Lajme

Rrjeti i ri i drogës në Evropë, nga laboratorët ilegalë te ilaçet e falsifikuara

Në vitin 2025, autoritetet evropiane të zbatimit të ligjit zbuluan mesatarisht një substancë të re kimike çdo javë në përpjekjet për të frenuar tregtinë e paligjshme të drogës…

Forma të reja të opioideve sintetike të paligjshme po përmbytin tregun evropian të ilaçeve të falsifikuara, duke kontribuar në numrin rekord të vdekjeve të lidhura me drogën në kontinent gjatë vitit të kaluar.

Agjencia e Bashkimit Evropian për Drogat (EUDA) paralajmëroi të martën për disponueshmërinë në rritje të këtyre substancave, si nitazenet dhe orfinat, veçanërisht në vendet baltike. Këto substanca janë jashtëzakonisht të rrezikshme dhe shpesh kanë fuqi të krahasueshme me fentanilin, ilaçin kundër dhimbjeve që përdoret te pacientët me kancer dhe që është më shumë se 50 herë më i fuqishëm se opiumi.

Në vitin 2024, autoritetet evropiane sekuestruan më shumë se 50 mijë tableta ilaçesh të falsifikuara që përmbanin nitazene në 10 vende. Kjo shifër krahasohet me 23 mijë tableta në vitin 2023 dhe vetëm 380 tableta në vitin 2022. Në total, u sekuestruan mbi 34 kilogramë opioide sintetike.

“Këto substanca mund të shfaqen shpejt, të përhapen me ritme të larta dhe të shkaktojnë dëme serioze përpara se sistemet të kenë kohë të reagojnë,” tha Lorraine Nolan, drejtoreshë ekzekutive e EUDA-s, gjatë prezantimit të raportit, duke shtuar “disa prej tyre janë aq të fuqishme sa vetëm pak gramë mund të përfaqësojnë mijëra doza potencialisht vdekjeprurëse”.

Në Raportin Vjetor Evropian për Drogën, agjencia paralajmëron për disponueshmërinë në rritje të drogave të reja të paligjshme. Gjatë vitit 2025, agjencia regjistroi një numër rekord substancash të reja psikoaktive, me ritmin e zbulimit të rreth një substance të re në javë, duke e çuar në 1.050 numrin total të substancave që monitoron.

Agjencia paralajmëron gjithashtu se përdoruesit e drogës në Evropë po përballen me “rreziqe të reja shëndetësore”. Vdekjet nga mbidozat arritën nivel rekord: të paktën 7.600 persona humbën jetën në BE gjatë vitit 2024, kryesisht për shkak të kombinimit të opioideve me substanca të tjera. Në vitin 2023 u regjistruan 7.500 vdekje, ndërsa në vitin 2022 numri ishte 7.100.

“Tregjet e drogës po ndryshojnë me shpejtësi dhe larmia e substancave që qarkullojnë në rrugët e Evropës po bëhet gjithnjë e më e paparashikueshme,” tha Nolan, duke shtuar “kjo rrit rrezikun, pasi njerëzit mund të konsumojnë droga me fuqi të lartë pa e ditur.”

Ndërkohë, tregu i paligjshëm i drogës po bëhet më kompleks, pasi grupet kriminale po gjejnë mënyra të reja për t’iu shmangur zbulimit.

Raporti publikohet në një kohë kur liderët evropianë po përgatiten të diskutojnë krimin e organizuar dhe trafikimin e drogës në mbledhjen e javës së ardhshme të Këshillit Evropian. Disa qytete portuale po përballen me dhunë të lidhur me bandat kriminale që merren me trafikimin e drogës dhe të qenieve njerëzore.

Opioidet sintetike dhe kanabisi

Megjithëse heroina mbetet opioidi i paligjshëm më i përdorur në Evropë, përdoruesit e saj po plaken dhe gjithnjë e më shumë persona po kalojnë te opioidet e tjera sintetike, të cilat janë më të rrezikshme.

Nolan tha se kjo është veçanërisht shqetësuese, pasi Evropa ka “një dritare gjithnjë e më të ngushtë mundësie” për të zbuluar, ndaluar dhe çmontuar zinxhirët e furnizimit të këtyre drogave përpara se ato të vendosen fuqishëm në treg.

“Kemi parë në pjesë të tjera të botës se sa shpejt opioidet sintetike mund të transformojnë tregjet e drogës dhe të çojnë në rritjen e vdekjeve nga mbidozat”, shtoi ajo.

Ndërkohë, kanabisi mbetet substanca e paligjshme më e përdorur në Evropë. Rreth 25 milionë të rritur evropianë e kanë përdorur atë gjatë vitit të fundit.

Megjithatë, produktet e reja dhe më të fuqishme të kanabisit, shpesh sintetike ose gjysmë-sintetike, po rrisin rreziqet shëndetësore për publikun dhe po shtojnë shqetësimet për përdorimin e tyre nga të rinjtë, veçanërisht pasi ato shiten në formën e cigareve elektronike dhe produkteve ushqimore.

Aktualisht, kanabisi përbën rreth një të tretën e rasteve të personave që hyjnë në programe trajtimi për varësinë nga droga në Evropë.

Edhe rrugët e transportit dhe metodat e trafikimit të kanabisit po ndryshojnë, me rritjen e importeve nga Amerika e Veriut. Në vitin 2025, për shembull, autoritetet sekuestruan rreth 21 tonë kanabis bimor në secilin prej porteve të Roterdamit dhe Antverpit, kryesisht me origjinë nga Kanadaja.

