Shkruar nga Robert D.Hormats
Xi Jinping kërkon të shmangë sanksionet amerikane pa sakrifikuar kontrollin e partisë, ndërsa Donald Trump synon marrëveshje tregtare të shpejta që mund të rezultojnë sipërfaqësore. Ky takim do të përcaktojë nëse dy superfuqitë do të gjejnë një gjuhë të përbashkët apo do të hyjnë në një cikël të ri rreziqesh diplomatike dhe ekonomike.
Samiti i shumëpritur i kësaj jave midis presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe atij të Kinës, Xi Jinping, mund të jetë ndër takimet më pasojëndjellëse midis liderëve të dy vendeve që kur Richard Nixon takoi Mao Zedong në vitin 1972.
Unë kam luajtur një rol në planifikimin e atij samiti të hershëm si këshilltar i lartë ekonomik në Këshillin e Sigurisë Kombëtare nën Henry Kissinger-in. Suksesi i tij historik varej si nga përgatitja e imtësishme e dy liderëve dhe zyrtarëve të tyre të lartë, ashtu edhe nga qartësia dhe saktësia me të cilën ata deklaruan pozicionet e tyre dhe i zgjidhën mosmarrëveshjet. Megjithëse kjo histori mund të mos ketë formësuar përgatitjet e administratës Trump javët e fundit, nuk ka dyshim se zyrtarët kinezë i kanë studiuar ato mësime dhe i kanë përfshirë në planet e tyre për diskutimet e Xi-së.
Siç tha dikur Kissinger: “Çdo gjë që më është thënë nga çdo kinez i çfarëdolloj rangu gjatë çdo vizite, ishte pjesë e një skeme të ndërlikuar”. E takova Xi Jinping-un për herë të parë një çerek shekulli pas takimit të Nixon-it me Maon.
Në atë kohë, nuk kisha dëgjuar shumë për Xi-në, i cili ishte sekretar i partisë në Zhejiang, një provincë bregdetare e përmasave mesatare. Por fill pas prezantimit tonë (nga Wang Qishan, një zyrtar partie që ishte miqësuar me Xi-në kur të dy punonin në një fshat rural gjatë Revolucionit Kulturor), unë munda të dalloja vetëbesimin e tij dhe vendosmërinë për t’u ngjitur në hierarkinë e partisë e për të mposhtur pengesat.
Kjo besueshmëri dhe vendosmëri mbeten të pranishme edhe tani që ai është lideri më i fuqishëm kinez që nga koha e Maos, dhe janë thelbësore për të kuptuar qasjen e tij ndaj Shteteve të Bashkuara në përgjithësi dhe takimeve të tij me Trump-in në veçanti.
Shtetet e Bashkuara dhe Kina u qasen samiteve me objektiva, strategji dhe stile negociimi të ndryshme. Kinezët besojnë se përparimi në pothuajse çdo çështje kërkon muaj negociatash të menduara mirë nga zyrtarë të lartë paraprakisht. Përndryshe, marrëveshjet e rëndësishme, e aq më pak kthesat e mëdha në një takim dyditor, janë thuajse të pamundura.
Zyrtarët kinezë e pranojnë se qasja shpesh e paparashikueshme e Trump-it paraqet sfida unike për Xi-në dhe këshilltarët e tij. Sipas tyre, rezultatet kryesore të një samiti duhet të jenë të sanksionuara në një draft-komunikatë, ose të paktën në disa marrëveshje të shkruara me saktësi, të hartuara kohë më parë, duke mos lënë vend për keqkuptime apo interpretime kontradiktore pas takimit.
Po ashtu, ata e shohin këtë si një mënyrë për të lënë kohë të mjaftueshme për diskutime të thella dhe personale mes dy liderëve gjatë takimit. Tradicionalisht udhëheqësit kinezë u kushtojnë vëmendje të kujdesshme fjalëve të homologëve të tyre amerikanë, duke supozuar se zyrtarët e SHBA-së, dhe veçanërisht presidenti, i zgjedhin fjalët me kujdes për të pasqyruar një strategji afatgjatë.
