Shkruar nga Paolo Lepri
Ukraina, Moldavia dhe vendet e Ballkanit nuk mund të presin pafundësisht…
Mësimi që vjen nga Islanda, pas “jo”-së së votuesve ndaj rifillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në një referendum me pasoja të rëndësishme, është se zgjerimi evropian nuk është një shëtitje në park. Në të vërtetë, nuk është një “darkë gala”, siç tha Mao Ce Duni më pak se një shekull më parë, duke folur për Revolucionin. E citojmë “timonierin e madh”, megjithëse me ngurrim, sepse ndërtimi i një shtëpie të përbashkët në kontinentin tonë, dikur të ndarë dhe të shënuar nga kufij antihistorikë, ishte një revolucion i vërtetë, në disa aspekte ende pjesërisht i papërfunduar. Kushdo që e njeh erën e akullt që fryn në Rejkjavik edhe në kulmin e verës, sot mund të këshillojë vetëm kujdes.
Ndërtimi i një Evrope edhe më të madhe kërkon, para së gjithash, arritjen e konsensusit, si çdo operacion politik. Më pas vijnë vizioni strategjik, ndjenja e përgjegjësisë dhe fryma e bashkëpunimit, e mbështetur në interesin e përbashkët. Ky është një proces i nevojshëm në trazirat globale të sotme, por nuk duhet marrë si diçka e mirëqenë.
Këtë e dëshmon referendumi i mbajtur në këtë ishull, qytetarët e të cilit preferuan të “ecnin vetëm”, siç përsëritën pa pushim gjatë fushatës ata që kundërshtuan propozimin e qeverisë. Një formulim i paqartë, mbi të cilin ia vlen të reflektohet. Rifillimi i rrugës drejt anëtarësimit në BE dhe mirëpritja e Islandës në klubin evropian do të kishin qenë, në fakt, një skenar i favorshëm për të dyja palët, si për Rejkjavikun, ashtu edhe për Brukselin. Negociatat u ngrinë në vitin 2013, kur njëmbëdhjetë nga 33 kapitujt ishin përfunduar me sukses, dhe u braktisën përfundimisht në vitin 2015. Do të kishte qenë e mundur të rifillohej prej andej dhe të synohej tejkalimi i kandidatëve të tjerë, madje edhe i Ukrainës së goditur rëndë, së cilës, siç dihet, i është mohuar një rrugë e përshpejtuar, për t’u bërë anëtari i njëzet e tetë. “Brenda një viti e gjysmë”, deklaroi ministrja e Jashtme, Þorgerður Katrín Gunnarsdóttir. Evropa do të kishte mirëpritur një vend të pasur dhe modern, ndërsa Islanda do të kishte pasur mundësinë të stabilizonte ekonominë e saj.
Kjo nuk ndodhi, pavarësisht përpjekjeve të kryeministres socialdemokrate Kristrún Frostadóttir, e cila veproi me kujdes dhe ditët e fundit deklaroi se do të mirëpriste “çdo rezultat”. Nuk mjaftuan as garancitë e qeverisë se vetëm një referendum i dytë mund të jepte një dritë jeshile të mundshme për anëtarësimin në BE. Paradoksi që po shohim sot, jo vetëm në Islandë, është se votuesit e pavendosur ose të pasigurt shpesh zgjedhin në fund një “jo” përfundimtare në vend të një “po”-je të kushtëzuar. Dhe propaganda shpesh e shtyn debatin në një drejtim të caktuar, duke zhdukur nuancat. “Opozita e paraqiti referendumin sikur të ishte tashmë për anëtarësimin, në vend që të ishte për rifillimin e negociatave”, tha për Politico Maximilian Conrad, profesor në Universitetin e Rejkjavikut.
Sigurisht, ekziston edhe çështja e peshkimit, një temë thelbësore në një vend ku 40 për qind e eksporteve vijnë nga industria e peshkimit dhe ku ekziston frika se, pas anëtarësimit në BE, anijet evropiane mund të hyjnë në ujërat e tij. Votuesit nuk u bindën nga Gunnarsdóttir, e cila, siç theksoi Financial Times, argumentoi se rëndësia strategjike në rritje e Islandës dhe forcimi i ekonomisë së saj do të ishin faktorë vendimtarë për arritjen e një marrëveshjeje të favorshme me Brukselin dhe për ruajtjen e kontrollit kombëtar mbi detet. Ndarja e opinionit publik në këtë pikë, me kryeqytetin që voton në një mënyrë dhe zonat jo urbane në një tjetër, është një rast tipik i epokës së sovranizmit, në një vend që është pjesë e Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë, EFTA-s, Zonës Ekonomike Evropiane dhe zonës Shengen, prej të cilave përfiton dukshëm. Brukseli dhe Rejkjaviku nuk janë aspak larg njëri-tjetrit.
Në politikë, gjithçka është e mundur, por sigurisht do të jetë e vështirë të rihapen dyert që tashmë janë mbyllur. Megjithatë, vota islandeze është ndërkohë një sinjal për Brukselin, ku zhgënjimi nuk mund të shndërrohet në dorëheqje apo në ulje të ambicieve. Në këtë pikë është e qartë se na duhet më shumë Evropë, jo më pak Evropë. Në një botë pa rregulla, ku Donald Trump kërcënon të aneksojë Groenlandën, duke e ngatërruar ndonjëherë edhe me vetë Islandën, fuqia tërheqëse e kontinentit tonë dhe aftësia e tij për të bindur votuesit që votuan “jo” do të kishin qenë më të mëdha nëse vitet e fundit do të ishin ndërmarrë hapa vendimtarë për të luajtur një rol udhëheqës në skenën ndërkombëtare, në mbrojtje, siguri dhe në mbrojtjen e qytetarëve. Kjo është edhe më domethënëse për një vend pa ushtri, anëtar themelues i NATO-s, të cilën presidenti amerikan dëshiron ta zvogëlojë ose ta braktisë.
Pikërisht brenda këtij kuadri lind çështja e zgjerimit. Dështimi i referendumit të së shtunës, më 29 gusht, edhe për shkak të gabimeve të të dyja palëve, ku i pari, siç u tha, ishte dështimi për të kërkuar konsensus, duhet të çojë në një reflektim mbi datat, metodat dhe afatet e një projekti që nuk mund të ngecë në moçalin e shtyrjeve, vonesave dhe vetove. Ukraina, Moldavia dhe vendet e Ballkanit nuk mund të presin pafundësisht.
Kjo, natyrisht, nuk do të thotë se legjislacioni kombëtar nuk duhet të përshtatet me standardet evropiane, se vlerat e përbashkëta nuk duhet të respektohen, se mekanizmat e vendimmarrjes nuk duhet të ndryshohen dhe, së fundi, se ata që duan të ecin më tej në Bashkimin e së nesërmes nuk duhet të lejohen ta bëjnë këtë. Përkundrazi, të gjitha këto gjëra duhet të bëhen më shpejt, jo më ngadalë, siç duket se dikton fryma e kohës në Bruksel. Ky është mësimi që vjen nga Islanda./“Corriere della Sera”

