Lajme

Putini po luan “bixhoz” me Trumpin, ç’duhet të bëjë urgjentisht Evropa

Shkruar nga Giulio Ucciero

Ish-ambasadori italian në Moskë dhe Emirate, Giorgio Starace, analizon dështimin e llogarive të Kremlinit dhe strategjinë e re të Uashingtonit që shikon drejt Kinës. Ndërsa lufta në Ukrainë varet nga teknologjia e Starlink dhe ofensiva e pritshme verore, Evropa duhet të gjejë balancën mes mbrojtjes së përbashkët dhe nevojës pragmatike për dialog me Rusinë…

“Donald Trump e ka të vështirë t’i zbatojë idetë e tij, por duhet kuptuar se prioriteti i tij nuk është Irani, por Kina”. Giorgio Starace, ish-ambasador i Italisë në Emiratet e Bashkuara Arabe, Japoni dhe Federatën Ruse, e përfundoi misionin e tij në Moskë në vitin 2024.

Putini po luan “bixhoz” me Trumpin, ç’duhet të

Ambasador Giorgio Starace /

Autor i librit “Paqja e vështirë: Ditari i një ambasadori në Moskë” (2025), ai analizon për HuffPost skenarin kompleks ndërkombëtar: Sipas tij, në Rusi po ndërgjegjësohen se lufta nuk ka një përfundim të qartë, ndërkohë që BE-ja duhet të fillojë të mendojë për dialogun.

Ambasador, Trump deklaron se “armiqësitë” në Iran kanë përfunduar. Cili është objektivi real i presidentit amerikan?

Shtetet e Bashkuara luajnë me tre karta. Së pari, primati botëror në prodhimin e naftës (objektiv i arritur si nga Trump, ashtu edhe nga Biden). Së dyti, përdorimi i energjisë si një levë për zgjerimin e fuqisë ushtarake, ku kontrolli i rrugëve detare si Hormuzi është jetik. Dhe së treti, dominimi teknologjik.

Pra, Irani nuk është shënjestra kryesore?

Prioriteti absolut i SHBA-së mbetet frenimi i Kinës. Goditja në Hormuz synon të destabilizojë ekonominë kineze, edhe pse Pekini është treguar i kujdesshëm duke krijuar rezerva gjashtëmujore dhe duke rritur importet nga Rusia.

Megjithatë, planet e Trumpit nuk duken se po realizohen plotësisht…

Ekziston një lloj koherence në vizionin e tij, por mungon zbatimi efektiv. SHBA-ja po përballet me një krizë të klasës drejtuese dhe mungesë koordinimi mes Shtëpisë së Bardhë, Pentagonit dhe Departamentit të Shtetit. Nuk ka më një figurë si Kissinger që t’i harmonizojë këto pole.

A po përfiton Kina nga kjo situatë?

Xi Jinping mund të ketë humbje afatshkurtra ekonomike, por politikisht Kina po shpërfaqet si një fuqi garante e stabilitetit. Pekini po shfrytëzon zhvendosjen e vëmendjes ushtarake amerikane drejt Gjirit për të forcuar ambiciet e veta në Tajvan.

Si po ndikon lufta në ekuilibrat e Gjirit Persik?

Lëvizjet e njëanshme të Trumpit, të mbështetura nga Izraeli, i kanë detyruar monarkitë arabe të kërkojnë alternativa. Arabia Saudite dhe Emiratet kanë forcuar lidhjet me Kinën. Emiratet po paguajnë koston më të lartë të konfliktit me Iranin, çka dëmton projektet e presidentit Mohamed bin Zayed. Ndërkohë, Kuvajti dhe Omani mbeten peng të pasigurisë në Hormuz.

Emiratet u larguan nga OPEC. Ishte një vendim sovran apo presion i SHBA-së?

Emiratet kanë fërkime me Arabinë Saudite. Janë lojtari që ushtron më shumë presion – përveç Izraelit – për të ulur potencialin e Iranit. Riadi është më i matur. Dalja nga OPEC u mundëson Emirateve më shumë liri manovrimi në treg. Por është e tepruar të thuhet se kjo erdhi vetëm nga presioni amerikan.

Si do t’i përshkruanit marrëdhëniet mes Izraelit dhe Emirateve?

Ata ndajnë një armik të përbashkët: Iranin. Megjithatë, ndryshe nga Netanyahu, i cili duket i dënuar me luftë të përhershme, Emiratet kanë shumë për të humbur nga një destabilizim afatgjatë. Lufta e ka ashpërsuar qëndrimin e sheikut të Abu Dhabit, por në fund të ditës prioriteti i tyre është stabiliteti rajonal.

Së fundmi, Trump foli me Putinin. Sa e rëndësishme është për Rusinë lufta në Iran?

Putini është një shahist i sprovuar. Irani është thjesht një gur në tavolinën e negociatave me Trumpin. Për sa kohë SHBA-ja mbetet e zënë në “kënetën” e Hormuzit, Rusia përfiton ekonomikisht. Megjithatë, Putini ka një problem: lufta në Ukrainë, që supozohej të zgjaste dy javë, po zgjat prej vitesh. Ajo e ringjalli NATO-n dhe zgjoi “shpirtin protestant” të Evropës.

Çfarë nënkuptoni me “shpirt protestant”?

Vendet nordike dhe baltike tani kanë zërin kryesor në Bruksel. Këto vende nuk duan lëshime dhe nuk lejojnë hapjen e dialogut me Rusinë. Për më tepër, lufta është bërë tejet teknologjike. Mbështetja e Starlink për Ukrainën është vendimtare.

Nëse Elon Musk do t’i dorëzohej presioneve të Shtëpisë së Bardhë për të kufizuar këtë shërbim, fati i frontit do të ndryshonte rrënjësisht. Ndëkohë pritet ofensiva verore e Kremlinit. Nëse dështon, do të ndikojë shumë në moralin e udhëheqjes ruse.

Cila është gjendja shpirtërore brenda Rusisë?

Në periferi, pagat e larta të ushtarëve kanë krijuar një lloj mbështetjeje ekonomike. Por në qytetet e mëdha si Moska – ku isha së fundmi – njerëzit e kanë kuptuar se kjo luftë nuk sjell një rezultat të qartë. Sigurisht, nuk duhet nënvlerësuar krenaria patriotike, por lodhja nga lufta po ndihet.

Si duhet të sillet Evropa në këtë realitet të ri?

Ne duhet të braktsim “iluzionin adoleshentesk” sipas të cilit mbrojtja jonë është detyrë e Amerikës. Na duhet një parandalim i fortë ushtarak evropian, por pa harruar racionalitetin. Deklaratat e Kaja Kallas se bashkëpunimi nuk do të kthehet kurrë si më parë janë qëndrime të kuptueshme për Baltikun. Por fuqi si Gjermania, Franca dhe Italia kanë prioritete të tjera. Ndërtimi i një “Perdeje të Re të Hekurt”, nuk është në interesin e askujt.

Pas 4 vitesh luftë, a e keni kuptuar strategjinë e Putinit?

Plani i tij buron nga një neo-revanshizëm rus. Ai kërkonte rikthimin në G8 me më shumë peshë. Por basti i kushtueshëm i luftës në Ukrainë po ia kufizon ndjeshëm ambiciet.

3sgIgLJ.png