Shkruar nga Sharon Nizza
Marrëveshja mes Arabisë Saudite, Pakistanit dhe Turqisë duket më shumë si një aleancë e diktuar nga oportunizmi sesa nga vlerat, objektivat apo strategjitë e përbashkëta. Cilat janë rrugët e mundshme të zhvillimit të saj, ndarjet brenda këtij konfigurimi, zgjerimi i mundshëm dhe përplasja në rritje mes Ankarasë dhe Izraelit?
Pakti i Mekës, i nënshkruar më 7 gusht nga tri fuqi sunite – Arabia Saudite, Turqia dhe Pakistani – është padyshim një nga zhvillimet më interesante të konfigurimeve të reja rajonale, ndërsa po dobësohet “gjysmëhëna shiite” dhe rivalët po garojnë për të mbushur boshllëkun e krijuar.
Por sa është ky pakt nga këndvështrimi i Izraelit një deklaratë qëllimesh dhe sa përfaqëson një kërcënim real? Së pari, kush janë rivalët në këtë rend të ri rajonal? Për Izraelin, në krye të listës është Turqia.
Që prej 7 tetorit 2023, përplasja mes dy vendeve ka ardhur duke u përshkallëzuar, megjithëse marrëdhëniet diplomatike, të vendosura që në vitin 1949, nuk janë ndërprerë asnjëherë. Sulmi i ushtrisë izraelite ndaj bazës siriane Abu al-Duhur, rreth 70 kilometra nga kufiri me Turqinë, ishte një prej episodeve të fundit.
Izraeli deklaroi se përmes këtij operacioni i dërgoi Ankarasë një mesazh kundër zgjerimit të pranisë turke në atë zonë. Përgjigjja e Erdoganit ishte e menjëhershme, me urdhër-arrestin e kërkuar ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
Rivaliteti mes dy vendeve nuk kufizohet vetëm në Siri apo në Mesdheun Lindor, ku Izraeli po afrohet gjithnjë e më shumë me Greqinë dhe Qipron. Përplasja shtrihet edhe në Bririn e Afrikës, ku Jeruzalemi dhe Ankaraja konkurrojnë për ndikim.
Turqia ka në Mogadishu bazën Camp TURKSOM, më të madhen e saj ushtarake jashtë vendit, ndërsa Izraeli po ndërton praninë e vet ushtarake në Somaliland, një entitet separatist që deri më tani është njohur vetëm nga Izraeli.
Të gjitha këto janë pjesë e një përshkallëzimi tashmë të hapur. Përballë tij, Erdogani kërkon të përdorë peshën e Paktit të Mekës, veçanërisht në një Lindje të Mesme ku arbitri kryesor, Donald Trump, mund të tërhiqet gradualisht nga roli i ndërmjetësit.
Për momentin, Trump po arrin të mbajë një ekuilibër mes Turqisë dhe Izraelit, dy vendeve që janë rivalë me njëri-tjetrin, por aleatë të Shteteve të Bashkuara.
Kundërshtari kryesor nuk është domosdoshmërisht Izraeli
Nga këndvështrimi i vendeve që kanë nënshkruar Paktin e Mekës, rivalët janë më të shumtë. Sipas Mohammed Wattad, profesor i së drejtës dhe president i Ramat Gan Academic College, në lojën e ndërlikuar të shahut të Lindjes së Mesme, objektivi kryesor i trekëndëshit saudito-turko-pakistanez nuk është Izraeli, por Irani.
Logjika është e thjeshtë: nëse Riadi i kundërvihet Teheranit me një mburojë të mbështetur nga teknologjia ushtarake turke dhe arsenali bërthamor pakistanez, atëherë ndryshon balanca e fuqisë dhe e parandalimit në rajon. Dhe sipas ëattad, nga kjo situatë mund të përfitojë edhe Izraeli.
