Lajme

Pse prodhimi i dronëve izraelitë në Serbi mund të destabilizojë rajonin

Shkruar nga Roberto Vivaldelli

Fqinjët e Serbisë kanë arsye që ta ndjekin me kujdes këtë zhvillim…

Vendosja në Serbi e një pjese të prodhimit të dronëve strategjikë izraelitë, mund ta kthejë Ballkanin në një nyje të re të rivaliteteve gjeopolitike dhe të luftës hibride. Përveç forcimit ushtarak të Beogradit, marrëveshja ngre shqetësime për ekuilibrin rajonal, rritjen e ndikimeve të jashtme dhe ekspozimin e vendeve fqinje ndaj tensioneve të reja të sigurisë.

Bashkëpunimi mes Elbit Systems dhe Yugoimport SDPR hap një skenar që shkon shumë përtej një marrëveshjeje të zakonshme industriale. Prodhimi i mundshëm në Serbi i sistemeve të lidhura me familjen Hermes 900, sinjalizon një ndryshim të rëndësishëm në strategjinë industriale izraelite: shpërndarjen e zinxhirit të prodhimit të dronëve ushtarakë jashtë territorit kombëtar, me synim uljen e cenueshmërisë operative dhe për të garantuar vazhdimësinë logjistike në rast krizash apo konfliktesh të zgjatura në Lindjen e Mesme.

Megjithatë, ky zhvillim nuk ka vetëm dimension ekonomik apo teknologjik. Ai mbart pasoja të drejtpërdrejta për sigurinë e Ballkanit dhe për marrëdhëniet mes vendeve të rajonit.

Serbia, e cila prej vitesh ndjek një politikë shumë-drejtimëshe mes Perëndimit, Rusisë, Kinës dhe Izraelit, mund të shndërrohet në një qendër strategjike të industrisë ushtarake izraelite në Europë. Kjo do të rriste ndjeshëm peshën e saj gjeopolitike, por njëkohësisht do të krijonte shqetësime tek fqinjët, të cilët mund ta perceptojnë këtë bashkëpunim si një ndryshim të ekuilibrave ushtarakë në rajon.

Hermes 900 nuk është një dron i zakonshëm taktik. Ai është projektuar për misione inteligjence, mbikëqyrjeje dhe zbulimi, me autonomi të gjatë fluturimi dhe aftësi për operacione komplekse në distanca të mëdha.

Në konfliktet moderne, sisteme të tilla përfaqësojnë një avantazh të rëndësishëm strategjik, pasi mundësojnë mbikëqyrje të vazhdueshme, grumbullim informacioni në kohë reale dhe koordinim operacional në zona të gjera.

Pikërisht për këtë arsye, dronët izraelitë janë bërë objektiv i vazhdueshëm i luftës elektronike dhe i sulmeve hibride nga aktorë si Irani dhe Hezbollahu. Izraeli duket se po synon të shmangë varësinë nga një zinxhir prodhimi i përqendruar vetëm në Lindjen e Mesme.

Duke shpërndarë prodhimin në vende të tjera, Tel Avivi synon të mbrojë kapacitetet industriale nga sulmet raketore, sabotimet kibernetike apo ndërprerjet logjistike. Serbia ofron një kombinim të rrallë avantazhesh.

Ajo ndodhet në Europë, por nuk është anëtare e NATO-s; mban lidhje me Brukselin, por edhe me Moskën dhe Pekinin. Po ashtu, ka industri ushtarake të trashëguar nga ish-Jugosllavia dhe nuk i nënshtrohet të njëjtave kufizime politike që has Izraeli në një pjesë të vendeve perëndimore.

Por pikërisht kjo pozitë e ndërmjetme, mund ta bëjë Serbinë një pikë të ndjeshme për destabilitet rajonal. Nëse vendi do të kthehet në një hallkë të rëndësishme të prodhimit dhe mirëmbajtjes së dronëve izraelitë, ai mund të bëhet objekt i presioneve të jashtme, operacioneve kibernetike dhe luftës së influencës.

Sulmet hibride kundër infrastrukturës industriale, rrjeteve logjistike apo sistemeve të komunikimit do të ishin shumë më të mundshme sesa një përballje ushtarake direkte. Një situatë e tillë nuk do të prekte vetëm Serbinë, por do të kishte pasoja për gjithë rajonin, duke e rritur pasigurinë dhe tensionet politike në Ballkan.

Fqinjët e Serbisë kanë arsye që ta ndjekin me kujdes këtë zhvillim. Në një rajon ku kujtesa e konflikteve të viteve 1990 mbetet ende e freskët, çdo rritje e kapaciteteve ushtarake apo teknologjike interpretohet edhe në prizmin e balancave të sigurisë.

Përfshirja e industrisë izraelite të dronëve, mund të perceptohet si një avantazh strategjik për Beogradin, sidomos në një kohë kur rivalitetet globale po depërtojnë gjithnjë e më shumë në Ballkan.

Nga ana tjetër, marrëveshja mund të sjellë edhe një shtim të ndikimeve të jashtme në rajon. Interesat izraelite, presioni iranian, rivalitetet mes fuqive të mëdha dhe përplasjet kibernetike, mund ta kthejnë Ballkanin në një terren të ri konkurrimi strategjik.

Në këtë kuptim, rreziku nuk qëndron vetëm tek prodhimi i dronëve, por tek fakti që rajoni mund të përfshihet gradualisht në konfliktet dhe tensionet globale të Lindjes së Mesme.

Për Serbinë, projekti përfaqëson një mundësi të madhe industriale dhe teknologjike. Ai mund të sjellë investime, transferim njohurish dhe rritje të ndikimit ndërkombëtar të Beogradit.

Por për fqinjët e saj dhe për vetë stabilitetin e Ballkanit, kjo lëvizje ngre pikëpyetje serioze mbi drejtimin që po merr siguria rajonale dhe mbi rreziqet që mund të lindin nga militarizimi i ri teknologjik në zemër të Evropës Juglindore./“InsideOver”

3sgIgLJ.png