Lajme

Paparashikueshmëria e Trumpit, parandalimi i ri amerikan në botë

Shkruar nga Ani Chkhikvadze

Nga tarifat te rrëzimi i Maduros në Venezuelë, te sulmi i mundshëm në Iran dhe ideja për të blerë Grenlandën: mungesa e dukshme e një strategjie në politikën e jashtme është kthyer në një aset të presidencës Trump, dhe në një kërcënim të vazhdueshëm për kundërshtarët e tij…

Viti i parë i presidencës së dytë të Donald Trump është shenjuar nga një sërë vendimesh në skenën ndërkombëtare. Në Lindjen e Mesme, Uashingtoni e ka shtuar presionin ndaj Iranit, duke e kornizuar përplasjen rreth rrezikut bërthamor dhe antagonizmit ndaj regjimit iranian. Në Amerikën Latine, forcat amerikane rrëzuan Nicolás Maduron në Venezuelë, duke e bërë këtë pa një prani ushtarake afatgjatë dhe pa kaosin që kishin parashikuar disa.

Në Evropë, Trump hodhi hapur idenë e blerjes së Grenlandës, duke shkaktuar një thyerje publike të rrallë me një aleat të NATO-s dhe duke i detyruar qeveritë evropiane të pyesin se deri ku mund të jetë i gatshëm Uashingtoni të shkojë me levën e tij të ndikimit.

In Gaza, Shtetet e Bashkuara ndihmuan në imponimin e një armëpushimi duke përdorur marrëdhëniet personale dhe një presion të madh. Dhe mbi gjithçka peshonte Ukraina, një luftë që Trump u betua ta përfundonte brenda pak kohësh, por që deri më tani nuk ia ka dalë. Por duke parë nga larg, nga tarifat te ndërhyrjet e huaja dhe kërcënimet për ndërhyrje, a ekziston një doktrinë apo një strategji që e përkufizon presidencën e tij?

“Gabimi është të përpiqesh të imponosh më shumë koherencë sesa ka në të vërtetë”, thotë Eliot Cohen, profesor në Universitetin Johns Hopkins dhe ish-këshilltar i Departamentit të Shtetit.

“Personaliteti i Trump-it është i ndryshueshëm, i paqëndrueshëm dhe i lëkundshëm, kapriçoz dhe i varur nga personalitetet që ka përballë. Qasja e tij bazë nuk udhëhiqet nga vlerat. Ajo është transaksionale”, shton ai.

Në debatin e politikës së jashtme në Shtetet e Bashkuara, më radikalët ose “skifterët“ – më shpesh republikanë – favorizojnë përdorimin e fuqisë ushtarake dhe ekonomike jashtë vendit, ndërsa më të maturit, “pëllumbat” – tradicionalisht demokratë – këmbëngulin te diplomacia dhe moderimi.

Izolacionizmi i përshkon në fakt që të dyja partitë, duke kërkuar një rol global të reduktuar dhe më pak përfshirje jashtë vendit. Ky instinkt, dominues para Luftës së dytë Botërore, është rishfaqur te të dyja partitë. Mbështetësit e tij duan më pak shpenzime ushtarake jashtë detit dhe më shumë vëmendje për sfidat brenda vendit.

Por ku pozicionohet Trump në gjithë këtë strategji? “Ai ka një lloj qëndrimi transaksional, të stilit real-politik, ndaj pjesës tjetër të botës”, nënvizon më tej Cohen.

Ai nuk është një izolacionist. Nuk është kundër përdorimit të fuqisë ushtarake. Por është një devijim nga ajo që kemi pasur që nga Lufta e dytë Botërore”, saktëson ai.

Për një pjesë të madhe të periudhës së pasluftës, një konsensus i gjerë dypartiak ka modeluar rolin e Shteteve të Bashkuara në botë, veçanërisht mbi marrëdhëniet transatlantike dhe sigurinë kolektive.

Demokratët dhe republikanët mbështetën NATO-n, një prani ushtarake amerikane të vazhdueshme në Evropë dhe idenë se udhëheqja amerikane ishte shtylla e sigurisë globale. Pas rënies së Murit të Berlinit, u zbeh kërcënimi i perceptuar nga Moska. Angazhimi ekonomik pati përparësi mbi konkurrencën strategjike dhe presidentët amerikanë pasardhës e reduktuan vazhdimisht praninë amerikane në Evropë deri në pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës nga ana e Rusisë.

Duke parë sfidat me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara, administrata Trump pretendon se vitet e gjuhës diplomatike nën demokratët dhe republikanët kanë prodhuar pak rezultate. Evropa nuk i rriti shpenzimet ushtarake, Irani vazhdoi të përparonte në programin e tij bërthamor, vazhdoi agresioni rus në Ukrainë, teksa edhe Kina e zgjeroi praninë e saj në Amerikën Latine dhe përtej.

Shtëpia e Bardhë u kundërpërgjigj me një qasje më pragmatike, të karakterizuar nga gjuha e drejtpërdrejtë dhe kërcënimet, madje edhe ndaj Evropës. Trump e sheh Evropën si një përfituese pasive nga mbrojtja amerikane duke dhënë shumë pak në këmbim.

Madje duke ndjekur politika të rrezikshme si thellimi i lidhjeve energjetike me Rusinë përmes projekteve si “Nord Stream 2” dhe bllokimin e një rruge drejt sigurisë për vende si Gjeorgjia dhe Ukraina në samitin e Bukureshtit të vitit 2008, ndërkohë që përballeshin me aventurizmin ushtarak rus. Ato vendime e përndjekin ende kontinentin.