Sipas tij, pakti i jep Jeruzalemit mundësinë të mbajë një “pozicion strategjik vëzhgimi”, pa u rreshtuar drejtpërdrejt në njërën anë. “Një kapiten i mençur di të lundrojë duke përdorur erën e të tjerëve”, thotë Wattad, duke cituar një proverb të vjetër turk.
Në këtë aleancë të tri vendeve sunite, Arabia Saudite është i vetmi vend arab. Kjo i shërben edhe për arsye imazhi, pasi Riadi synon të konsolidojë pozicionin e vet si lideri i padiskutueshëm i kampit arab-sunit.
Në të njëjtën kohë, bashkëpunimi strategjik me Izraelin vazhdon në heshtje. Vetëm pak muaj më parë, këto tri vende, së bashku me Egjiptin, krijuan edhe një platformë rajonale sigurie jashtë ndikimit të drejtpërdrejtë perëndimor.
Mekanizmi u quajt STEP, sipas inicialeve të Saudi Arabia, Turkey, Egypt dhe Pakistan. Megjithëse ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan ka deklaruar disa herë se Egjipti së shpejti do t’i bashkohet Paktit të Mekës, për momentin Kajro ka zgjedhur të qëndrojë jashtë.
Dhe ka disa arsye për këtë. Njëri prej tyre lidhet me rivalitetin mes Arabisë Saudite dhe Egjiptit. Eksperti i Lindjes së Mesme Pinchas Inbari shkruan se Egjipti vazhdon ta konsiderojë veten “Umm al-Dunya”, pra “nëna e botës”, dhe nuk nxiton t’u bashkohet nismave të vendeve të tjera.
Por ka edhe arsye ideologjike. Abdel Fattah Al-Sisi nuk e ka harruar se Ankaraja mbështeti qeverinë e Vëllazërisë Myslimane, të cilën ai e rrëzoi në vitin 2013.
Por ekziston edhe një pengesë shumë konkrete. Egjipti vazhdon të jetë fort i varur nga ndihma ushtarake amerikane, që arrin rreth 1.3 miliardë dollarë në vit.
Kajro nuk mund të japë përshtypjen se po rreshtohet në një kamp që mund të shihet si armiqësor ndaj aleatit kryesor të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme, Izraelit.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme, duke pasur parasysh se, pavarësisht vështirësive të paqes së ftohtë mes Egjiptit dhe Izraelit që prej vitit 1979, dy vendet ruajnë marrëdhënie të rëndësishme strategjike. Roli i Kajros është veçanërisht i rëndësishëm edhe në kuadër të planit të Trumpit për Gazën.
Tre skenarë për Paktin e Mekës
Një analizë e gjatë e Institutit për Studime të Sigurisë Kombëtare (INSS) identifikon tri rrugë të mundshme për zhvillimin e aleancës së re. E para është ruajtja e status quo-së, pra që pakti të mbetet kryesisht një deklaratë politike dhe një instrument parandalimi.
E dyta është thellimi i bashkëpunimit ushtarak mes tri fuqive sunite. E treta, dhe më shqetësuesja, është zgjerimi i aleancës me vende të tjera, përfshirë Egjiptin, një skenar që aktualisht konsiderohet më pak i mundshëm.
“Izraeli duhet të shmangë kundërshtimin e hapur ndaj aleancës, pasi kjo mund të forcojë kohezionin e saj”, shkruajnë analistët Yoel Guzansky dhe Gallia Lindenstrauss, ekspertë për Gjirin Persik dhe Turqinë.
Në thelb, Pakti i Mekës shihet në Jeruzalem më shumë si një instrument i fuqisë së butë sesa si një shpallje lufte. Vlerësimi dominant është se tri fuqitë sunite, nuk janë realisht të gatshme të hyjnë në luftë për të mbrojtur njëra-tjetrën.
