Lajme

Nga energjia te kufijtë: Si po e ndryshon Ballkanin përplasja SHBA-BE?

Për dekada me radhë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vepruan si aleatë në Ballkan, duke investuar në paqe, stabilitet dhe integrim. Megjithatë sot, rivaliteti mes tyre po shtrihet edhe në këtë rajon, duke nxitur frikën se tensionet e vjetra mund të rikthehen në një formë të re...

Ballkani Perëndimor është kthyer sërish në qendër të vëmendjes së fuqive të mëdha. Ndërsa debati ndërkombëtar përqendrohet te marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Brukselit, te NATO-ja, Ukraina apo Lindja e Mesme, një përplasje më pak e dukshme po zhvillohet në kufijtë juglindorë të Evropës.

Rajoni, i përbërë nga Bosnjë-Hercegovina, Serbia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi, bart ende plagët e luftërave të përgjakshme të viteve 1990. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian punuan së bashku për të rivendosur stabilitetin, për të rindërtuar ekonomitë e shkatërruara dhe për t’i afruar këto vende me strukturat euroatlantike.

Për shumë vite, strategjia e përbashkët ishte e qartë: paqe, reforma dhe integrim. Megjithatë sot, kjo qasje duket se po ndryshon. Në vend të bashkëpunimit, po shfaqet një konkurrencë e re për ndikim politik, ekonomik dhe strategjik.

Kjo përplasje bëhet veçanërisht e dukshme në Bosnjë-Hercegovinë, vendi që vazhdon të konsiderohet si pika më e brishtë e Ballkanit. Lufta e viteve 1992-1995, la pas një sistem politik tepër të ndërlikuar, të ndërtuar mbi ndarjen e pushtetit midis boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve.

Për të garantuar ruajtjen e paqes, u krijua posti i Përfaqësuesit të Lartë, një funksionar ndërkombëtar me kompetenca të jashtëzakonshme për të ndërhyrë në jetën politike të vendit. Për shumë vite, kjo strukturë u konsiderua si një garanci kundër rikthimit të konfliktit.

Megjithatë, tani vetë ekzistenca e këtij institucioni është bërë objekt polemikash. Administrata amerikane e lidhur me Donald Trumpin ka kërkuar kufizimin e kompetencave të Përfaqësuesit të Lartë, ndërsa Bashkimi Evropian vazhdon ta konsiderojë atë një instrument të domosdoshëm për ruajtjen e stabilitetit.

Kritikët argumentojnë se tri dekada pas përfundimit të luftës, është e vështirë të justifikohet ekzistenca e një zyrtari të huaj, i cili ushtron kompetenca që nuk burojnë nga vullneti i qytetarëve të Bosnjës.

Ky debat lidhet drejtpërdrejt edhe me ndikimin rus në rajon. Moska e ka kundërshtuar vazhdimisht rolin e Përfaqësuesit të Lartë, një qëndrim i mbështetur edhe nga Milorad Dodik, lideri i serbëve të Bosnjës.

Dodik ka kërcënuar disa herë me shkëputjen e Republikës Srpska nga Bosnjë-Hercegovina dhe me bashkimin e saj me Serbinë. Në të kaluarën, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë mbajtur një qëndrim të bashkuar kundër këtyre lëvizjeve, por sot situata duket më e paqartë.

Edhe lufta në Ukrainë po e ndërlikon më tej panoramën. Analistët paralajmërojnë se çdo ndryshim kufijsh, i pranuar si rezultat i përdorimit të forcës, mund të krijojë një precedent të rrezikshëm për Ballkanin.

Nëse Perëndimi do të pranonte ndryshime territoriale në Ukrainë, aktorë të ndryshëm në rajon mund të ngrinin pyetjen: përse të mos zbatohet i njëjti parim edhe këtu? Serbia mund ta përdorte këtë argument në lidhje me Kosovën, ndërsa serbët e Bosnjës mund ta shihnin si një mundësi për të kërkuar shkëputjen.

Megjithatë, konkurrenca mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian nuk kufizohet vetëm te çështjet e sigurisë. Ekonomia është shndërruar në një tjetër fushë përballjeje. Një nga projektet më ambicioze lidhet me eksportin e gazit natyror të lëngshëm amerikan drejt Ballkanit Perëndimor.

