Unë nuk jam përfitues i asnjë lloj pensioni sportiv, pavarësisht se për vite me radhë kam përfaqësuar me dinjitet Maqedoninë e Veriut në arenën ndërkombëtare, duke fituar medalje në Kampionate Evropiane dhe Botërore në karate. Kështu Berat Jakupi nga Gostivari, Kampion Evropian në karate, e ka demantuar zëvendësministren e Sportit, Safije Sadiki Shaini, e cila duke relativizuar skandalin e sotëm me ndarjen e mirënjohjeve kombëtare për 22 sportistë maqedonas, e përmendi edhe emrin e Berat Jakupit si i dekoruar vitin e kaluar nga Qeveria dhe shteti.
“Kontributi im si sportist është neglizhuar sistematikisht nga institucionet shtetërore, gjë që përbën një padrejtësi të madhe jo vetëm për mua personalisht, por për të gjithë sportistët shqiptarë”, shkruan Jakupi, ndërsa i kërkon zëvendësministres Sadiki-Shaini të reflektojë dhe të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të rregulluar gabimin e sotëm me dekorimin e 22 sportistëve dhe dy klubeve – që të gjithë maqedonas.
Kjo e fundit, në një postim në rrjetet sociale, pas reagimeve të shumta të opinionit, ka renditur 11 emra të sportistëve shqiptarë, të cilët sipas Sadiki-Shainit janë dekoruar, megjithëse më shumë se gjysma e kanë përgënjeshtruar.
Demanti i plotë i karateistit Berat Jakupi:
E nderuar Zv. Ministre Safije Sadiki Shaini,
Dëshiroj t’ju informoj në lidhje me listën që keni shpërndarë, ku emri im është përmendur nga ju si përfitues i pensionit sportiv. Dua të sqaroj me përgjegjësi të plotë se kjo nuk është e vërtetë. Unë nuk jam përfitues i asnjë lloj pensioni sportiv, pavarësisht se për vite me radhë kam përfaqësuar me dinjitet Maqedoninë e Veriut në arenën ndërkombëtare, duke fituar medalje në Kampionate Evropiane dhe Botërore në karate.
Për fat të keq, kontributi im si sportist është neglizhuar sistematikisht nga institucionet shtetërore, gjë që përbën një padrejtësi të madhe jo vetëm për mua personalisht, por për të gjithë sportistët shqiptarë.
Shpresoj që të reflektoni mbi këtë situatë dhe të ndërmerrni hapat e nevojshëm për të rregulluar gabimin, si dhe për të mbrojtur të drejtat e sportistëve shqiptarë që meritojnë trajtim të barabartë dhe dinjitoz.