Kongresi shpreh shqetësim për rezervat ushtarake, ndërsa Shtëpia e Bardhë pritet të kërkojë financim shtesë për konfliktin
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump përdori municione me vlerë rreth 5.6 miliardë dollarë gjatë dy ditëve të para të luftës kundër Iranit, sipas një raporti të paraqitur në komisionet e Kongresit amerikan, bëri të ditur një burim i informuar mbi çështjen.
Ligjvënësit amerikanë, të cilët mund të thirren së shpejti për të miratuar fonde shtesë për operacionet ushtarake, kanë shprehur shqetësime se konflikti mund të shterojë rezervat ushtarake të Shteteve të Bashkuara, në një kohë kur industria e mbrojtjes po përballet tashmë me vështirësi për të përmbushur kërkesën.
Presidenti Donald Trump u takua të premten me drejtues të shtatë kompanive të industrisë së mbrojtjes, ndërsa Pentagoni përpiqet të rrisë prodhimin dhe të plotësojë rezervat e armatimit.
Deri tani, administrata amerikane nuk ka publikuar një vlerësim zyrtar për koston totale të luftës, e cila nisi më 28 shkurt në koordinim me Izraelin.
Anëtarë të Kongresit kanë kërkuar më shumë informacione dhe dëshmi nga zyrtarët e administratës për të kuptuar se si konflikti mund të ndikojë në gatishmërinë ushtarake të SHBA-së.
Ndërkohë, disa këshilltarë të senatorëve dhe deputetëve presin që Shtëpia e Bardhë të paraqesë së shpejti një kërkesë për financim shtesë për luftën në Iran. Sipas burimeve në Kongres, administrata mund të kërkojë rreth 50 miliardë dollarë, megjithëse disa ligjvënës besojnë se kjo shumë mund të rezultojë më e ulët se kostoja reale e operacioneve.

