Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se Rusia “pa asnjë dyshim” do ta fitojë luftën, ndërsa paralajmëroi se sulmet ndaj Ukrainës do të vazhdojnë dhe do të jenë “shumë më të fuqishme” se goditjet e kryera nga forcat ukrainase.
Duke folur në forumin “Gjithçka për Fitoren!”, Putin akuzoi atë që e quajti “pjesa rusofobe e Perëndimit kolektiv” se po lufton kundër Rusisë, por theksoi se Moska vazhdon të ecë përpara.
“Rusia, pa asnjë dyshim, do ta arrijë fitoren“, deklaroi presidenti rus, sipas agjencisë shtetërore TASS.
Putin pranoi gjithashtu se sulmet e forcave të armatosura ukrainase kanë shkaktuar vështirësi në furnizimin me produkte të naftës në Rusi, por u shpreh i bindur se situata do të përmirësohet.
“Në aspektin energjetik, baza jonë në Rusi është shumë e fortë dhe e besueshme. Po, për momentin ata na kanë krijuar disa probleme me produktet e naftës. Besoj se gradualisht situata do të normalizohet“, tha ai.
Presidenti rus paralajmëroi gjithashtu se Moska do të vazhdojë t’u përgjigjet sulmeve të Ukrainës me goditje edhe më të ashpra.
“Përgjigjet tona do të jenë gjithmonë sy për sy. Pavarësisht se ku ata përpiqen të godasin brenda Rusisë, kundërpërgjigjja jonë do të jetë shumë më e fuqishme. Armiku do ta ndiejë. Tashmë po e ndien dhe do ta ndiejë në një shkallë gjithnjë e më të gjerë“, deklaroi Putin.