Droga të tjera sintetike dhe ketamina

Nuk janë vetëm opioidet ato që prodhohen në mënyrë të paligjshme. Autoritetet çmontuan laboratorë që prodhonin amfetaminë, metamfetaminë, katinone sintetike (të njohura edhe si “kripëra banje”) dhe MDMA, substanca aktive e ekstazisë.

EUDA kishte paralajmëruar vitin e kaluar për rritjen e prodhimit të “kripërave të banjës” në Evropë dhe raporti më i fundit konfirmon se ato tashmë janë vendosur në disa pjesë të kontinentit si alternativa të lira ndaj stimuluesve të paligjshëm si amfetamina dhe kokaina.

Autoritetet sekuestruan sasi më të mëdha të të gjitha këtyre substancave gjatë vitit 2024 krahasuar me vitet e mëparshme. Për “kripërat e banjës”, sekuestrimet dhe importet e raportuara arritën në 48,5 tonë në vitin 2024, ose 11,5 tonë më shumë se një vit më parë.

Raporti paralajmëron gjithashtu për përdorimin në rritje të ketaminës, një anestetik që përdoret për qetësim dhe lehtësimin e dhimbjeve. Ky fenomen është veçanërisht i përhapur te të rinjtë në ambientet e jetës së natës.

“Në disa mjedise, veçanërisht ato rekreative, ketamina nuk shihet më si një substancë margjinale, por si një drogë e konsoliduar,” tha Nolan, ndërsa shtoi se “ajo që më shqetëson më shumë është rreziku i normalizimit të saj.”

Pjesa më e madhe e ketaminës së sekuestruar në tregun e paligjshëm evropian vjen nga prodhimi farmaceutik i ligjshëm, veçanërisht nga India.

Bie sasia e kokainës së sekuestruar, por rritet përdorimi i “crack”-ut

Autoritetet sekuestruan 330 tonë kokainë në vitin 2024, nga 419 tonë në vitin 2023. Megjithatë, numri i përgjithshëm i sekuestrimeve u rrit, çka mund të tregojë se trafikantët po përdorin ngarkesa më të vogla për të shmangur zbulimin.

Holanda mbetet qendra kryesore e laboratorëve për përpunimin e kokainës, por pesë vende të tjera të BE-së çmontuan objekte të tilla gjatë vitit 2024.

Pavarësisht rënies së sasisë së sekuestruar, konsumi i kokainës mbetet i lartë. Ajo është droga e dytë më e përdorur në Evropë pas kanabisit. Rreth 4,3 milionë të rritur evropianë e kanë përdorur gjatë vitit të fundit, ndërsa analizat e ujërave të zeza në qytete të ndryshme tregojnë rritje të mbetjeve të kokainës.

Në veçanti, kokaina “crack” përbën një “problem të dukshëm dhe potencialisht në rritje në disa qytete evropiane, veçanërisht mes grupeve të margjinalizuara”, thuhet në raportin e EUDA-s, i cili mbulon 29 vende: 27 shtetet anëtare të BE-së, si dhe Turqinë dhe Norvegjinë.

Kokaina “crack” prodhohet duke përzier pluhurin e kokainës me sodë buke ose amoniak. Procesi e shndërron substancën në copa të ngurta që mund të tymosen me pipë. Përveçse është më e lehtë për t’u konsumuar, “crack”-u është edhe më i lirë se kokaina tradicionale, gjë që ka kontribuar në rritjen e popullaritetit të tij vitet e fundit, përfshirë edhe në Bruksel.

Peizazhi kriminal në ndryshim

Autoritetet evropiane po përpiqen të frenojnë problemin në rritje të drogës në kontinent, por grupet kriminale po përshtaten shpejt.

Ato po diversifikojnë rrugët e transportit dhe po gjejnë mënyra të reja për t’iu shmangur zbulimit, duke përdorur porte më të vogla, transferime në det me mjete të shpejta lundruese (“go-fast”) dhe anije të tjera. Gjithashtu përdorin mjete gjysmë-nëndetëse, dronë dhe teknika të sofistikuara fshehjeje.

“Trafikimi i drogës nuk është më një fushë e izoluar e kriminalitetit,” deklaroi të martën Komisioneri Evropian për Çështjet e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner. “Ai financon pastrimin e parave, korrupsionin, trafikimin e qenieve njerëzore, dhunën dhe të gjitha format e tjera të krimit të rëndë të organizuar. Pikërisht këto rrjete kriminale tepër profesionale qëndrojnë pas këtij tregu.”

Sipas tij, kriminelët përdorin teknologjitë më të avancuara, komunikime të koduara, rrjete logjistike ndërkombëtare dhe disponojnë burime të jashtëzakonshme financiare.

Për këtë arsye, Komisioni Evropian duhet të ndjekë një “qasje gjithëpërfshirëse” për t’iu përgjigjur këtij realiteti në ndryshim.

“Strategjia e re e BE-së për drogën, plani i veprimit kundër trafikimit të drogës, së bashku me rregullat e reja të propozuara për monitorimin dhe kontrollin e prekursorëve të drogës, janë pjesë e kësaj përgjigjeje gjithëpërfshirëse të Bashkimit Evropian,” tha Brunner. /Përshtatur nga Politico/

3sgIgLJ.png