Nga Nikica Korubin
“Normalizimi” i dhunës dhe, akoma më keq, “arsyetimi” apo injorimi i saj, është gjithmonë në dëm të drejtpërdrejtë të qytetarëve, normalitetit të jetëve tona dhe funksionalitetit të të gjithë shoqërisë në të cilën ekzistojmë. Dhe kjo është ndoshta një nga qëllimet e dëshiruara të asaj që e quajmë “apati kolektive” – një gjendje zhgënjimi të thellë dhe mosbesimi në një “zgjidhje daljeje” – prandaj secili vendos individualisht, për mbrojtjen e vet psikologjike, ta relativizojë dhe përzgjedhë kujdesin ndaj barbarisë së dukshme.
Ashtu siç ishte sulmi (vënia e zjarrit automjeteve zyrtare) në qendër të Shkupit, në mes të ditës, ndaj pronës së një shteti tjetër – Bullgarisë – fqinjit tonë të parë, siguria e të cilit është përgjegjësi përfundimtare e shtetit, si zyrtarisht ashtu edhe retorikisht. Ushqimi i vazhdueshëm i antagonizmit dhe fobisë, drejtpërdrejt dhe tërthorazi, hapur dhe në mënyrë subtile, politikisht dhe metaforikisht, rezulton me “rehati” në kryerjen e sulmeve – jo vetëm ndaj një shteti tjetër, por drejtpërdrejt ndaj interesave të shtetit tonë: një shoqëri demokratike dhe stabile, vend anëtar i NATO-s dhe anëtar i ardhshëm i Bashkimit Evropian.
Sepse anëtarësimi, përveçse nënkupton kritere, rregulla dhe parime, nënkupton edhe sjellje të qytetëruar. E kjo, ashtu si edukimi i fëmijëve, nuk është e përcaktuar në asnjë ligj, por nënkuptohet vetvetiu. Kufiri i sjelljes kulturore dhe qytetëruese është pikërisht pjesë përbërëse e vetë identitetit, si vazhdimësi e jetës së qytetëruar ndër vite dhe shekuj.
Me sjelljen e qytetëruar mund vetëm të solidarizohemi. Ashtu siç, jo rastësisht, e para që u solidarizua me Bullgarinë lidhur me sulmin ndaj ambasadës bullgare ishte Ambasada Franceze në Maqedoninë e Veriut, më pas Zyra e Bashkimit Evropian tek ne dhe në fund edhe Ambasada Gjermane. Si një precedent i lartë dhe një vizatim simbolik i “vijës së kuqe” të sjelljes së pranueshme evropiane, qytetëruese dhe identitare.
Kjo pritet jo vetëm nga pushteti formal, por edhe nga i gjithë establishmenti politik dhe shoqëror, i cili pafundësisht vajton për “ndjenjat dhe viktimat e veta”, ndërsa në mënyrë brutale i injoron dhe relativizon ato të të tjerëve. Siç ndodh me çdo narrativë të imponuar artificialisht, të një kujdesi të rremë. Ashtu siç mund të solidarizohemi dhe të kërkojmë të njëjtën gjë edhe nga autoritetet tona dhe strukturat me ndikim, me thirrjen e autoriteteve zyrtare të Bullgarisë dhe të përfaqësisë së saj diplomatike të sulmuar këtu, kundër çdo forme bllokadash si një lloj “hakmarrjeje”; e plotësuar poetikisht me vendosjen e trëndafilave të bardhë në pronën tonë diplomatike në Bullgari.
Sepse ata e dinë shumë mirë dallimin ndërmjet komunikimit natyror të qytetarëve të dy vendeve dhe dy shoqërive, dhe narrativës politike që duhet të ndjekë të njëjtin nivel dhe thellësi. Ndërsa pyetja se përse bën pikërisht të kundërtën, është e destinuar ekskluzivisht për ne. Dhe ky solidaritet evropian vjen simbolikisht pikërisht nga Franca dhe Gjermania, të cilat në samitin e fundit të Ballkanit Perëndimor me BE-në në Mal të Zi, përmes kryeministrit tonë, i dhanë mbështetje qytetarëve dhe shtetit tonë për eurointegrimin e (vetë)bllokuar, mbështetje që përfaqësuesit tanë të zgjedhur kishin për detyrë të na e përcillnin.
Mbështetje e përfshirë edhe në raportin e Parlamentit Evropian për përmbushjen e obligimeve të marra, për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, kur në të njëjtën kohë “pa vendim shtesë politik” fillojnë menjëherë negociatat me BE-në.
Mbështetje për themelet bazë të shtetësisë, të sublimuara juridikisht përmes marrëveshjeve ndërkombëtare (Marrëveshja e Prespës dhe Marrëveshja me Bullgarinë), si dhe Marrëveshja Kornizë e Ohrit, shkelja e së cilës evidentohet në mënyrë eksplicite në vetë raportin.
Po ashtu edhe evidentimi i qartë i “regjimit joliberal në Serbi” si problem real edhe për ne si anëtare e NATO-s dhe vend kandidat për në BE; gjë që ndoshta mund ta trajtojmë si përgjigje evropiane ndaj ndikimit të konceptit të “botës serbe” tek ne, përmes një kundërndikimi: nevojës për një Maqedoni të Veriut evropiane, me marrëveshje serioze ndërkombëtare të arritura (pas të cilave qëndrojnë Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe SHBA-të), si shembull edhe për vetë shoqërinë serbe apo çdo shoqëri tjetër në rajon dhe më gjerë.
Në fakt, kjo periudhë e trazuar, me provokime “të vogla dhe të mëdha”, me “mish-mash identitar” në Tetovë, me sulmin ndaj ambasadës bullgare, me pezullimin sistematik të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, me barazimin e pasaktë të historisë me narrativën e trashëguar për të, me “grabitjen akademike dhe përvetësimin shkencor serb” të trashëgimisë sakrale mesjetare bizantine, me refuzimin e historisë dhe realitetit të bazuar në fakte, si dhe me vërshimin brutal mediatik me manipulime dhe antagonizma – përbën një lloj kompresimi dhe kulmimi të “mjeteve” të ndërtuara me kujdes ndër vite: albanofobisë dhe bullgarofobisë.
Dhe imagjinoni sikur ato të mos ekzistonin në hapësirën dhe diskursin publik; imagjinoni të mos kishim kë të “urrejmë” dhe të mos kishim një “drejtim” se kë duhet medoemos ta duam, çfarë do të mbetej? A do të mbetej kozmopolitizmi i pastër, i vërtetuar historikisht, ai që nga koha e Aleksandrit të Madh, me respektimin absolut të dallimeve, të fqinjëve, të më të afërmve? A do të mbetej në fakt ajo që gjithmonë duhej ta kishim – një vend evropian, të qytetëruar, të rregulluar, funksional dhe të bukur?
BE-ja dhe solidariteti evropian këtë kërkojnë nga ne, por a dëshirojmë vallë ne vetë diçka tjetër?

