Pas gati tetë orësh protestë, situata në Tiranë duket se po i rikthehet normalitetit. Tubimi që nisi para Ministrisë së Arsimit u përshkallëzua në përplasje me policinë, zjarre në rrugë, dëmtime institucionesh dhe bllokime trafiku. Sipas bilancit të fundit të raportuar, 19 persona janë lënduar dhe mbi 40 janë shoqëruar në polici.
Pas gati tetë orësh protestë, Tirana duket se po i rikthehet gradualisht qetësisë, pas një pasditeje dhe mbrëmjeje të shoqëruar me tensione të forta, përplasje mes protestuesve dhe policisë, zjarre në rrugë dhe dëmtime të pronës publike e private.
Protesta e studentëve, e cila nisi rreth orës 14:20 përpara Ministrisë së Arsimit, u shndërrua gjatë orëve në vijim në një seri përplasjesh që përfshinë disa zona të kryeqytetit.
Ndryshe nga tubimet kryesisht paqësore të zhvilluara gjatë 135 ditëve të mëparshme para Kryeministrisë, protesta e sotme shënoi një përshkallëzim të dukshëm, si për nga intensiteti i përplasjeve, ashtu edhe për nga dëmet e shkaktuara.
Tensionet nisën përpara Ministrisë së Arsimit, ku studentët u mblodhën për të shprehur pakënaqësitë lidhur me kushtet e studimit, kostot universitare dhe perspektivën e të rinjve në vend.
Situata u përshkallëzua pas hedhjes së gurëve dhe sendeve të tjera të forta drejt godinës dhe efektivëve të policisë. Forcat e rendit ndërhynë për të shpërndarë protestuesit, duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
Megjithatë, ndërhyrjet nuk i dhanë fund tubimit. Protestuesit u rigrupuan dhe vijuan lëvizjen në rrugët e kryeqytetit.
Një nga momentet më të tensionuara u regjistrua në Rrugën e Durrësit dhe në rrugën “Mine Peza”, ku u ndezën disa vatra zjarri me materiale të grumbulluara në rrugë. Tymi dhe flakët mbuluan zonën, ndërsa u regjistruan dëmtime të bizneseve dhe objekteve përreth.
Gjatë incidenteve, një grup protestuesish hyri në një pikë të Iute Credit, prej nga nxori orendi që më pas u dogjën në rrugë.
Policia vijoi ndërhyrjet, ndërsa grupe protestuesish u zhvendosën drejt qendrës së qytetit.
Një tjetër episod i tensionuar u regjistrua përpara Bashkisë së Tiranës, ku disa të rinj me fytyra të mbuluara hapën derën e godinës dhe arritën të hynin në hollin e institucionit.
Forcat e policisë ndërhynë me gaz lotsjellës, duke i larguar nga ambientet e brendshme. Gjatë përplasjeve u hodhën sende të forta dhe u thyen xhamat e Bashkisë, si edhe të disa ministrive përreth.
Më vonë u publikuan edhe pamje nga brenda godinës së Bashkisë, ku shihej një vatër zjarri. Përmasat e dëmeve të shkaktuara në institucion nuk janë konfirmuar ende.
Pas ndërhyrjeve të policisë, protesta nuk u përqendrua më në një vend të vetëm. Grupe protestuesish u zhvendosën në Sheshin Skënderbej, në drejtim të Bulevardit Zogu I, te Ushtari i Panjohur dhe në zonën e 9-katësheve, ku vijuan hedhjet e gurëve dhe përdorimi i gazit lotsjellës.
Më pas, tensionet u shtrinë edhe drejt Pazarit të Ri, Selvisë, Rrugës së Dibrës dhe rrugës “Hoxha Tasim”.
Në disa prej këtyre zonave u dogjën kosha mbeturinash, dyshekë dhe materiale të tjera, ndërsa tymi dhe flakët vështirësuan qarkullimin. Zhvendosja e vazhdueshme e grupeve të protestuesve dhe ndërhyrjet e policisë shkaktuan bllokime trafiku, duke rënduar situatën në qendër të kryeqytetit për disa orë.
Sipas bilancit të fundit të raportuar, numri i personave të lënduar gjatë protestës ka arritur në 19, ndërsa mbi 40 persona janë shoqëruar në polici.
Në Spitalin e Traumës ndodhen gjashtë të lënduar, katër protestues dhe dy kalimtarë, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën. Gjashtë efektivë policie dhe dy gazetarë kanë marrë ndihmë mjekësore dhe më pas janë larguar. Një prej gazetarëve është lënduar nga goditja me tullë në kokë.
Në QSUT “Nënë Tereza” po merr trajtim një kalimtar, punonjës i trupit diplomatik, ndërsa katër protestues të tjerë janë mjekuar dhe janë larguar.
Ndërkohë, Avokati i Popullit ka nisur një hetim administrativ për përdorimin e forcës nga policia, për të verifikuar nëse ndërhyrjet kanë qenë të domosdoshme dhe proporcionale.
Përgjatë protestës janë dëgjuar vazhdimisht thirrjet “Dorëheqje, dorëheqje!”, drejtuar qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Në momente të caktuara janë dëgjuar edhe brohoritjet “Rama në burg, Berisha në burg”, duke shprehur kundërshtim ndaj figurave kryesore të mazhorancës dhe opozitës.
Protesta e sotme shënoi një fazë të re të tubimeve kundër qeverisë pas 135 ditësh protestash kryesisht paqësore para Kryeministrisë. Të shohim nëse tani do të reflektojë Kryeminsitri.

