Kryeministri kanadez Mark Carney kërkon lidhje më të ngushta me Bashkimin Europian dhe po shqyrton mundësinë që Kanadaja të bëhet një “anëtare e asociuar” e bllokut, raportoi Wall Street Journal.
Sipas gazetës amerikane, Bashkimi Evropian, i cili në të kaluarën ka qenë strikt me rregullat e anëtarësimit, është i hapur ndaj idesë për t’i dhënë Kanadasë një status të tillë, i cili aktualisht nuk ekziston dhe do të duhej të krijohej.
Nxitje të re për afrimin me Evropën i ka dhënë përshkallëzimi i konfliktit tregtar mes Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara.
Marrëdhëniet mes Otavës dhe Washington-it janë përkeqësuar ndjeshëm që nga rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në fillim të vitit 2025, mes mosmarrëveshjeve për tregtinë dhe çështje të tjera. Përplasja tregtare ka sjellë tarifa mbi dhjetëra miliarda dollarë shkëmbime ndërkufitare.
Sipas Wall Street Journal, Kanadaja dhe BE-ja po diskutojnë mënyra që do të mundësonin lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve dhe punonjësve kanadezë të përfshirë në zinxhirë strategjikë furnizimi, si energjia, inteligjenca artificiale, mbrojtja dhe mineralet kritike.
Diskutimet përfshijnë gjithashtu vendosjen e kabllove nënujore, ndërtimin e përbashkët të qendrave të të dhënave, ruajtjen në cloud, rrjete të reja satelitore dhe infrastrukturë për transportimin e energjisë kanadeze drejt BE-së.

