Shkruar nga Diplomatico
Teksa Podgorica po i afrohet anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian, për pjesën tjetër të Ballkanit po merr formë një model i ri integrimi, ku lëvizja e lirë dhe tregu i përbashkët mund të zëvendësojnë ëndrrën europiane të anëtarësimit…
Ndërsa Mali i Zi po afrohet më shumë se kurrë me vijën e finishit të anëtarësimit në Bashkimin Europian, pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor rrezikon të përballet me një realitet të ri politik: jo hyrjen në BE, por integrimin në një hapësirë të ndërmjetme europiane, ku lëvizja e lirë, tregu i përbashkët dhe bashkëpunimi institucional do të zëvendësojnë, të paktën për një periudhë të gjatë, anëtarësimin e plotë.
Kjo është tendenca që po merr formë gjithnjë e më qartë në qarqet vendimmarrëse të Brukselit dhe kryeqyteteve kryesore europiane, ku zgjerimi nuk shihet më si një proces linear dhe i pashmangshëm, por si një ekuacion kompleks i sigurisë, ekonomisë dhe interesave politike të vetë Bashkimit Europian.
Në këtë panoramë të re, Mali i Zi është vendi që ka arritur të pozicionohet më mirë se të gjithë fqinjët e tij. Pavarësisht krizave të brendshme politike, rotacionit të qeverive dhe polarizimit të fortë institucional, Podgorica ka ruajtur një objektiv të qartë strategjik dhe ka avancuar në kapitujt e negociatave me një ritëm që sot e bën kandidatin më serioz për t’u bërë anëtari i ardhshëm i Bashkimit Europian. Për herë të parë pas Kroacisë, një vend i Ballkanit Perëndimor shihet realisht si pjesë e afërt e unionit.
Shqipëria, ndërkohë, vazhdon të shesë optimizëm politik, por realiteti është shumë më i ndërlikuar nga sa paraqitet në deklaratat zyrtare.
Qeveria e Tiranës ka investuar një sasi të madhe propagande në idenë se vendi po ecën me ritme të shpejta drejt Europës, por propaganda nuk mund të zëvendësojë progresin real.
Në shumë aspekte, Shqipëria vazhdon të mbetet peng i problemeve që Brukseli i ka evidentuar prej vitesh: korrupsioni i nivelit të lartë, kapja e institucioneve, mungesa e ndëshkueshmërisë politike, emigracioni masiv dhe dobësia strukturore e shtetit ligjor.
Paradoksi më i madh është se Shqipëria gëzon sot një avantazh gjeopolitik që nuk e ka pasur kurrë më parë. Lufta në Ukrainë e ka kthyer Ballkanin në një hapësirë me rëndësi strategjike për Perëndimin. Tirana është rreshtuar pa asnjë ekuivok në kampin euro-atlantik, ka mbështetur politikat e NATO-s dhe ka ruajtur një profil të qëndrueshëm në raport me aleatët perëndimorë. Por gjeopolitika nuk mund të kompensojë pafundësisht mungesën e reformave të brendshme. Në një moment të caktuar, Bashkimi Europian do të kërkojë rezultate konkrete dhe jo vetëm deklarata besnikërie politike.
Kjo është pikërisht pika ku qeveria shqiptare shfaq defiçencën e saj më të madhe. Për vite me radhë, integrimi europian është përdorur si slogan elektoral dhe jo si projekt kombëtar. Çdo raport pozitiv nga Brukseli është paraqitur si fitore historike, ndërsa çdo kritikë është relativizuar ose fshehur. Në vend që procesi i integrimit të shërbente si mekanizëm për transformimin e shtetit, shpesh është përdorur si instrument marketingu politik. Kjo ka krijuar një hendek të madh mes perceptimit dhe realitetit.
Nëse Europa po lëviz drejt një modeli të ri integrimi, Shqipëria rrezikon të jetë një nga vendet që do të përfshihet në të.
Një “Shengen i lehtë” ballkanik, i lidhur ngushtë me tregun europian, mund të ofrojë përfitime ekonomike dhe lehtësira lëvizjeje, por ai nuk përfaqëson ëndrrën europiane që iu premtua shqiptarëve. Ai nuk jep të drejtë vote në institucionet europiane, nuk jep përfaqësim të plotë politik dhe nuk e vendos vendin në nivelin e shteteve anëtare.
Në thelb, do të ishte një status periferik, ku detyrimet afrohen me ato të anëtarëve, por të drejtat mbeten të kufizuara.
Rreziku për Shqipërinë nuk është vetëm që të mbetet jashtë Bashkimit Europian. Rreziku më i madh është që të bindet se kjo është e mjaftueshme. Se një integrim i pjesshëm mund të zëvendësojë anëtarësimin e plotë. Se hyrja në tregun europian pa hyrë në strukturat vendimmarrëse është një sukses i barabartë me anëtarësimin. Pikërisht këtu duhet të nisë debati serioz kombëtar.
Sepse ndërsa Mali i Zi po numëron kapitujt e fundit drejt anëtarësimit, Shqipëria vazhdon të numërojë konferenca, samite dhe deklarata optimiste. Ndërsa Podgorica po mat afatet e hyrjes në union, Tirana po mat suksesin me fotografi diplomatike dhe premtime për data që vazhdimisht shtyhen. Diferenca nuk qëndron vetëm te Brukseli. Diferenca qëndron edhe te mënyra se si secili shtet e ka trajtuar procesin e integrimit.
Në fund, pyetja nuk është nëse Bashkimi Europian do të ndryshojë modelin e zgjerimit. Shenjat tregojnë se kjo tashmë po ndodh. Pyetja është nëse Shqipëria do të jetë gati për anëtarësim kur të vijë momenti vendimtar, apo do të mbetet pjesë e një kategorie të ndërmjetme europiane, ku vendet janë mjaftueshëm afër për të zbatuar rregullat, por ende shumë larg për të marrë pjesë në vendimmarrje.
Nëse kjo e fundit ndodh, përgjegjësia nuk do të jetë vetëm e një Europe të lodhur nga zgjerimi. Ajo do të jetë edhe e një klase politike shqiptare që për vite me radhë e trajtoi integrimin si slogan, kur duhej ta trajtonte si reformën më të madhe shtetformuese të historisë moderne të Shqipërisë. Dhe historia zakonisht është e pamëshirshme me vendet që ngatërrojnë propagandën me progresin.

