Një marrëveshje e shkurtër, e paqartë dhe me boshllëqe të shumta ligjore u interpretua ndryshe nga SHBA-ja dhe Irani, duke çuar në prishjen e armëpushimit në Ngushticën e Hormuzit dhe duke vënë në pikëpyetje çdo përpjekje të ardhshme për një zgjidhje të qëndrueshme.
Shtëpia e Bardhë e minoi marrëveshjen për armëpushimin në Ngushticën e Hormuzit sepse nuk e kuptoi, ose nuk i kushtoi rëndësi, detyrimeve që kishte marrë përsipër. Në vend që të ulte tensionet, marrëveshja u shndërrua shpejt në burim përplasjesh, pasi SHBA-ja dhe Irani e interpretuan tekstin në mënyra krejtësisht të ndryshme dhe vepruan mbi baza të papajtueshme.
Në marrëveshjet e paqes dhe të armëpushimit, çdo fjalë ka rëndësi. Edhe ndryshimet më të vogla në formulim mund të ndryshojnë kuptimin juridik të një dispozite dhe të krijojnë mosmarrëveshje me pasoja serioze. Për këtë arsye, dokumente të tilla zakonisht hartohen për muaj të tërë nga ekipe negociatorësh, juristësh dhe ekspertësh që peshojnë çdo fjali. Marrëveshja mes SHBA-së dhe Iranit ishte krejt e kundërta: një dokument me pak më shumë se dy faqe, me formulime të paqarta, dispozita të përgjithshme dhe pa mekanizma të qartë për monitorimin, zbatimin apo zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Një nga pikat më të debatueshme ishte neni që i kërkonte Iranit të siguronte kalimin e sigurt të anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit. Teksti nuk përcaktonte se çfarë masash mund të merrte Teherani për këtë qëllim, si do të zbatoheshin ato dhe nëse duhej të miratoheshin nga pala amerikane. Kjo boshllëk i dha Iranit hapësirë të pretendonte se kishte të drejtë të administronte praktikisht trafikun detar në ngushticë.
Mbi këtë bazë, Teherani vendosi një regjim të ri kalimi, duke kërkuar që të gjitha anijet tregtare të pajiseshin me leje të posaçme dhe të përdornin vetëm korridoret detare të miratuara nga autoritetet iraniane, të cilat kalonin në ujërat territoriale të vendit. Edhe pse këto masa u kundërshtuan nga SHBA-ja dhe aleatët e saj, vetë marrëveshja nuk i ndalonte shprehimisht dhe nuk vendoste kufij të qartë mbi mënyrën se si Irani mund t’i zbatonte ato.
Po ashtu, teksti nuk ndalonte në mënyrë eksplicite përdorimin e forcës ndaj anijeve tregtare që nuk respektonin këto rregulla. Dispozitat e marrëveshjes ndalonin përdorimin e forcës mes SHBA-së dhe Iranit, por nuk trajtonin mënyrën se si Irani mund të zbatonte masat e tij ndaj palëve të treta. Për këtë arsye, Teherani argumentoi se veprimet e ndërmarra ndaj anijeve që lundronin jashtë korridoreve të miratuara nuk binin ndesh me tekstin e marrëveshjes.
Ndërkohë, edhe Uashingtoni ndërmori hapa që e dobësuan marrëveshjen. Qendrat amerikane të koordinimit detar vazhduan t’u rekomandonin anijeve tregtare të përdornin korridore alternative, jashtë atyre të miratuara nga Irani. Në të njëjtën kohë, administrata amerikane mbajti në fuqi sanksionet ndaj autoritetit iranian përgjegjës për administrimin e ngushticës dhe paralajmëroi kompanitë se bashkëpunimi me të mund të sillte pasoja financiare. Situata u përshkallëzua edhe më tej me goditjet amerikane ndaj objektivave iraniane, të cilat Teherani i konsideroi shkelje të drejtpërdrejtë të marrëveshjes.
Kjo krijoi dy interpretime diametralisht të kundërta. Irani ishte i bindur se po vepronte brenda kufijve të tekstit që kishte nënshkruar, ndërsa SHBA-ja refuzonte të pranonte çdo formë kontrolli administrativ iranian mbi Ngushticën e Hormuzit. Si rezultat, marrëveshja humbi efektin praktik pothuajse menjëherë dhe të dyja palët iu rikthyen përplasjes dhe sulmeve reciproke.
Vetë dokumenti paraqiste edhe mangësi të tjera të rëndësishme. Dispozita që lidhen me Libanin, sanksionet dhe çështje të tjera të sigurisë ishin të paqarta ose linin hapësirë për interpretime të ndryshme. Në disa raste, ato nuk harmonizoheshin as me rregullat ekzistuese të së drejtës ndërkombëtare, duke e bërë edhe më të vështirë zbatimin e tyre në praktikë.
Përtej krizës së menjëhershme, mënyra se si u hartua dhe u interpretua kjo marrëveshje pritet të ndikojë edhe në çdo negociatë të ardhshme për Ngushticën e Hormuzit. Mosbesimi i krijuar mes palëve dhe mungesa e një teksti të qartë e të zbatueshëm e bëjnë shumë më të vështirë arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme. Pa një marrëveshje me dispozita të sakta, mekanizma funksionalë dhe interpretim të përbashkët, çdo përpjekje e re diplomatike rrezikon të përfundojë në të njëjtën mënyrë. /Përshtatur nga “Foreign Policy”

