Lajme

‘Martesa’ e detyruar Kanada-BE

Shkruar nga Federico Rampini

Kanadaja nuk kërkon të bëhet shtet anëtar i Bashkimit Evropian, por dëshiron një aleancë shumë të ngushtë, e cila do ta bënte atë një lloj anëtari të jashtëm, por me një bashkëpunim të avancuar…

Gjeopolitika mbizotëron mbi gjeografinë. Ky është komenti i parë që vjen pas lajmit se Kanadaja kërkon asociim me Bashkimin Evropian. Nuk bëhet fjalë për një kërkesë të mirëfilltë dhe formale për anëtarësim. Pra, Kanadaja nuk kërkon të bëhet shtet anëtar i Bashkimit Evropian, por dëshiron një aleancë shumë të ngushtë, e cila do ta bënte atë një lloj anëtari të jashtëm, por me një bashkëpunim të avancuar.

Megjithatë, distanca gjeografike është e konsiderueshme. Kanadaja ndahet nga Kontinenti i Vjetër nga Oqeani Atlantik, por kësaj distance gjeografike nuk i korrespondon një distancë politike dhe vlerash, si ajo që, përkundrazi, po e largon gjithnjë e më shumë Kanadanë nga Shtetet e Bashkuara të Donald Trumpit.

Në fakt, Kanadaja prej kohësh konsiderohet nga amerikanët si një copë Evrope që, gabimisht, ka përfunduar ose ka mbetur në kontinentin amerikan. Kjo për shumë arsye: kreu i shtetit të Kanadasë është mbreti i Mbretërisë së Bashkuar. Edhe pse Kanadaja ka një kryeministër, Mark Carney, sipas Kushtetutës, kreu i shtetit është monarku britanik.

Por, mbi të gjitha, nga pikëpamja e vlerave, Kanadaja ka përqafuar gjithmonë disa modele që evropianët i konsiderojnë tipikisht të tyret: një shtet social shumë bujar dhe një sistem kombëtar shëndetësor, pra shëndetësi publike.

Me pak fjalë, gjithçka që e ndan modelin evropian nga modeli amerikan, në fakt, e ndan edhe Kanadanë nga Shtetet e Bashkuara dhe kjo ndarje është theksuar ndjeshëm me Trumpin.

Kanadaja konsiderohet gjithashtu nga amerikanët si një tjetër rast i “parazitizmit në mbrojtje”, sepse, si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ajo gjithmonë ka shpenzuar pak për sigurinë e saj. Niveli është i krahasueshëm me atë të Spanjës, pra, edhe një herë, shumë më evropian sesa amerikano-verior.

Mbetet për t’u parë nëse kjo ndarje progresive e Kanadasë nga Shtetet e Bashkuara do t’i mbijetojë përfundimit të presidencës Trump. Ndërkohë, evropianët mund të përfitojnë disa avantazhe të rëndësishme: Kanadaja është një vend jashtëzakonisht i pasur me lëndë të para, nga burimet energjetike deri te mineralet dhe tokat e rralla, të cilat në këtë moment janë shndërruar në një fushë të konkurrencës strategjike./“Corriere della Sera”

3sgIgLJ.png