Krejt rasti i Behajdin Allaqit: Si u dënuan Hashim Thaçi e Kadri Veseli për një rast të ndërtuar vetëm nga shkrimet në Facebook, artikujt në “Bota Sot” dhe deklaratat e Albin Kurtit e Liburn Aliut në Kuvend. Plani për t’i përlyer krerët e UÇK-së para se t’i dënonin pa prova.
Në krejt aktgjykimin dënues për Hashim Thaçin dhe të tjerët, paneli i gjyqtarëve përmendi vetëm një rast konkret, me emër dhe mbiemër, rastin e Behajdin Allaqit.
“…në arrestimin, ndalimin, transferimin dhe vrasjen e paligjshme të Behajdin Allaqit”…, thotë Charls Smith.
Sipas Trupit Gjykues, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli e kishin marrë Behajdin Allaqin në pranga.
“Ata e morën Behajdin Allaqin në pranga. Behajdin Allaqi nuk u pa më kurrë dhe Trupi Gjykues është bindur se ai u vra”, vazhdon ai.
Paneli i gjyqtarëve e dha këtë konstatim.
Problemi është se nuk u dhanë provat që e mbështesin konstatimin dhe bindjen e gjyqtarëve.
Kur një gjyqtar konstaton diçka, fraza pasuese duhet të jetë shpallja e faktit mbi të cilën mbështetet ajo që u tha.
Në rrethana normale: gjyqtari duhet të thotë “këtë e dimë sepse kemi këtë dëshmitar që e konstaton dhe konfirmon, ose kemi këtë dokument, ose kemi këtë provë”.
Për shembull, paneli konstatoi se “z. Thaçi dhe Kadri Veseli… e morën Behajdin Allaqin në pranga”. Ky është konstatim i gjykatës, po Gjykatësi nuk na tregon se në cilën provë bazohet konstatimi.
Atëherë, si u bind gjykata se Thaçi e Veseli janë fajtorë për zhdukjen dhe vrasjen e Allaqit?
Nuk u bind asnjëherë.
Pos që mori një garniturë thashethemesh nga kundërshtarët politikë dhe ndërtoi një skenar trileri.
Në aktvendimin që është publikuar, gjyqtari Charls Smith e fillon rastin për Behajdin Allaqin duke thënë:
“Në lidhje me Behajdin Allaqin, Trupi Gjykues konstatoi se në vitin 1993, Behajdin Allaqi kishte pasur një mosmarrëveshje serioze me Hashim Thaçin dhe Azem Sylën”, thotë Smith.
A e dini ku i kemi dëgjuar këto më parë.
Nga shkrime në Facebook si ky i këtij personit me emrin Ibrahim Kelmendi.
Ai, pos tjerash shkruante:
“në prill 1993 dhe në Mbledhjet e Katërt të përgjithshme të LPK-së, mbajtur në Prishtinë më 26-27 korrik 1993. Pikërisht në Konsultën e Kollarës ka ndodhur konflikti i parë mes Hashim Thaçit dhe Behajdin Allaqit”, thotë statusi i tij.
Ja çfarë thotë gjyqtari:
“Në lidhje me Behajdin Allaqin, Trupi Gjykues konstatoi se në vitin 1993, Behajdin Allaqi kishte pasur një mosmarrëveshje serioze me Hashim Thaçin dhe Azem Sylën”.
E vërteta për situatën është krejt tjetër.
Këtë e dëshmon edhe një shok i vetë Behadin Allaqit, Ali Ahmeti.
“Në Kollare nuk ka pasur asnjë përplasje mes Hashim Thaçit dhe Behajdin Allaqit”, thotë Ali Ahmeti.
Pra përplasja mes Thaçit e Allaqit në vitin 1993 s’kishte ndodhur kurrë. Dhe ishte veç riprodhim i shumë viteve më vonë për nevoja të kohës nga kundërshtarë politikë.
Pjesa tjetër e fjalive të gjyqtarit është po ashtu cicërim mekanik i shkrimeve të Botës Sot.
Për shembull këtu e keni një tekst me titull:
“Behajdin Allaqin e Shaban Shalën i vranë, pastaj i zhdukën Thaçi me Kadri Veselin”.
Ja çfarë thotë gjyqtari:
“Thaçi dhe Kadri Veseli. Ata e morën Behajdin Allaqin në pranga. Behajdin Allaqi nuk u pa më kurrë dhe Trupi Gjykues është bindur se ai u vra”.
Edhe në pjesë të tjera njëjtë.
Gjyqtari flet siç flisnin dikur kundërshtarët politik, sikur kjo video e Liburn Aliut në Kuvendin e Kosovës.
“Më e ndjeshmja e tërë luftës sonë është çështja e Behajdin Allaqit. E dini të gjithë për çka po flas, konkretisht dhe më së miri e din Hashim Thaçi”, kishte deklaruar Aliu në 2013-tën.
Në deklarime si këto, shohim kalimin e rrëfimit imagjinar nga gazeta konspiracioniste në institucionalizim kur përmendet edhe në Kuvend të Kosovës nga një politikan.
