Tirana renditet ndër destinacionet më ekonomike europiane për vitin 2026, falë çmimeve të ulëta të akomodimit.
Kur flitet për pushime të lira në qytete, zakonisht vëmendja shkon te çmimet e fluturimeve. Por shpenzimet pas mbërritjes janë po aq të rëndësishme. Ushqimi, pijet, transporti, aktivitetet dhe akomodimi mund ta rrisin shpejt koston, edhe për një udhëtim të shkurtër.
Për këtë arsye, çdo vit Post Office Travel Money krahason kostot e pushimeve të shkurtra në qytetet europiane për udhëtarët nga Mbretëria e Bashkuar. Barometri i Kostove në Qytete (City Costs Barometer) tregon se ku në Europë turistët marrin më shumë vlerë për paratë që shpenzojnë.
Në edicionin e vitit 2026, janë krahasuar 12 shpenzime të zakonshme turistike për dy persona në 50 qytete europiane, duke e bërë këtë krahasimin më të madh deri tani.
Këtë vit, Sarajeva në Bosnje dhe Hercegovinë rezulton destinacioni më i lirë për një pushim të shkurtër në Europë. Europa Lindore dominon sërish listën e destinacioneve më ekonomike, me tetë nga dhjetë vendet e para.
10 qytetet më të lira europiane për pushime të shkurtra
Disa qytete europiane janë “dukshëm më të lira sapo mbërrin atje”, thuhet në raport.
“Ushqimi jashtë kushton më pak, transporti publik është i përballueshëm dhe disa atraksione mund të jenë më të lira nga sa pritet. Kjo do të thotë të bësh më shumë, të qëndrosh më gjatë jashtë dhe të shijosh qytetin pa menduar vazhdimisht për çmimet dhe kufizimet.”
Sipas barometrit, Europa Lindore dominon sërish listën e destinacioneve me vlerën më të mirë, duke zënë tetë nga dhjetë vendet e para të city break-eve më të lira në Europë.
Për herë të parë, Sarajeva është shpallur city break-u me vlerën më të mirë në Europë për vitin 2026, me një kosto prej 248 paundësh (287 euro) për 12 shpenzimet e përfshira në barometër. Kryeqytetit të Bosnje dhe Hercegovinës i bashkohen në pesëshen kryesore Bukureshti, Tirana, Beogradi dhe Trenčín.
Me koston e ulët të përgjithshme falë akomodimit të lirë, transportit publik ekonomik dhe atraksioneve me çmime të mira, Sarajeva konsiderohet “perfekte” për udhëtarët që kërkojnë kulturë, histori dhe ushqim të mirë pa çmime të larta.
Për shumëllojshmëri aktivitetesh dhe ushqim me çmime të përballueshme, Bukureshti në Rumani cilësohet si “destinacioni ideal për t’u rezervuar”. Kostot e ulëta për akomodim, vakte dhe transport e mbajnë atë “fort mes city break-eve më të lira të këtij viti”.
Në Shqipërinë “gjithnjë e më të kërkuar”, Tirana ka “gjithçka që duhet” për një pushim të qetë në qytet, ndërsa Beogradi në Serbi “i plotëson të gjitha kriteret” për jetën e natës, ushqimin dhe shëtitjet buzë lumit “pa çmimet e qyteteve të mëdha”.
“Tirana, në Shqipërinë gjithnjë e më të kërkuar nga turistët, ofron gjithçka për një pushim të qetë në qytet: kafene, ushqim të mirë dhe hapësira të jashtme.
Qyteti eksplorohet lehtë, është i përballueshëm për buxhetin dhe po lidhet gjithnjë e më mirë me Mbretërinë e Bashkuar.
Në barometër, Tirana u rendit e para për çmimet më të ulëta të akomodimit, duke u bërë një nga destinacionet më ekonomike në krahasimin për vitin 2026”, thuhet në raport.
Pesëshja mbyllet me Trenčín në Sllovaki, që ofron një “alternativë më të qetë” ndaj kryeqyteteve të mëdha dhe është ideal për ata që preferojnë ritëm më të ngadaltë, shëtitje, qendra historike dhe çmime shumë të ulëta të përditshme.
10 pushimet më të lira në qytetet europiane
- Sarajevë, Bosnje dhe Hercegovinë: 248 paund / 287 euro
- Bukuresht, Rumani: 258 paund / 299 euro
- Tiranë, Shqipëri: 263 paund / 304.50 euro
- Beograd, Serbi: 265 paund / 307 euro
- Trenčín, Sllovaki: 272 paund / 315 euro
- Rigë, Letoni: 278 paund / 322 euro
- Lille, Francë: 289 paund / 334 euro
- Vilnius, Lituani: 289 paund / 334 euro
- Strasburg, Francë: 319 paund / 369 euro
- Podgoricë, Mali i Zi: 332 paund / 384.50 euro.
Cilat janë pushimet më të shtrenjta në qytetet europiane për vitin 2026?
Në anën tjetër të renditjes, Oslo rezulton qyteti më i shtrenjtë në Europë për vitin 2026, me një kosto prej 734 paundësh (850 euro) për 12 shpenzimet e përfshira në barometër.
Kryeqytetit të Norvegjisë i bashkohen në pesëshen më të shtrenjtë Kopenhaga, Edinburgu, Gjeneva dhe Barcelona.
Sipas raportit të Post Office Travel Money, çmimet më të larta të akomodimit dhe kostot më të shtrenjta të ushqimit jashtë ndikojnë në rritjen e shpenzimeve totale.
10 qytetet më të shtrenjta në Europë
- Oslo, Norvegji: 734 paund / 850 euro
- Kopenhagë, Danimarkë: 671 paund / 777 euro
- Edinburg, Skoci: 668 paund / 773.50 euro
- Gjenevë, Zvicër: 644 paund / 746 euro
- Barcelonë, Spanjë: 641 paund / 742 euro
- Dublin, Irlandë: 611 paund / 707 euro
- Amsterdam, Holandë: 609 paund / 705 euro
- Cork, Irlandë: 602 paund / 697 euro
- Venecia, Itali: 580 paund / 672 euro
- Madrid, Spanjë: 580 paund / 672 euro. / Euronews

