Instituti IDEA, në një hulumtim të shkurtër, ka analizuar rezultatet e
programit qeveritar për mbështetjen e iniciativave të qytetarëve për
vetëpunësim për periudhën 2014–2023. Programi për mbështetjen e
ndërmarrësve për vetëpunësim parasheh ndihmë financiare dhe trajnime për
ndërmarrësi që u ofrohen qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, të cilët
janë të papunë dhe dëshirojnë të hapin bizneset e tyre private.
Gjatë dhjetëvjeçarit të kaluar, programin e kanë shfrytëzuar gjithsej
14,090 qytetarë, prej të cilëve 62.37% meshkuj dhe 37.62% femra. Mosha
mesatare e përfituesve të granteve për vetëpunësim është 35 vjeç.
Shikuar sipas njësive rajonale, më së shumti grante janë ndarë në
Qytetin e Shkupit, Tetovë dhe Kumanovë – gjithsej 5,401 grante apo
38.33% e totalit të granteve. Në anën tjetër, më së paku grante, vetëm
235, janë ndarë në Kratovë, Krushevë dhe Makedonski Brod, që përbëjnë
vetëm 1.67% të totalit.
Veprimtaritë më të shpeshta për të cilat janë fituar grantet janë
sallonet e bukurisë, mirëmbajtja dhe riparimi i mjeteve motorike dhe
gastronomia – të cilat përbëjnë rreth 21.5% të granteve të përfituara.
Këto veprimtari, në përgjithësi, kanë barriera të ulëta hyrjeje në treg,
siç është kapitali relativisht i ulët, gjë që shpjegon edhe tendencën e
lartë për të themeluar kompani në këto fusha.
Kompanitë që janë themeluar në vitet e hershme kanë shkallë më të lartë
të falimentimit. Për shembull, 60.47% e kompanive (apo 561 kompani) që
kanë përfituar grante në vitin 2014 kanë falimentuar dhe janë fshirë nga
Regjistri Qendror ose janë në proces falimentimi. Kjo shkallë bie në
vitet pasuese, ku në vitin 2015 është 50.69%, në vitin 2016 – 52.55%, si
dhe 18.96% dhe 17% përkatësisht në vitin 2020 dhe 2021. Këto të dhëna në
përgjithësi flasin për mungesë të qëndrueshmërisë afatgjate të kompanive
të fituese të granteve, gjë që kërkon vëmendje më të madhe nga
institucionet përkatëse.
Instituti IDEA rekomandon që të rritet monitorimi dhe mbështetja për
bizneset përmes komunikimit të vazhdueshëm ndërmjet përfituesve të
granteve dhe institucioneve që ofrojnë trajnime dhe konsulencë për
menaxhim dhe sipërmarrësi. Po ashtu, programi duhet të përfshijë mundësi
për një raund të dytë financimi për bizneset me potencial mbijetese dhe
rritjeje. Gjithashtu, transparenca në përzgjedhjen e përfituesve duhet
të rritet për të parandaluar keqpërdorimin e granteve, duke zbatuar
kritere dhe mekanizma më të forta filtrimi, si dhe duke publikuar emrat
e përfituesve në faqen zyrtare të Agjencisë.
Analizën e plotë mund ta gjeni në lidhëzën në vijim:
https://idea.org.mk/2025/06/03/grantet-per-vetpunesim/