Shkruar nga Gjergj Zefi
Katër dekada terror shtetëror, luftërash me ndërmjetës dhe represioni të brendshëm kanë prodhuar miliona viktima, ndërsa Perëndimi vazhdon të paguajë faturën e një regjimi që iranianët vetë u përpoqën ta rrëzonin...
Kur miliona iranianë dolën në rrugët e Teheranit, Shirazit, Mashhadit dhe Isfahanit pas vrasjes së Mahsa Aminit në vitin 2022, Perëndimi pa për disa javë një skenë që nuk e kishte parë prej dekadash.
Një brez i tërë iranianësh nuk kërkonte reforma. Nuk kërkonte lëshime. Nuk kërkonte më shumë bukë apo më pak inflacion. Kërkonte fundin e Republikës Islamike. Kërkonte fundin e regjimit të ajatollahëve.
Sot, katër vjet më vonë, bota gjendet sërish përballë të njëjtit problem. Vetëm se tani faturën nuk po e paguajnë vetëm iranianët. Po e paguan i gjithë njerëzimi.
Që prej vitit 1979, kur revolucioni islamik rrëzoi Shahun dhe solli në pushtet Ruhollah Khomeinin, regjimi iranian është shndërruar në një nga burimet më të mëdha të paqëndrueshmërisë në Lindjen e Mesme.
Lufta Iran-Irak mori mbi një milion jetë njerëzish. Dekada të tëra financimi për milicitë rajonale, konflikteve me Izraelin, krizave në Liban, Siri, Irak dhe Jemen, kanë konsumuar qindra miliarda dollarë dhe kanë prodhuar miliona refugjatë. Në çdo krizë të madhe rajonale të katër dekadave të fundit, hija e Teheranit ka qenë e pranishme.
Por çmimi më i rëndë nuk matet me para. Matet me liri të humbura.
Regjimi që premtoi drejtësi sociale prodhoi një sistem ku gratë arrestohen për mënyrën si vishen, ku gazetarët burgosen, ku interneti ndërpritet sa herë qytetarët protestojnë dhe ku kundërshtarët politikë trajtohen si armiq të shtetit. Protestat e nisura pas vdekjes së Mahsa Aminit u shtypën me forcë. Organizatat e të drejtave të njeriut raportuan qindra të vrarë dhe mijëra të arrestuar.
Sipas Iran Human Rights, të paktën 551 protestues, mes tyre dhjetëra fëmijë dhe gra, humbën jetën gjatë represionit shtetëror.
Megjithatë, Perëndimi nuk e pa atë revoltë si një mundësi historike. E pa si një problem të vështirë diplomatik. Administratat perëndimore folën për të drejtat e njeriut, vendosën disa sanksione dhe vazhduan të kërkonin marrëveshje me regjimin.
Sot, pas muajsh lufte dhe dhjetëra miliardë dollarësh shpenzime amerikane, Uashingtoni po përpiqet të dalë nga konflikti përmes një memorandumi me Teheranin. Vetë kjo marrëveshje ka shkaktuar një rebelim të pazakonshëm brenda republikanëve. Senatorë republikanë si Bill Cassidy e kanë quajtur atë “gabimin më të madh të politikës së jashtme në dekada”. Të tjerë e krahasojnë me marrëveshjen bërthamore të Barack Obamës, të cilën republikanët e denoncuan për vite me radhë. Disa konservatorë amerikanë flasin hapur për një “dorëzim” ndaj Iranit.
Ironia është e hidhur.
Donald Trump erdhi në pushtet duke premtuar se do të shkatërronte trashëgiminë iraniane të Obamës. Sot, një pjesë e republikanëve e akuzon se po ndërton një version të ri të saj. Vetë aleatët e tij po kërkojnë tekstin e plotë të marrëveshjes, sepse nuk besojnë se regjimi iranian do të heqë dorë nga ambiciet e tij vetëm përmes premtimeve diplomatike.
Ndërkohë, pyetja thelbësore mbetet pa përgjigje.
Sa miliarda dollarë janë shpenzuar në katër dekada për të menaxhuar pasojat e regjimit iranian?
Sa luftëra janë zhvilluar?
Sa embargo janë vendosur?
Sa flotë ushtarake është dërguar në Gjirin Persik?
Sa refugjatë kanë braktisur shtëpitë e tyre?
Sa mundësi historike janë humbur?
Dhe mbi të gjitha:
A do të kishte qenë më e mençur që Perëndimi të investonte kapitalin e tij politik, diplomatik dhe financiar për të mbështetur lëvizjen “Grua, Jetë, Liri” dhe revoltën qytetare që tronditi Iranin në vitin 2022, sesa të hynte sot në një aventurë ushtarake që ka kushtuar dhjetëra miliarda dollarë dhe që po përfundon në një marrëveshje të kontestuar edhe nga vetë republikanët amerikanë?
Historia rrallëherë ofron zgjidhje perfekte. Por shpesh ofron mundësi që nuk kthehen më. Revolta e iranianëve ishte një prej tyre. Në vend që të mbështeste popullin që kërkonte liri, Perëndimi zgjodhi të negociojë edhe një herë me regjimin.
Sot, pas mijëra viktimave, pas një rajoni të destabilizuar dhe pas miliardave të shpenzuara, bota po kthehet sërish në pikën ku duhej të kishte nisur: tek pyetja nëse problemi ishte programi bërthamor i Iranit, apo vetë regjimi që e ndërtoi atë.

