Lufta e SHBA-së dhe Izraelit me Iranin dhe kufizimi i lundrimit në Ngushticën e Hormuzit kanë shkaktuar një nga goditjet më të mëdha për transportin detar ndërkombëtar në dekadat e fundit.
Sipas Newsbomb, duke iu referuar të dhënave të publikuara nga Al Jazeera, para konfliktit nëpër Hormuz kalonin më shumë se 100 anije në ditë. Aktualisht kalojnë mesatarisht vetëm pesë, një rënie prej rreth 95%.
Ngushtica e Hormuzit ka rëndësi strategjike për furnizimin botëror me energji. Para luftës, përmes saj kalonte rreth 38% e naftës së papërpunuar të transportuar në rrugë detare në botë, 29% e gazit të lëngshëm të naftës (LPG) dhe 19% e gazit natyror të lëngshëm (LNG).
Pas përshkallëzimit të konfliktit, eksportet e naftës së papërpunuar nga rajoni i Gjirit kanë rënë me rreth 47%, nga afro 17 milionë fuçi në ditë në vitin 2025 në rreth 9 milionë në ditë në gusht 2026. Analistët vlerësojnë se aktualisht ndërpritet transporti i 5 deri në 7 milionë fuçive naftë në ditë.
Kufizimet kanë detyruar kompanitë e transportit të ndryshojnë rrugët, duke orientuar një pjesë të flukseve drejt Detit të Kuq dhe Azisë Juglindore. Singapori dhe Malajzia po marrin një rol më të madh si qendra për ridrejtimin e furnizimeve energjetike.
Pasojat po reflektohen edhe te konsumatorët. Çmimet e naftës janë rreth 20% më të larta se përpara luftës, ndërsa vendet që varen fort nga energjia e Lindjes së Mesme përballen me kosto më të larta dhe vonesa në furnizime.
Ekspertët paralajmërojnë se muajt e ardhshëm mund të sjellin luhatje të mëtejshme nëse situata në Hormuz nuk ndryshon, veçanërisht pasi rezervat që kishin zbutur goditjen fillestare të krizës po pakësohen.