Kinezët sjellin një perspektivë të tillë afatgjatë edhe në përgatitjet e tyre. Gjatë vizitave të mia në fillim të viteve 1970, zyrtarët kinezë më kujtonin shpesh jo vetëm deklaratat e Maos, por edhe dekada historie që kishin formësuar pikëpamjet e tyre.
Vetë Mao ishte i fokusuar në një projekt afatgjatë për të gjeneruar forcën që do t’i lejonte Kinës t’i rezistonte presionit të SHBA-së. Ky mendim ka vijuar deri më sot. Xi e thekson vendosmërinë e tij për të garantuar se “asnjë fuqi e huaj nuk mund të pengojë rikthimin e krenarisë kombëtare të Kinës përmes pasurisë dhe fuqisë”.
Në bisedat e mia të hershme me Xi-në, ai tregoi një interes të thellë jo vetëm për çështjet ekonomike, por edhe për historinë kineze dhe rolin thelbësor të Partisë Komuniste. Xi ishte gjithashtu i fokusuar që Kina të mos pësonte të njëjtin fat si Bashkimi Sovjetik.
Ai vuri re dështimin e BRSS për të ruajtur unitetin e partisë dhe cenueshmërinë e saj ndaj presionit ekonomik amerikan dhe theksoi se strategjia kineze duhet të qendërzohet në shmangien e këtyre dobësive.
Në takimin me Trump-in, Xi mund të shohë një vlerë afatshkurtër në eksplorimin e “marrëdhënieve ekonomike reciprokisht të dobishme”, por nuk do të lejojë që kjo retorikë të eklipsojë objektivat e tij afatgjata apo dyshimet e tij mbi besueshmërinë e SHBA-së.
Xi do të mbajë një ekuilibër të kujdesshëm sa i përket luftës në Iran. Ai dëshiron të shmangë një konfrontim me Trump-in për Iranin, por nuk do të heqë dorë nga marrëdhënia e ngushtë me Teheranin apo nga mundësia për të përfituar nga pasojat ekonomike dhe politike të luftës.
Në fushën e ekonomisë, Xi mund të ofrojë masa të kufizuara për të blerë më shumë produkte amerikane për të zbutur Trump-in, por do t’u rezistojë ndryshimeve rrënjësore strukturore në ekonominë e Kinës. Në këmbim, ai do të kërkojë një moratorium ndaj sanksioneve të paparashikueshme të SHBA-së.
Rezultati publik i takimit, ka të ngjarë të jetë një stabilizim i përkohshëm i raporteve, që do të lejojë Trump-in të pretendojë sukses dhe Xi-së të fokusohet në sfidat e tij të brendshme. Ka edhe fusha të tjera ku mund të ketë vend për marrëveshje, si kontrolli i pararendësve të fentanylit apo inteligjenca artificiale (AI).
Kur Kissinger udhëtoi në Kinë në moshën 100-vjeçare, pak para vdekjes, ai këmbënguli që AI të ishte pjesë e diskutimeve, duke e parë atë si një “realitet të ri strategjik” të ngjashëm me armët bërthamore. Kur fuqitë e mëdha keqkuptohen, rreziqet rriten shumë shpejt.
Menaxhimi i këtij rivaliteti varet nga liderët që deklarojnë qartë objektivat e tyre.
Nëse samiti përfundon me qartësi, do të jetë një hap përpara. Por nëse përfundon me interpretime të ndryshme dhe pretendime iluzore për progres, rezultati nuk do të jetë thjesht një mundësi e humbur, por një rrezik i shtuar, duke e lënë marrëdhënien mes dy superfuqive më keq sesa ishte përpara takimit./“Foreign Affairs”
Shënim: Robert D. Hormats, ka shërbyer në administratat e Nixon, Ford, Carter, Reagan dhe Obama, përfshirë Këshillin e Sigurisë Kombëtare (1969-1977) dhe si Nënsekretar Shteti për Çështjet Ekonomike, Energjetike dhe Mjedisore (2009-2013).

