Shkruar nga Gjergj Zefi
Si në rastin e Club Med-it, edhe sot karta e minoritetit dhe zhurma nacionaliste po përdoren për të goditur një projekt strategjik që mund të ndryshojë peshën ekonomike të bregdetit shqiptar...
Kush e mban mend rastin e Kakomesë, sheh një analogji të afërt me rastin e Zvërnecit. Edhe pse, natyrisht, në të dyja rastet ka shumë pika dhe çështje që ndryshojnë.
Megjithatë, rezultantja është e ngjashme: në të dyja rastet bëhet fjalë për investime të mëdha ndërkombëtare, të cilat ngjallin një uragan të çuditshëm kundërshtimi, ku tangentja përkon me Greqinë.
Në Kakome, në vitin 2004, një kompani e fuqishme europiane në fushën e turizmit, francezja Club Med, u interesua për të ndërtuar një resort luksoz në Gjirin e Kakomesë. Një zonë ku pjesa më e madhe e plazhit ishte tokë shtetërore.
Qeveria e Fatos Nanos kreu negociatat paraprake dhe arriti një akord për procedurat e ligjërimit të truallit, së paku parimisht.
Si partner shqiptar, kolosi francez përzgjodhi një nga operatorët e rëndësishëm të biznesit në Shqipëri, një nga biznesmenët më të njohur shqiptarë, që kishte operuar në turizëm, tregti, ndërtim dhe në tregun e sigurimeve.
Ai arriti të siguronte edhe kapitalet e nevojshme për të qenë partner i besuar i kompanisë ndërkombëtare. Por nuk kaloi shumë kohë dhe nisi uragani i kontestimit, ku përveç banorëve të zonës, në lojë hynë edhe PBDNJ-ja, OMONIA dhe natyrisht Athina zyrtare.
Atyre iu bashkua në atë kohë edhe Partia Demokratike e Sali Berishës.
Kjo bëri që qeveria shqiptare të tërhiqej, duke e dëmtuar rëndë operatorin vendas të partneritetit me Club Med, deri në prag të kolapsit financiar.
Edhe në atë kohë u fol për prona të minoritetit grek në Kakome.
Shikojeni sot situatën: Gjiri i Kakomesë, një nga perlat e natyrës shqiptare me potencial të madh, nuk u zhvillua as për banorët dhe as për operatorët botërorë.
Ndërkaq, edhe sot Athina ka nxjerrë kartën e minoritetit në Zvërnec, ku gjithashtu po afrohet një investim edhe më i fuqishëm se ai në Kakome.
Strategjia është mjaft djallëzore: edhe nëse nuk arrihet të provohet ekzistenca e një minoriteti, krijohet përshtypja e një pretendimi. Dhe këtë e mbështesin qarqe jo shumë serioze, media apo organizata nacionaliste, të cilat gjithsesi zhurmën e bëjnë.
Në rast diskutimi, çështja shtrohet për t’u bërë pjesë e tryezës.
Pra, me një gur vriten dy zogj: goditet një potencial i rëndësishëm konkurrence për veriun e Greqisë, siç mund të jetë një kolos investimesh i lidhur me Jared Kushner dhe kapitalin e Katarit, dhe nga ana tjetër zgjerohet gjeografia e minoritetit, duke e shtyrë më në veri.
Në Nartë dhe Zvërnec nuk ka minoritet grek, por ka pasur gjithmonë pretendime të Greqisë për ortodoksët e Nartës, të cilët kanë folur greqisht si pasojë e gjuhës së kishës.
Kisha ka një influencë të rëndësishme si në Manastirin e Zvërnecit, ashtu edhe në komunitetin e zonës. Një investim ndërkombëtar do ta kthente atë zonë në një potencial të zhvilluar ekonomikisht, ku pavarësia ekonomike dhe financiare do ta bënte më pak të varur nga fuqia magnetike e Athinës apo e Kishës Ortodokse.
Vlorën, Athina ndoshta e konsideron edhe më të rëndësishme se Himarën, pikërisht për shkak të zonës së Nartës, ku ka pasur gjithmonë një objektiv të rëndësishëm politik dhe influence.
Anastas Janullatos, ish-kreu i Kishës Ortodokse, ka pasur shumë kujdes të afrojë sa më shumë klerikë nga ajo zonë, për të krijuar një lidhje, qoftë edhe të sajuar. Siç është Anastasi, numri dy i Kishës Ortodokse të sotme, i ardhur nga një familje myslimane dhe i pagëzuar me emrin e ish-kryepeshkopit.
Çështja është serioze.
Por nga ana tjetër, Tirana zyrtare nuk ka pasur kurrë guximin ta mohojë apo të protestojë për këtë pretendim grek, i cili është shtruar më shumë se një herë: qoftë me gjuhën e mediave, me gjuhën e qarqeve të caktuara, apo edhe me sjelljen e klerikëve grekë të Kishës Ortodokse shqiptare.
Ja ku jemi sot. Si pasojë e kësaj heshtjeje, ose më saktë e lënies së hapësirës për Athinën në sofrën tonë, oreksi grek është shtuar vazhdimisht. Ndërsa ne mbetemi me ‘gisht në gojë’ sa herë shpërthen mina që është përgatitur prej kohësh.
Sikur gjërat të priteshin shkurt dhe në kohën e duhur, debatet mes nesh do t’i bënim pa frikën dhe kompleksin e ‘hanxhiut’ nga kufiri ngjitur.

