Administrata e Presidentit Donald Trump po shqyrton vendosjen e një garancie financiare deri në 100 mijë dollarë për disa aplikantë që kërkojnë “Green Card” përmes konsullatave amerikane jashtë Shteteve të Bashkuara, raporton Wall Street Journal, duke cituar burime të njohura me diskutimet.
Sipas raportimit, propozimi po përgatitet nga Departamenti amerikan i Shtetit si pjesë e politikave për të kufizuar emigracionin dhe për të garantuar që emigrantët e rinj të jenë financiarisht të vetëqëndrueshëm.
Diskutimet janë përqendruar te aplikantët për viza emigrimi, të cilët fitojnë të drejtën e qëndrimit të përhershëm në Shtetet e Bashkuara pas mbërritjes në vend. Burimet thonë se shuma e garancisë mund të jetë rreth 100 mijë dollarë, por ajo mund të ndryshojë në varësi të rastit.
Sipas planit në shqyrtim, aplikantët do ta depozitonin shumën si garanci dhe do ta merrnin atë mbrapsht vetëm pasi të fitonin shtetësinë amerikane, një proces që zakonisht zgjat të paktën pesë vjet. Garancia do të shërbente si kolateral në rast se emigranti nuk do të ishte në gjendje të mbështeste financiarisht veten. Në disa raste, garancia mund të depozitohet edhe nga familjarët e aplikantit.
“Presidenti Trump e ka bërë të qartë se ata që dëshirojnë të emigrojnë në Shtetet e Bashkuara duhet të jenë financiarisht të vetëqëndrueshëm”, deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott.
Ai shtoi se departamenti po shqyrton mundësinë e përdorimit të kompetencave ekzistuese ligjore për t’u kërkuar disa aplikantëve për viza të depozitojnë një garanci financiare “si mënyrë për të dëshmuar se kanë akses në fondet e nevojshme për të mbështetur veten”.
Sipas Wall Street Journal, autoritetet amerikane po shqyrtojnë fillimisht zbatimin e projektit në një numër të kufizuar vendesh, për ta testuar para një zgjerimi të mundshëm.
Propozimi pritet të hasë kundërshtime nga organizatat që mbrojnë të drejtat e emigrantëve. Sharvari Dalal-Dheini, drejtuese për marrëdhëniet me qeverinë në Shoqatën Amerikane të Avokatëve të Emigracionit, tha se masa rrezikon ta kthejë sistemin amerikan të emigracionit në një model ku “vetëm të pasurit mund të emigrojnë, të bashkohen me familjen ose të kërkojnë një jetë më të mirë”.

