Lajme

Një teori surprizuese pse disa njerëz bëhen kriminelë

Studimi i fundit tregon se ndikon jo vetëm karakteri, por edhe faktorët socialë, historikë dhe psikologjikë

Pse disa njerëz bëhen më të prirur ndaj krimit dhe dhunës se të tjerët? Sipas studiuesve, përgjigjja nuk lidhet vetëm me karakterin ose personalitetin e individit.

Një analizë e publikuar së fundmi në revistën shkencore “Nature”, sugjeron se sjellja kriminale ndikohet nga shumë faktorë, përfshirë mjedisin social, periudhën historike dhe përvojat personale.

Studimi bazohet në kërkimet e kriminologut Robert Sampson nga Universiteti i Harvardit, autor i librit “Marked by Time”. Sipas tij, ideja se kriminaliteti përcaktohet vetëm nga karakteri është e tejkaluar.

Ai argumenton se për të kuptuar pse një person kryen krime duhet të analizohen edhe kushtet shoqërore dhe historike në të cilat jeton. Sampson thekson gjithashtu rëndësinë e recidivizmit (përsëritjes së sjelljes kriminale).

Personat që kanë kryer më parë një krim dhe janë arrestuar, kanë më shumë gjasa të rikthehen në sjellje kriminale. Kjo tregon se faktorët socialë dhe përvojat e jetës ndikojnë shumë në mënyrën se si zhvillohet sjellja e individit.

Edhe ekspertët e psikologjisë mbështesin idenë se kriminaliteti është rezultat i shumë faktorëve. Kriminologia Anna Maria Giannini nga Universiteti “La Sapienza” në Romë shpjegon se nuk mund të fajësohet vetëm karakteri, por as vetëm mjedisi social.

Sipas saj, sjellja kriminale është “multifaktoriale”, pra ndikohet nga kombinimi i elementëve biologjikë, psikologjikë dhe socialë. Ajo përmend edhe ndikimin e varësive si droga dhe alkooli, të cilat shpesh lidhen me rritjen e rrezikut për sjellje të dhunshme ose kriminale.

Një studim tjetër i vitit 2016, i realizuar nga studiuesi Scott Barry Kaufman mbi 130 të burgosur meshkuj në Suedi, zbuloi lidhje mes kriminalitetit dhe disa tipareve psikologjike si impulsiviteti, agresiviteti, armiqësia, ankthi social dhe kërkimi për emocione të forta.

Sipas kërkimeve, edhe mungesa e vetëkontrollit gjatë fëmijërisë mund të rrisë mundësinë që një person të kryejë veprime të dhunshme në adoleshencë ose në moshë madhore. Por studiuesit paralajmërojnë se këto tipare nuk janë të mjaftueshme për të shpjeguar kriminalitetin.

Nëse karakteri do të ishte faktori kryesor, niveli i krimit do të mbetej i njëjtë gjatë historisë. Por të dhënat tregojnë të kundërtën. Një shembull vjen nga një studim i madh mbi kriminalitetin në lagjet e Çikagos mes viteve 1995-2024.

Në vitet 1990, shumë qytete amerikane përjetuan rritje të fortë të krimit, por më pas pati një ulje graduale që vazhdoi deri në vitet 2010-2020. Studimi krahasoi dy grupe të rinjsh me kushte të ngjashme jetese, por që jetonin në periudha të ndryshme historike.

Të rinjtë e lindur në vitet 1980 kishin nivele më të larta përfshirjeje në krime sesa ata që u rritën pas vitit 1995. Kjo sipas Sampson, tregon se periudha historike dhe ndryshimet shoqërore ndikojnë ndjeshëm në kriminalitet.

Ekspertët janë marrë edhe me rastet kur krimet kryhen nga persona me probleme të shëndetit mendor. Ata paralajmërojnë se është gabim të lidhen automatikisht sëmundjet mendore me dhunën. Rastet kur autorët e krimeve vuajnë nga çrregullime të rënda mendore janë relativisht të rralla.

Sipas specialistëve, shpesh ndikojnë faktorë të tjerë, si ndërprerja e trajtimeve mjekësore, mungesa e mbështetjes sociale ose problemet me kujdesin për shëndetin mendor.

Studimet e fundit kanë analizuar edhe mënyrën si funksionon truri gjatë vendimeve të rrezikshme. Përmes rezonancës magnetike funksionale, studiuesit kanë vërejtur se te personat më të prirur për sjellje të paligjshme aktivizohen zona të ndryshme të trurit krahasuar me individët që respektojnë rregullat.

3sgIgLJ.png