Shkruar nga Vladimir B Pastukhov
Nga përplasja mes fashizmit dhe komunizmit në shekullin XX, te rikthimi i mundshëm i antagonizmave ideologjikë në Evropën e viteve 2030. Historia duket se po përgatitet të përsërisë vetveten, por këtë herë me aktorë të rinj dhe me forma të ndryshme të së njëjtës përplasje…
Një fantazmë po endet nëpër Evropë. Fantazma e komunizmit. Por ajo nuk endet më thjesht rrugëve. Tani ngrihet mbi rrokaqiejt e metropoleve evropiane, si Godzilla. E megjithatë, të gjithë vazhdojnë të kenë frikë nga fashizmi.
Për momentin, komunizmi i sotëm është vërtet i aftë të fshihet nën hijen e «valës së djathtë», çka e bën jashtëzakonisht të vështirë të dallohet në jetën e përditshme. Vetëm herë pas here ai shfaqet në gjithë madhështinë e vet, duke i detyruar borgjezët e tmerruar të vrapojnë drejt sigurisë së një getoje të rezervuar për ata që nuk pështyjnë në trotuar.
Ajo që është e jashtëzakonshme nuk është fakti që historia përsëritet, por që asaj i është dashur saktësisht një shekull për të përshkuar një cikël të plotë. Le ta pranojmë: sistemi ynë i matjes së kohës është krejtësisht arbitrar dhe historisë nuk i intereson aspak dashuria jonë për datat simbolike dhe numrat e rrumbullakët. E megjithatë, historia duket se ka vendosur t’u përmbahet besëtytnive tona, duke i bërë vitet tridhjetë të shekullit XXI po aq dramatike sa vitet tridhjetë të shekullit XX.
Jo menjëherë, por me sa duket pas një tjetër kthese historike, duket se jemi të destinuar të dëshmojmë një version të ri të dramës politike «Beteja përfundimtare mes fashizmit dhe komunizmit 2.0». Mund të shpresojmë vetëm që kjo të mos shërbejë si pararendëse e një tjetër serie, të titulluar «Beteja përfundimtare e njerëzimit». Por, për momentin, pikërisht në këtë drejtim duket se po shkojnë gjërat.
Sidoqoftë, degradimi i pothuajse të gjitha forcave politike të «qendrës» nënkupton se vija kryesore ndarëse e jetës politike evropiane gjatë viteve 2030 ka të ngjarë të jetë sërish një përplasje e drejtpërdrejtë mes fashizmit dhe komunizmit, në format e tyre më ekstreme.
Komunizmi, natyrisht, sot duket disi ndryshe nga ai i një shekulli më parë. Ai është shumë më pak i përqendruar te ndërtimi i një shoqërie të re. Komunistët e sotëm parapëlqejnë të mos ndërtojnë asgjë dhe, në fakt, të mos bëjnë asgjë. Megjithatë, ata mbeten të fiksuar pas idesë së vjetër revolucionare: të marrin gjithçka dhe ta ndajnë mes tyre.
Edhe fashizmi nuk është më ai që ka qenë dikur. Në vend që të pushtojë Lebensraum-in, ose “hapësirën jetike”, përtej qendrave të metropoleve, ai është i vendosur t’i rimarrë këto qendra nga “të huajt” që ndodhen brenda tyre. Megjithatë, në aspektin emocional, ai vazhdon të ushqehet nga ksenofobia dhe dëshira për të stigmatizuar një armik të brendshëm, të cilit mund t’i atribuohet çdo fatkeqësi që i ka ndodhur kombit.
Baza shoqërore e fashizmit është e dukshme për të gjithë dhe, për këtë arsye, mund të mobilizohet lehtësisht përmes sloganeve populiste. Baza shoqërore e komunizmit, përkundrazi, ndodhet disi më thellë nën sipërfaqe dhe kërkon më shumë kohë për t’u vënë në lëvizje. Por kjo shtresë më e thellë është njëkohësisht më e gjerë dhe më e qëndrueshme.
Në thelb të saj qëndron një aleancë e ngushtë mes prekariatit dhe islamizmit, e spërkatur bujarisht nga lart me një liker ideologjik të së majtës, i prodhuar në sasi të pakufizuara në Evropë dhe Amerikë gjatë dyzet viteve pas rënies së komunizmit në Bashkimin Sovjetik.
Në mënyrë të pashmangshme, kjo i jep valës së majtë në zhvillim një profil të qartë antihebraik, duke na nxitur edhe një herë të reflektojmë mbi ironinë e historisë, e cila di jo vetëm të përsërisë vetveten, por edhe të ndryshojë petkun e saj.