Çështja është se prapë, këtu nuk jepet asgjë konkrete.
“E di ai”, e “di ky” është frazim që nuk tregon gjë, por ngrit dyshimin e kërkuar.
Dhe më pas vazhdohet.
“Zëvendëskryeministri është personi i fundit që ka qenë me Behajdin Allaqin, por nuk tregon se çfarë ka ndodhur me të”, kishte deklaruar Albin Kurti në 2016-tën.
Tani disa pyetje të cilave do të duhej t’iu jepin përgjigje Albin Kurti dhe Liburn Aliu.
Prej kujt dhe nga e kanë informacionin se Behajdin Allaqi për herë të fundit u pa me Hashim Thaçin?
Kush ua ka treguar këtyre që këta po ia përcjellin qytetarëve?
Si është e mundur që bëhen akuza për vrasje në parlament pa kurrfarë nevoje të prezantimit të fakteve dhe dëshmive?
Por, kjo nuk është pjesa më e çuditshme e deklarimit të Albin Kurtit në Kuvend.
Ai thotë diçka tjetër, të cilën fjalë për fjalë e përsëriti edhe gjykata kur i dënoi krerët e UÇK-së.
Albin Kurti në fjalimin e tij thotë:
“Behajdin Allaqi si kokë intelektuale, politike e kombëtare ishte menjëherë pas Ukshin Hotit dhe dihet që drejtimin e luftës e mbajnë kokat e tilla. Thaçi ngritjen e tij në karrierë e ka pikërisht falënderuar devijimeve dhe koncesioneve”, kishte vazhduar Kurti.
Pra, Albin Kurti i kërkon llogari Hashim Thaçit për Allaqin, sepse sipas Kurtit Thaçi jo veç që u pa i fundit me të, por edhe përfitoi politikisht nga vrasja e Allaqit.
Po gjyqtari çfarë tha?
“Kjo rezultoi në marrjen prej z. Thaçi të rolit që i ishte premtuar Behajdin Allaqit”, tha Smith.
E përbashkëta e Albin Kurtit dhe Charls Smith-it këtu nuk është vetëm të konstatimi identik ku e bëjnë fajtor Thaçin për një vrasje me qëllim të përfitimit politik, por edhe te fakti se as Kurti e as Smith nuk japin dëshmi.
Nuk tregojnë nga vërtetohet informacioni dhe nuk çajnë kokën për të dhënë provat.
Një tjetër pikëtakim interesant mes Albin Kurtit dhe Prokurorisë Speciale bëhet edhe në vitin 2023.
Në vitin 2023 Albin Kurti, befasishëm, përkujton në faqen e tij në Facebook një person që kurrë ma parë nuk e kishte përkujtuar.
Asnjëherë tjetër, veç në vitin 2023.
Kurti përkujton Behajdin Allaqin.
“Behajdin Allaqin e zhdukën”, shkruan Albin Kurti, i sigurt, mbase edhe i informuar se rasti i tij gjendet në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale.
Ideja këtu ishte që rasti i Allaqit të bëhej më i njohur për njerëzit, të flitej më shumë, në mënyrë që kur Specialja t’i akuzojë krerët e UÇK-së në Hagë për të, qytetarët në Kosovë ta dinë më mirë se për çka po bëhet fjalë.
Sepse, Prokuroria, nga të gjitha rastet e përmendura në aktgjykim, i vetmi rast që i referohet me emër ishte ky i Behajdin Allaqit.
PSE?
Për t’ua rrënuar figurën Thaçit dhe Veselit pra.
Për të mbjellë kundër tyre irritimin e nevojshëm, që kur të vinin dënimet drakonike, ato të priteshin jo me revoltë, por me heshtje.
Se ky ishte një plan, u bë e qartë edhe nga reagimi i mbrojtjes.
Avokati i Hashim Thaçit Luka Misetic tregoi se gjatë procesit në Hagë, gjykata i kishte urdhëruar që për rastin e Allaqit të mos guxonin të flisnin publikisht.
Të mos përmendje fare gjatë procesit.
Derisa vetë në aktvendim e përmendi.
Prandaj, Hashim Thaçi ka kërkuar përmes avokatit të tij, që të bëhen publike të gjitha gjetjet dhe provat mbi të cilat prokuroria ka vendosur.
Prova ka, por për të kundërtën, madje qysh moti.
Vetë gruaja e Behadin Allaqit, Nazmije Allaqi, kishte dëshmuar qysh në vitin 2000 me 21 nëntor se “burri i saj ishte zhdukur dhe se ishte marrë nga forcat serbe në fshatin Drenoc”.
Behadin Allaqi mbetet i zhdukur, por për rastin e tij tash janë dy pyetje që s’mund të zhduken më.
Si u bë që një gjykatë në zemër të drejtësisë evropiane të dënon për vrasje pa prova dhe si ndodhi që Albin Kurti, njeriu që dikur e akuzonte themelimin e gjykatës për shkak të kompromisit politik, u bë njeriu që ia dha rrëfimin dënimit politik të gjykatës?