Këtë kufizim e ilustron një shembull i kohëve të fundit. Në shtator 2025, Arabia Saudite dhe Pakistani kishin nënshkruar tashmë një marrëveshje strategjike të mbrojtjes së ndërsjellë, e cila përfshinte një klauzolë të ngjashme me atë të NATO-s për mbrojtjen reciproke.
Megjithatë, pas sulmeve iraniane ndaj Arabisë Saudite nuk u pa ndonjë ndërhyrje ushtarake pakistaneze në mbështetje të Riadit. Përkundrazi, Pakistani luajti rolin e ndërmjetësit. As kundër Houthive nuk pati një ndërhyrje të tillë, ndonëse ata vazhdojnë t’u shkaktojnë probleme saudive në Detin e Kuq dhe të kërcënojnë asetet e Aramco-s.
Nga ana tjetër edhe Turqia, nxitoi të forconte marrëdhëniet ushtarake me Katarin kur ky i fundit u bojkotua nga vendet e Gjirit, nga viti 2017 deri në vitin 2021, për shkak të lidhjeve të tij ideologjike me Vëllazërinë Myslimane.
Që prej asaj kohe, Ankaraja mban në Katar një prani ushtarake të vlerësuar në rreth 3.000-5.000 trupa. Por as atëherë nuk pati një ndërhyrje të drejtpërdrejtë turke, as pas sulmit të paprecedentë izraelit ndaj Dohas vitin e kaluar dhe as pas kundërpërgjigjeve të Iranit ndaj infrastrukturës energjetike të Katarit.
Edhe Hussain Abdul Hussain, analist irakiano-libanez i Foundation for Defense of Democracies, është skeptik për efektivitetin e Paktit të Mekës. Në një intervistë për I24News, ai vuri në dukje se Arabia Saudite është ndër vendet me shpenzimet më të mëdha ushtarake në botë, zotëron qindra avionë F-15, F-16 dhe F-18 dhe ndodhet në një prej periudhave më të rrezikshme që prej themelimit të mbretërisë në vitet 1930.
Sipas tij, nuk është e qartë se si mund ta shpëtonin Riadi Pakistani apo Turqia në rastin e një kërcënimi serioz. Pakistani nuk ka kapacitete raketore për të mbrojtur drejtpërdrejt Arabinë Saudite nga territori i vet, ndërsa Turqia ka qenë historikisht rivale e Riadit.
Siria, pika ku përplasen Ankaraja dhe Riadi
Në Siri, ish-provincën e Perandorisë Osmane që dikur përfshihej në konceptin e “Sirisë së Madhe”, ambiciet e Erdoganit përplasen drejtpërdrejt me ato të Mohammed bin Salman.
Ndërsa presidenti turk synon të zgjerojë ndikimin e Ankarasë në Siri, princi saudit po lobon për afrimin e Ahmed Al-Sharaa me Izraelin. Kjo u dëshmua edhe nga takimi mes drejtuesit të Mossadit dhe ministrit të Jashtëm sirian pas sulmit ndaj Abu Al-Duhur.
Në këtë kuptim, Siria mund të jetë një prej fushave ku interesat e dy prej fuqive të Paktit të Mekës nuk përputhen aspak. E ardhmja e marrëveshjes do të varet edhe nga rezultati i zgjedhjeve në Izrael, i vetmi vend mes aktorëve kryesorë rajonalë ku zhvillohen zgjedhje të lira, por mbi të gjitha nga e ardhmja e pranisë ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.
Për momentin, vlerësimi i Jeruzalemit për këtë triumvirat sunit duket se bazohet mbi një logjikë të vjetër: “Armiku i armikut tim është miku im!”. Bëhet fjalë për aleanca pragmatike dhe oportuniste, të ndërtuara më shumë mbi interesa të përbashkëta të momentit sesa mbi vlera apo objektiva strategjikë të përbashkët.
Dhe pikërisht për këtë arsye, historia sugjeron se ato mund të jenë po aq të brishta sa janë edhe të dobishme./ “Il Foglio”

