Netët e nxehta nuk sjellin vetëm parehati dhe vështirësi për të fjetur. Kur temperaturat mbeten të larta edhe pas perëndimit të diellit, organizmi humbet një pjesë të kohës që normalisht përdor për t’u rikuperuar nga nxehtësia dhe ngarkesa e ditës.
Shkencëtarët po i kushtojnë gjithnjë e më shumë vëmendje pikërisht temperaturave gjatë natës, ndërsa periudhat e vapës po zgjasin dhe të ashtuquajturat “net tropikale” po bëhen më të shpeshta.
Sipas një analize të të dhënave të Copernicus Climate Change Service, që nga vitet 1970 temperatura minimale e perceptuar gjatë 10 netëve më të nxehta të çdo viti është rritur në nivel global me rreth 0.32°C për dekadë.
Në të njëjtën periudhë, numri i “netëve tropikale”, kur temperatura nuk zbret nën 20°C, është rritur mesatarisht me rreth dy net për çdo dekadë.
Problemi lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si funksionon trupi gjatë gjumit.
Gjatë natës, rrahjet e zemrës dhe aktiviteti i përgjithshëm fiziologjik ulen. Në të njëjtën kohë bie edhe temperatura e brendshme e trupit. Ky proces i jep mundësi sistemit nervor, imunitar dhe kardiovaskular të rikuperohen.
Kur dhoma mbetet shumë e nxehtë, organizmi e ka më të vështirë të largojë nxehtësinë. Enët e gjakut pranë sipërfaqes së lëkurës zgjerohen, zemra duhet të punojë më shumë për qarkullimin e gjakut dhe djersitja mund të shkaktojë humbje të lëngjeve dhe dehidratim.
Rezultati mund të jetë i njohur për shumë njerëz gjatë verës: duhet më shumë kohë për të fjetur, zgjohesh disa herë gjatë natës dhe në mëngjes gjumi nuk të duket çlodhës.
Situata bëhet më problematike kur netët e nxehta përsëriten. Pas një nate me gjumë të dobët dhe pa mundësi për t’u freskuar, trupi e nis ditën tjetër tashmë të ngarkuar, pikërisht në momentin kur temperaturat fillojnë të rriten përsëri.
Studiuesit po shqyrtojnë nëse mungesa e përsëritur e rikuperimit gjatë natës mund të jetë një prej arsyeve pse valët e zgjatura të të nxehtit ndikojnë kaq shumë në shëndet.
Për netët kur vapa nuk të lë të flesh, disa masa të thjeshta mund të ndihmojnë:
1. Hapni dritaret në orët e duhura. Pas perëndimit të diellit, kur ajri jashtë është më i freskët se ai brenda shtëpisë, hapja e dritareve ndihmon në largimin e nxehtësisë së grumbulluar gjatë ditës.
2. Mbajeni nxehtësinë jashtë gjatë ditës. Mbyllni grilat, roletat ose perdet, veçanërisht në dritaret ku bie drejtpërdrejt dielli. Sa më pak të nxehet shtëpia gjatë ditës, aq më e lehtë do të jetë të freskohet në mbrëmje.
3. Zgjidhni çarçafë dhe veshje të lehta. Materialet e lehta dhe veshjet e lirshme e ndihmojnë trupin të çlirojë më mirë nxehtësinë dhe e bëjnë gjumin më të rehatshëm.
4. Bëni një dush të freskët para gjumit. Një dush mund të ndihmojë në freskimin e trupit përpara se të shtriheni, veçanërisht pas një dite me temperatura të larta.
5. Kujdesuni për hidratimin. Pini lëngje gjatë ditës dhe kufizoni alkoolin dhe kafeinën, sidomos në orët përpara gjumit. Djersitja gjatë vapës rrit humbjen e lëngjeve nga organizmi.
6. Zgjidhni pjesën më të freskët të shtëpisë. Nëse dhoma e gjumit ka grumbulluar shumë nxehtësi, një ambient tjetër i shtëpisë mund të ofrojë kushte më të mira për të kaluar natën.
7. Fikni pajisjet elektrike që nuk ju duhen. Pajisjet elektronike prodhojnë nxehtësi edhe kur kontributi i secilës duket i vogël. Fikja e atyre që nuk përdoren mund të ndihmojë që ambienti të mos nxehet më tej.
Netët e nxehta, pra, nuk janë vetëm një bezdi verore. Kur përsëriten për ditë me radhë, ato mund të prishin gjumin dhe t’i heqin trupit një pjesë të rëndësishme të kohës që i nevojitet për t’u rikuperuar.

