Lajme

“Route 66”, rruga që u kthye në simbolin e kulturës amerikane

Një shekull histori, muzikë dhe udhëtime përgjatë rrugës legjendare që vazhdon të simbolizojë lirinë dhe aventurën

“Pas meje asgjë, përpara meje gjithçka!”. Kjo fjali nga romani i famshëm “On the Road” i Jack Kerouac përmbledh më së miri mitin e Route 66, rrugës më të famshme amerikane, e njohur ndryshe si “Mother Road”.

Për miliona udhëtarë që e kanë përshkuar gjatë një shekulli, ajo ka simbolizuar lirinë, rilindjen dhe aventurën. Route 66 u krijua në vitet 1920, kur qeveria amerikane vendosi të numëronte autostradat kryesore për ta bërë më të lehtë orientimin e shoferëve.

Kështu lindi U.S. Highway 66, që lidhte Çikagon me Los Anxhelosin. Dy biznesmenë nga Oklahoma dhe Missouri nisën ta promovonin rrugën me harta, tabela dhe fushata reklamuese, duke e kthyer pa dashje në një simbol kombëtar të udhëtimeve me makinë.

Popullariteti i saj u rrit gjatë viteve të “Dust Bowl” në vitet 1930, kur mijëra fermerë të varfëruar udhëtuan drejt Kalifornisë në kërkim të një jete më të mirë. Më pas rruga u përjetësua në romanin “The Grapes of Wrath” të John Steinbeck dhe në këngën e famshme “(Get Your Kicks on) Route 66”.

Edhe sot, Route 66 mbetet simbol i kulturës amerikane dhe i udhëtimeve të gjata rrugore.

Përgjatë saj ndodhen qindra motele, restorante klasike, tabela neoni dhe qytete që jetojnë ende me nostalgjinë e epokës së artë të automobilizmit.

Një nga ndalesat më të njohura është St. Louis në Missouri, ku rruga kalon lumin Mississippi përmes urës historike Old Chain of Rocks Bridge. Në qytet ndodhet edhe Ted Drewes Frozen Custard, një kioskë ikonike akulloresh që funksionon që nga viti 1941.

Në Springfield të Missouri-t, që konsiderohet vendlindja simbolike e Route 66, muzeu “History Museum on the Square” po organizon aktivitete për 100-vjetorin e rrugës, ndërsa vizitorët mund të shohin hotele dhe motele historike që kanë pritur udhëtarët e parë.

Një tjetër ndalesë e famshme është Tulsa në Oklahoma, shpesh e quajtur “kryeqyteti” i Route 66. Qyteti ka ruajtur tabelat klasike me neon, dyqanet e suvenireve dhe atmosferën e viteve 1950. Këtë vit po organizohen parada me makina klasike dhe festivale muzikore për të festuar një shekull histori.

Në Albuquerque të New Mexico-s, Route 66 kalon përgjatë Central Avenue, ku ndërtesat “Pueblo Deco”, motelet vintage dhe restorantet retro kujtojnë periudhën e artë të udhëtimeve amerikane.

Më në perëndim, Winslow në Arizona është bërë i famshëm falë këngës së Eagles “Take It Easy”. Turistët ndalen çdo ditë në këndin legjendar të përmendur në tekstin e këngës, ku sot ndodhen statuja, dyqane dhe hotele historike.

Ndalesa e fundit ikonike është Amboy në shkretëtirën Mojave të Kalifornisë. Roy’s Motel & Café, me tabelën e tij të madhe me neon, është kthyer në simbol të nostalgjisë së Route 66 dhe të një epoke që duket sikur nuk ka përfunduar kurrë.

Pas afro katër mijë kilometrash, rruga përfundon në Santa Monica Pier pranë oqeanit Paqësor. Për shumë njerëz, mbërritja aty nuk është thjesht fundi i një udhëtimi, por realizimi i një ëndrre.

3sgIgLJ.png