“Nëse shikon Strategjinë e re të Sigurisë, ajo kritikon mbi të gjitha Evropën për fshirjen e qytetërimit të saj, për faktin që ka gjithë këta emigrantë, që nuk bën pjesën e saj në NATO dhe që e lë pas dore mbrojtjen e saj”, shprehet Angela Stent, bashkëpunëtore në think-tank-un “American Enterprise Institute” dhe pedagoge në Universitetin Georgetown.

“Evropianët e kaluan vitin e parë duke u përpjekur të qetësonin Trumpin. Pastaj me Grenlandën e kuptuan se nuk kishin arritur ndonjë gjë të madhe. Nëse bën rezistencë, Trumpi e vë re”, shton ajo. Brenda administratës, debatet e politikës së jashtme priren tashmë të renditen përgjatë dy linjave kryesore.

Një grup, i lidhur me sekretarin e shtetit Marco Rubio, është në favor të një roli amerikan aktiv jashtë vendit, duke argumentuar se presioni i Shteteve të Bashkuara është i nevojshëm për të orientuar rezultatet dhe për të kufizuar zgjerimin e fuqive rivale.

Një tjetër, i lidhur me zëvendëspresidentin J.D. Vance, ka një vizion më të përmbajtur dhe vë në dyshim përfitimet e një angazhimi të zgjatur, duke mbështetur idenë se fuqia amerikane duhet përdorur në mënyrë selektive dhe me kursim. Edhe pse mbetet e paqartë se sa ndikim ka në të vërtetë njëri apo tjetri kamp.

“Ai udhëheq një koalicion njerëzish me vizione të ndryshme. Por vija ndarëse bazë është mes njerëzve pak a shumë internacionalistë tradicionalë si Rubio, dhe njerëzve shumë më afër izolacionistëve, ku do të vendosja Vance. Por në fund Trump është i vetmi që ka rëndësi”, thotë Cohen.

Mediat dhe mjediset e politikës së jashtme i kanë pagëzuar lëvizjet e Trumpit si doktrina Donroe, një shkrirje mes Donald Trump dhe doktrinës Monroe të shekullit XIX, për shkak të hovit të Administratës për të riafirmuar dominimin amerikan në të gjithë hemisferën perëndimore.

Kjo politikë pretendon primatin e Shteteve të Bashkuara në Amerikë dhe ka zero tolerancë ndaj ndikimeve të jashtme, veçanërisht nga Kina. Por duke pasur parasysh se Irani nuk është në Amerikën Latine, ky lexim ka kufizimet e veta.

“Nuk është thjesht i përqendruar në politikën e jashtme hemisferike. Ai do të kryejë veprime që askush tjetër nuk do t’i kryente kur i paraqitet rasti”, thotë për Il Foglio, Ken Weinstein, i think-tank-ut konservator Hudson Institute me qendër në Uashington.

“Ideja e kapjes së Maduros, bombardimi i programit bërthamor iranian, janë gjëra që askush tjetër nuk do t’i kishte bërë. Të gjitha këto lëvizje kanë bërë jehonë në Kinë. Kur kinezët shohin Maduron të merret forcërisht, ose kur shohin mundësinë që Shtetet e Bashkuara mund të bllokojnë seriozisht Iranin, i cili është burimi i tyre kryesor i energjisë, kjo i dërgon një sinjal shumë të qartë Xi Jinping-ut se çfarë nuk duhet të bëjë lidhur me Tajvanin.

Kjo është pjesë e një rruge shumë më të gjerë por të padeklaruar. Trump nuk është një mendimtar strategjik. Ai është instinktiv. Nuk e shpjegon atë që po bën, por i kupton pasojat më të gjera”, shprehet Weinstein.

Ndërsa është rritur shqetësimi për ambiciet e Kinës, disa kanë hedhur hipotezën se politika e administratës ndaj Rusisë është një tentativë për të dobësuar Pekinin duke e tërhequr Moskën më afër Uashingtonit.

Nga ana tjetër, dobësimi i fuqisë perëndimore mbetet një objekt kryesor i politikës së jashtme ruse dhe kineze. Moska ka pak stimuj për t’u distancuar nga Kina nëse kjo do të forconte Shtetet e Bashkuara. Përveç kësaj, varësia në rritje e Rusisë nga Pekini pas luftës në Ukrainë e kufizon më tej hapësirën e saj të manovrimit.

“Ky është një iluzion. Rusia varet shumë nga Kina për të vazhduar luftën e saj në Ukrainë. Po merr të gjithë komponentët për armët dhe ndoshta disa armë nga Kina. Nuk do t’i hedhë poshtë të gjitha këto për një marrëdhënie. Ata janë të lumtur që Trump është në pushtet, sepse ai po e dobëson aleancën perëndimore. Por besoj se e konsiderojnë atë gjithashtu disi të paparashikueshëm”, mendon Stent.

Dhe kjo paparashikueshmëri është kthyer në një aset për Trumpin. Sepse ajo i jep lëvizjeve të presidentit një dykuptimësi strategjike, ku askush nuk mund të jetë i sigurt se çfarë do të bëjë më pas ose nëse e ka seriozisht atë që thotë, duke e bërë të kushtueshme për vendet e tjera që të mos e marrin seriozisht.

3sgIgLJ.png