Lajme

Në UT u prezantuan rezultatet e projektit “Drejtësia – Sfidë e gjyqësorit të Maqedonisë së Veriut”

Në Universitetin e Tetovës, përkatësisht në Klinikën Juridike të Fakultetit Juridik u prezantuan rezultatet e projektit kërkimor-shkencor “Drejtësia – Sfidë e Gjyqësorit të Maqedonisë së Veriut”, një iniciativë e rëndësishme në fushën e drejtësisë dhe reformës gjyqësore në vend.

Ky projekt është menaxhuar nga një ekip i përbërë nga emra të njohur të fushës së drejtësisë si: Prof. Dr. Agim Nuhiu, Prof. Dr. Sulejman Ahmedi, Prof. Dr. Ferat Polisi, Prof. Dr. Bashkim Selmani, Prof. Dr. Shpresa Alimi – Memedi, Prof. Dr. Faton Shabani, Prof. Dr. Fisnike Bekteshi – Shaqiri, Prof. D. Bukurije Ademi dhe Doc. Dr. Drita Muharemi.

Ky hulumtim burimor dhe i pavarur kishte për qëllim të identifikojë problemet aktuale në sistemin gjyqësor të Maqedonisë së Veriut, duke kontribuar në përmirësimin e transparencës, përgjegjshmërisë dhe integritetit brenda këtij sistemi jetik për shoqërinë.

Koordinatori i këtij projekti Prof. Dr. Agim Nuhiu theksoi se objektivat kryesore përfshinë: (Azhurtiten) Përditësimin e praktikave të punës së gjykatave në Maqedoninë e Veriut; Analizën e parashtresave dhe ankesave ndaj punës së gjyqtarëve dhe përgjegjësisë së tyre; Vlerësimin e drejtësisë evropiane si sfidë për gjyqësorin e vendit; Opinione dhe qëndrime nga profesoriati dhe studentët e Fakultetit Juridik mbi sfidat aktuale në sistemin gjyqësor.

Ai po ashtu tha se janë nxjerrë konkluzione dhe rekomandime shkencore që do t’u dërgohen institucioneve përkatëse shtetërore, me qëllim që të merren masa konkrete dhe të nevojshme për përmirësimin e funksionimit të drejtësisë.

Ky hulumtim njëkohësisht forcon bindjen se drejtësia është një vlerë thelbësore për çdo shoqëri të civilizuar, duke promovuar barazinë, luftuar padrejtësitë dhe garantuar respektin për të drejtat e njeriut.

3sgIgLJ.png
3svPxtI.png