Lajme

Përmes softueri izraelit “Cellebrite”, MPB mund të nxjerrë të gjitha të dhënat nga telefonat e të hetuarve për vepra penale

Softueri izraelit “Cellebrite”, të cilin Ministria e Brendshme e bleu së fundmi, mund të nxjerrë të gjitha të dhënat nga telefoni juaj, domethënë gjithçka që keni në të. Ky mjet është blerë nga shumë vende dhe përdoret, mbi të gjitha, për hetime penale, dhe me ligj duhet të ketë urdhër gjykate për këtë, raporton BIRN. 

Kjo nuk është hera e parë që Ministria e Brendshme ka blerë një mjet të tillë. Në vitin 2022, udhëheqja e mëparshme e Ministrisë kishte lidhur një marrëveshje me prodhuesin e softuerit suedez MSAB Xry, i cili është i ngjashëm me Cellebrite.

Ka pretendime se të dy janë keqpërdorur. Për atë suedez, mund të gjenden artikuj mediatikë se është përdorur nga qeveria kineze për të monitoruar protestuesit në Hong Kong.

Për Cellebrite, Amnesty International dhe BIRN zbuluan së fundmi se shërbimet serbe të sigurisë e përdorën atë për të zhbllokuar telefonat e studentëve që organizuan protesta për viktimat e shembjes së tendës së stacionit hekurudhor në Novi Sad.

Përkatësisht, kur u thirrën për intervista informative, telefonat e tyre u sekuestruan, pastaj u zhbllokuan me Cellebrite, dhe më pas u instaluan softuerë të tjerë gjurmimi. Pas publikimit të hulumtimit, kompania izraelite vendosi në shkurt të këtij viti të ndërpresë bashkëpunimin me disa klientë në Serbi.

Andrej Petrovski nga Fondacioni SHARE në Serbi, i cili synon të promovojë të drejtat dhe liritë e njeriut në hapësirën online, në një intervistë me BIRN, paralajmëron gjithashtu se “përdorimi i paautorizuar dhe i papërshtatshëm i këtyre mjeteve përbën shkelje të rëndë të së drejtës së privatësisë, mbrojtjes së të dhënave personale dhe të drejtave të lidhura me të”.

BIRN: Z. Petrovski, për çfarë po i përdorin shtetet këto mjete?

Petrovski: Këto mjete përdoren për të nxjerrë të dhëna nga pajisjet mobile, pa pasur nevojë që pajisja të jetë e zhbllokuar, pra përdoruesi i saj të ndajë fjalëkalimin e zhbllokimit. Ato kanë një qëllim pjesërisht legjitim në hetimet forenzike, që përfshin sigurimin e provave, pra nxjerrjen e tyre nga pajisjet që janë të rëndësishme për hetimet penale. Megjithatë, korniza ligjore për përdorimin e masave të tilla në procedurat hetimore dhe para-hetimore është përcaktuar qartë, dhe një kusht i domosdoshëm për këtë është ekzistenca e një urdhri gjykate.

Përveç këtij qëllimi, po dëshmojmë gjithnjë e më shumë se mjete të tilla abuzohen për të zhbllokuar me forcë pajisjet dhe për të shkarkuar të dhëna në situata kur aktivistët dhe gazetarët ndalohen për një intervistë informative nga policia ose shërbimet e sigurisë. Shembuj të tillë kemi edhe në rajon, pra në Serbi, ku dhjetëra aktivistë është kryer abuzim i tillaë pra shkarkime të paligjshme të të dhënave.

BIRN: Çfarë mund të bëhet me këto mjete dhe a ka mënyra që qytetarët të dinë se po monitorohen përmes tyre?

Petrovski: Përdorimi i këtyre mjeteve përfshin zgjidhje harduerike dhe softuerike që funksionojnë në mënyrë të pavarur, pra Cellebrite si një zgjidhje harduerike/softuerike përdoret për të zhbllokuar “me forcë” pajisjen dhe për të bërë kopje të të gjitha të dhënave në të, por gjithashtu lejon instalimin e softuerëve të tjerë, të ashtuquajturit spiun, të cilët mund të spiunojnë pajisjen në planin afatgjatë.

Për të përdorur Cellebrite, kërkohet akses fizik, sepse telefoni është i lidhur me një pajisje të specializuar, e cila mund të ngjajë me një tablet, dhe më pas, varësisht nga prodhuesi dhe modeli i telefonit, aplikohen teknika të shfrytëzimit të dobësive për të zhbllokuar telefonin, pra për të aksesuar të dhënat e ruajtura në të.

Pa një analizë të detajuar forenzike të pajisjes për të gjetur tregues dhe gjurmë të përdorimit të Cellebrite dhe produkteve të ngjashme, është shumë e vështirë të përcaktohet “me sy të lirë” nëse ndonjë nga këto mjete është përdorur në telefon, pra nëse është i infektuar me spiun.

BIRN: Sa lehtë mund të kalojë keqpërdorimi i këtyre mjeteve nga radarët e sistemeve të mbikëqyrjes së shërbimeve sekrete në vendet e Ballkanit?

Petrovski: Përdorimi i paautorizuar dhe i papërshtatshëm i këtyre pajisjeve përbën një shkelje të rëndë të së drejtës së privatësisë, mbrojtjes së të dhënave personale dhe të drejtave të lidhura, duke pasur parasysh sasinë e të dhënave rreth nesh, por edhe rreth njerëzve të tjerë, që ruajmë në telefonat tanë celularë. Përvoja tregon se ka raste të përdorimit të paautorizuar të pajisjeve nga njerëz, siç janë gazetarët, të cilët nuk dyshoheshin për ndonjë krim.

Fuqia e zgjidhjeve të tilla është shumë e madhe për shoqëritë ku sundimi i ligjit është i kufizuar, domethënë, ku qytetarët thjesht nuk kanë besim se policia dhe shërbimet e sigurisë do t’i përdorin këto mjete në mënyrë të ligjshme. Duke pasur parasysh historinë e përgjimit të kundërshtarëve politikë, gazetarëve dhe aktivistëve në Maqedoninë e Veriut, është e vështirë të imagjinohet një skenar në të cilin mjete të tilla nuk do të keqpërdoreshin.

Përvojat nga Serbia dhe vendet e tjera tregojnë se edhe nëse qëllimi për prokurimin është plotësisht i sinqertë dhe i justifikuar nga situata aktuale e sigurisë në vend, përdorimi i mjeteve të tilla në fund të fundit ka një efekt të dëmshëm në demokraci.(Portalb.mk)

3sgIgLJ.png
3svPxtI.png