Ngushtica e Hormuzit, një nga arteriet më të rëndësishme të tregtisë botërore të energjisë, mund të mos rikthehet më kurrë në normalitetin e mëparshëm, sipas vlerësimeve të analistëve të sigurisë dhe ekspertëve ushtarakë.
Instituti për Studimin e Luftës (ISW), thotë se regjimi iranian mund të përpiqet të shfrytëzojë negociatat me Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund konfliktit aktual, duke i orientuar ato drejt çështjeve më të gjera rajonale dhe duke fituar kohë për të konsoliduar pozitat e tij strategjike.
Analistët vlerësojnë se Teherani mund të përdorë këtë periudhë për të legjitimuar skemën e tij të kontrollit të trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit dhe për të forcuar ndikimin de facto mbi këtë korridor jetik për ekonominë globale.
Teksa ka folur për zhvillimet e fundit, analisti ushtarak Michael Clarke tha se autoritetet iraniane janë surprizuar nga lehtësia me të cilën kanë arritur të ushtrojnë presion mbi lundrimin në zonë.
“Iranianët janë habitur nga sa e lehtë është të kontrollosh ngushticën”, u shpreh Clarke.
Ai paralajmëroi se pasojat e kësaj situate do të shkojnë përtej kostove të menjëhershme ekonomike.
“Kostoja që mbartim ne të tjerët, përveç kostos së menjëhershme ekonomike që po mbartim të gjithë, është se Ngushtica e Hormuzit nuk do të kthehet më kurrë në gjendjen e mëparshme”, tha ai.
Sipas Clarke, tashmë është krijuar një realitet i ri strategjik, ku çdo veprim i Iranit mund të ndikojë menjëherë në lëvizjen e anijeve dhe në tregjet ndërkombëtare.
“Tani të gjithë e dimë se iranianët mund ta bëjnë të rrezikshme përsëri menjëherë. Ata mund të marrin një vendim 24 orë më vonë, disa të shtëna me armë drejt anijeve që kalojnë dhe gjithçka do të ndalet”, shtoi ai.
Në përfundim, eksperti theksoi se perceptimi i sigurisë në këtë rrugë ujore ka ndryshuar përgjithmonë.
“Ngushtica e Hormuzit nuk do të kthehet më kurrë në rrugën ujore që ishte, sepse ne kemi kaluar nëpër këtë proces”, deklaroi Clarke.

