Lajme

Si mund ta humbasë Evropa luftën për Groenlandën?

Shkruar nga Eliza Gkritsi

Edhe pse kërcënimet për përdorim force janë zbehur, zyrtarët danezë dhe europianë paralajmërojnë për ndikim dhe dezinformim nga SHBA në ishullin autonom…

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka hequr dorë nga kërcënimi për të marrë Groenlandën me forcë, por në internet përplasja sapo ka filluar.

Presidenti i SHBA tronditi Europën në janar me kërcënime për tarifa doganore, duke i lidhur ato me pretendimin e tij për të drejtën për të zotëruar Groenlandën, një territor autonom i Mbretërisë së Danimarkës.

Ndërsa intensiteti i këtyre kërcënimeve është zbehur për momentin, zyrtarë danezë dhe europianë thonë se ishulli i vogël mbetet i cenueshëm ndaj fuqisë që administrata amerikane ushtron në hapësirën online.

Me një popullsi më pak se 60 mijë banorë, edhe sasia më e vogël e dezinformimit mund të përhapet shpejt dhe të ndikojë ndjeshëm opinionin publik, veçanërisht kur narrativa e rreme nuk vjen nga ferma anonime trollësh rusë, por nga politikani më i fuqishëm në botën perëndimore.

“Groenlanda është objekt i fushatave të ndryshme të ndikimit”, deklaroi për “Politico” ministri danez i Drejtësisë, Peter Hummelgaard, duke shtuar se një nga qëllimet e këtyre fushatave është “krijimi i përçarjeve në marrëdhënien mes Danimarkës dhe Groenlandës”.

Gjatë vitit të fundit, dezinformimi është rritur në Groenlandë, tha Thomas Hedin, kryeredaktor i platformës daneze të verifikimit të fakteve TjekDet.

Edhe pse kjo rritje nuk ka pasur formën e një “fushate të strukturuar”, përfshirë edhe nga Rusia, Hedin përmendi si shembull dezinformimi idenë se SHBA mund ta blejë Groenlandën, një mesazh i përsëritur nga Trump, por që është i pamundur sipas Kushtetutës daneze.

Fakti që Groenlanda nuk është pjesë e Bashkimit Europian do të thotë se ligji i BE-së për rrjetet sociale, i cili detyron platformat të vlerësojnë dhe të zbusin rreziqet e dezinformimit për debatin qytetar, nuk zbatohet në Groenlandë, tha për Politico, ministria daneze e Digjitalizimit.

Ndërkohë, sondazhet tregojnë se banorët e Groenlandës vazhdojnë të favorizojnë integrimin me Europën. Megjithatë, eurodeputeti gjerman i të Gjelbërve, Sergey Lagodinsky, paralajmëroi se BE-ja duhet të përgatitet për një “lloj të ri përballjeje hibride” lidhur me ishullin.

“Nuk bëhet më fjalë për luftimin e trollëve rusë që përpiqen të manipulojnë sistemin. Nëse dezinformimi drejtohet ndaj BE-së dhe Groenlandës, fushatat në platformat amerikane bëhen vetë sistemi,” tha ai.

Terren i favorshëm për shfrytëzim

Marrëdhënia mes Danimarkës dhe Groenlandës është veçanërisht e përshtatshme për t’u shfrytëzuar, tha Signe Ravn-Højgaard, bashkëthemeluese dhe drejtoreshë ekzekutive e “Digital Infrastructure Think Tank” në Danimarkë, e cila ka analizuar peizazhin e dezinformimit në Groenlandë.

Me një popullsi sa një komunë e Brukselit, lajmet qarkullojnë shpejt në Groenlandë dhe ka pak media që mund të kundërshtojnë informacionet e rreme. Shumica e njerëzve mbështeten te Facebook-u, tha Ravn-Højgaard. Me vetëm disa shpërndarje, një lajm i rremë mund të arrijë gjithë popullsinë.

“Kjo është krejtësisht ndryshe nga Danimarka,” tha ajo. Në një qytet me 20 mijë banorë, nëse 5 mijë besojnë diçka të pavërtetë, “nuk është rrezik për demokracinë e Danimarkës”. Por në Groenlandë, kjo “përhapet shpejt te të gjithë dhe përbën një përqindje shumë të madhe të popullsisë”.

Sipas dy studiuesve me të cilët foli Politico, ende nuk janë shfaqur fushata të organizuara ndërhyrjeje të huaj në Groenlandë, por dezinformimi po përhapet.

Dy anëtarë të qeverisë së Groenlandës, ministri i Peshkimit Peter Borg dhe ministri i Punës Aqqaluaq Egede, u bënë thirrje qytetarëve në rrjetet sociale që “të qëndrojnë të bashkuar” përballë kërcënimeve nga SHBA.

Edhe ligjvënësit europianë kanë ngritur alarmin. Eurodeputetja e të Gjelbërve, Alexandra Geese, tha se duhet pritur “operacione ndikimi që përdorin propagandë të avancuar, si dhe fushata urrejtjeje dhe ngacmimi kundër figurave politike në Groenlandë dhe Danimarkë”.

Transparenca

Edhe pse Danimarka tha se nuk ka detyrim ligjor për të zbatuar Aktin e Shërbimeve Digjitale të BE-së në Groenlandë, disa ligjvënës thonë se kjo duhet të ndryshojë.

Geese deklaroi se BE-ja duhet ta zbatojë ligjin, duke “siguruar që algoritmet të respektojnë zgjedhjet e përdoruesve dhe jo interesat e të njëjtëve oligarkë teknologjikë që po investojnë në mineralet e Groenlandës”.

Kjo ndodh pavarësisht faktit se Komisioni Europian ende nuk ka përfunduar asnjë nga hetimet e tij për rreziqet ndaj zgjedhjeve dhe debatit qytetar, edhe pse ka hapur procedura ndaj katër platformave, përfshirë Facebook-un dhe Instagram-in e Meta-s, TikTok-un dhe X-in.

Përveç ndryshimeve në sistemet e platformave, DSA mund të ndihmojë edhe në rritjen e transparencës në ekosistemin online. Ligji kërkon që platformat të jenë transparente për reklamat e paguara dhe të dhënat, diçka që Groenlandës i mungon, tha Ravn-Højgaard.

Ajo përmendi reklama të paguara që u shfaqën në Facebook përpara zgjedhjeve të territorit në mars 2025, por që nuk ishin të disponueshme në bazën e të dhënave të transparencës së platformës.

Lagodinsky sugjeroi që BE-ja të krijojë një “grup ekspertësh ad hoc, të fokusuar posaçërisht te Groenlanda”.

Ai shtoi se Brukseli duhet të rrisë mbështetjen për rrjetet e verifikimit të fakteve dhe organizatat e shoqërisë civile, njësoj si në vende të tilla si Moldavia dhe Ukraina. /Përshtatur nga Politico/

3sgIgLJ.png