Për këtë qëllim, Uashingtoni po mbështetet te një terminal lundrues, i vendosur pranë brigjeve kroate, nga ku gazi do të transportohej drejt Bosnjës dhe më pas në Serbi.

Administrata Trump e ka paraqitur këtë nismë si një mënyrë për të zvogëluar varësinë energjetike të rajonit nga Rusia dhe për të krijuar lidhje të reja ekonomike.

Sipas mbështetësve të projektit, tregtia dhe investimet mund të shërbejnë si faktorë stabiliteti. Megjithatë, kritikët pretendojnë se situata është shumë më e ndërlikuar. Ata argumentojnë se administrata amerikane po favorizon kompani që kanë lidhje të drejtpërdrejta me njerëz të afërt të Donald Trumpit.

Një nga rastet më të përfolura është ai i projektit ‘Southern Interconnector”, një gazsjellës që do të lidhte Kroacinë, Bosnjën dhe Serbinë. Pas vitesh të tëra bllokimesh, projekti përparoi me shpejtësi të pazakontë dhe iu besua një kompanie amerikane pa përvojë në këtë sektor.

Kundërshtarët e projektit e kanë cilësuar këtë veprim si një shembull të qartë të ndërthurjes së interesave politike me ato ekonomike. Shqetësime të ngjashme janë ngritur edhe në vende të tjera të rajonit.

Për shembull në Serbi, një tender për ndërtimin e një hidrocentrali të ri u kritikua për shkak se favorizonte kompanitë amerikane. Edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po monitorohen nga afër për marrëveshjet e tyre energjetike me SHBA-në.

Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian vazhdon të mbetet investitori më i madh në Ballkanin Perëndimor. Më shumë se gjysma e investimeve të huaja në rajon vijnë nga vendet e BE-së, ndërsa pjesa e SHBA-së mbetet shumë më e vogël.

Megjithatë, Brukseli përballet me një problem serioz: humbjen e besueshmërisë. Premtimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian ka qenë për vite me radhë instrumenti më i fuqishëm i ndikimit evropian në rajon. Por që nga pranimi i Kroacisë në vitin 2013, asnjë vend tjetër nuk është bërë pjesë e bllokut.

Në Ballkan, shumë qytetarë kanë filluar ta shohin integrimin evropian si një objektiv gjithnjë e më të largët. Kjo ndjenjë zhgënjimi, ka krijuar hapësirë për aktorë të tjerë, të gatshëm të ofrojnë investime të shpejta dhe marrëveshje më pak të kushtëzuara nga standardet demokratike.

Për këtë arsye, Franca dhe Gjermania po shqyrtojnë mundësinë e një qasjeje më fleksibël, e cila do t’u lejonte vendeve kandidate të përfitonin qasje më të hershme në tregun evropian dhe në programet e BE-së, pa pritur anëtarësimin e plotë.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse këto masa do të mjaftojnë për të ndryshuar situatën. Lufta në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme dhe përplasjet tregtare globale, vazhdojnë të përthithin pjesën më të madhe të vëmendjes së Brukselit.

Në këtë mënyrë, Ballkani rrezikon të mbetet sërish në periferi të interesave strategjike evropiane, ndërsa ndikimi amerikan, rus dhe ai i fuqive të tjera vazhdon të rritet.

Për shumë vëzhgues, pyetja më e rëndësishme nuk është se cila palë do të fitojë këtë garë, por se kush do të paguajë çmimin e saj. Përgjigjja duket e qartë. Ashtu siç ka ndodhur edhe më parë, barra më e rëndë mund të bjerë mbi qytetarët e zakonshëm, të cilët do të përballen me pasojat e vendimeve të marra shumë larg kryeqyteteve të tyre.

Tridhjetë vjet pas përfundimit të luftërave jugosllave, Ballkani Perëndimor vazhdon të mbetet një rajon ku kufijtë, identitetet dhe interesat gjeopolitike ndërthuren në mënyrë të rrezikshme. Dhe ndërsa Amerika dhe Evropa ndjekin rrugë gjithnjë e më të ndryshme, askush nuk mund të thotë me siguri se ku do të përfundojë kjo përçarje./“DW News”

3sgIgLJ.png