Emërimi i Përfaqësuesit të ri të Lartë në Bosnje-Hercegovinë ka shkaktuar mosmarrëveshje mes administratës së Donald Trump dhe disa prej aleatëve kryesorë europianë.
Bëhet fjalë për një post unik në politikën ndërkombëtare, i krijuar pas Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995, që i dha fund luftës në Bosnje dhe vendosi sistemin aktual politik të vendit.
Përfaqësuesi i Lartë mbikëqyr zbatimin e marrëveshjes së paqes dhe gëzon kompetenca të jashtëzakonshme. Ai mund të miratojë vendime me fuqi ligjore, të ndryshojë ligje, madje edhe të shkarkojë zyrtarë të zgjedhur nëse konsiderohen pengesë për stabilitetin e vendit ose cenojnë rendin kushtetues.
Edhe pse ndikimi i këtij institucioni është zvogëluar me kalimin e viteve, ai mbetet vendimtar në çështjet më të ndjeshme politike. Pikërisht për këtë arsye, zgjedhja e pasuesit të gjermanit Christian Schmidt është bërë objekt përplasjeje diplomatike.
Shtetet e Bashkuara mbështesin kandidaturën e diplomatit italian Antonio Zanardi Landi, ndërsa Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar preferojnë diplomatin francez René Troçaz.
Uashingtoni ka paralajmëruar se mund të rishqyrtojë rolin amerikan në Bosnje nëse nuk merret parasysh qëndrimi i tyre. Antonio Zanardi Landi është diplomat karriere, ish-ambasador i Italisë në Rusi dhe ish-këshilltar diplomatik i presidentëve Giorgio Napolitano dhe Sergio Mattarella.
Megjithatë, ai ka pasur përvojë të kufizuar në Ballkan, gjë që ka ngritur pikëpyetje mbi arsyet e mbështetjes së fortë amerikane. Sipas disa analistëve, administrata Trump e mbështet kandidaturën e tij sepse një Përfaqësues i Lartë më i afërt me Uashingtonin mund të lehtësojë miratimin e vendimeve të nevojshme për ndërtimin e një gazsjellësi që do të lidhë Bosnje-Hercegovinën me Kroacinë.
Projekti i është dhënë pa garë një kompanie amerikane pa përvojë në këtë sektor, AAFS, e përfaqësuar nga avokati personal i Donald Trump, Jesse Binnall, dhe John Flynn, vëllai i ish-këshilltarit për Sigurinë Kombëtare, Michael Flynn.
Për realizimin e gazsjellësit duhet të zgjidhen çështje të ndërlikuara ligjore, si përdorimi i pronave publike përgjatë traseve të projektit. Politikanët boshnjakë nuk kanë arritur të bien dakord për këtë çështje prej vitesh, ndërsa Përfaqësuesi i Lartë ka autoritetin të imponojë një zgjidhje.
Projekti është kritikuar edhe nga Bashkimi Europian, i cili argumenton se kontrata nuk mund të jepet pa procedura të hapura tenderimi dhe pa miratimin e institucioneve europiane. Brukseli ka paralajmëruar se nëse vendimi nuk rishikohet, Bosnja mund të humbasë fonde europiane dhe të dëmtojë procesin e integrimit në BE.
Një faktor tjetër që besohet se ka ndikuar në qëndrimin e Uashingtonit është lideri i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik. Politikani nacionalist dhe prorus ka kërkuar prej kohësh të afrohet me Donald Trump.
Ai ka ofruar bashkëpunim për shfrytëzimin e rezervave të litiumit në Republikën Srpska dhe ka pritur në Banja Luka disa figura të afërta me Trump, përfshirë Rudy Giuliani, Rod Blagojevich dhe Donald Trump Jr.
Qeveria e Republikës Srpska ka shpenzuar gjithashtu miliona euro për kompani lobimi në SHBA për të ndikuar politikën amerikane në favor të saj. Një nga objektivat kryesorë ishte largimi i Christian Schmidt, i cili gjatë mandatit të tij kishte marrë disa vendime kundër tendencave separatiste të Dodikut.
Në fund të vitit 2025 administrata Trump hoqi edhe sanksionet amerikane ndaj Dodikut, familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të tij, të vendosura gjatë presidencës së Joe Biden.
Për të fituar mbështetjen e administratës Trump, drejtuesit serbë të Bosnjës janë përpjekur ta paraqesin veten si një komunitet i kërcënuar dhe si mbrojtës të identitetit të krishterë të Evropës përballë shumicës boshnjake myslimane.
Kjo retorikë përputhet me diskursin nacionalist dhe konservator që karakterizon një pjesë të rëndësishme të mbështetësve të Donald Trump, duke e bërë Bosnje-Hercegovinën një tjetër arenë ku ndërthuren interesat gjeopolitike, ekonomike dhe ideologjike.

