Thatësira e zgjatur dhe temperaturat e larta kanë ulur ndjeshëm nivelet e ujit në rrugët ujore kryesore të Evropës, duke shkaktuar probleme serioze për zinxhirët e furnizimit dhe industrinë e kontinentit...
Evropa po përballet me një makth të ri energjetik, i nxitur jo vetëm nga luftërat në Ukrainë dhe konflikti me Iranin, por edhe nga kriza klimatike. Në javët e fundit, vëmendja e investitorëve është përqendruar te përshkallëzimi i tensioneve në Ngushticën e Hormuzit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, zhvillim që ka rritur çmimet e naftës, duke kërcënuar zinxhirët globalë të furnizimit dhe duke rikthyer rrezikun e një vale të re inflacioni. Në të njëjtën kohë, megjithatë, për Kontinentin e Vjetër po shfaqet një kërcënim po aq serioz, edhe pse më pak i dukshëm. Thatësira e zgjatur dhe temperaturat e larta kanë ulur ndjeshëm nivelet e ujit në rrugët ujore kryesore të Evropës, duke shkaktuar probleme serioze për zinxhirët e furnizimit dhe industrinë e kontinentit.
Në lumin Rajn, arterien më të rëndësishme industriale të Evropës Perëndimore, nivelet e ujit në pika si Këlni dhe Kaubi kanë rënë në nivele që tregojnë një thatësirë ekstreme. Kjo i ka detyruar maunet të reduktojnë ngarkesat, duke rritur ndjeshëm kostot e transportit. Situata është e ngjashme edhe në Danub. Në Budapest, niveli i ujit po i afrohet vlerave më të ulëta historike, duke shkaktuar tashmë ndërprerje serioze në sektorin ekonomikisht të rëndësishëm të turizmit lumor. Anijet turistike kanë mbetur të bllokuara në porte, ndërsa shumë kompani kanë njoftuar ulje të numrit të rezervimeve dhe anulime.
Pas humbjes së furnizimit me gaz natyror rus përmes gazsjellësve, si pasojë e luftës në Ukrainë, Evropa e rindërtoi arkitekturën e saj energjetike duke u mbështetur te importet e gazit natyror të lëngshëm (LNG) dhe produkteve të naftës përmes porteve kryesore, si Roterdami, Antverpi dhe Amsterdami. Këto porte përbëjnë arteriet e padukshme të sistemit energjetik evropian. Megjithatë, mbërritja e ngarkesave në porte është vetëm faza e parë e procesit. Transporti i këtyre karburanteve, qymyrit dhe lëndëve të para kimike drejt zemrës industriale të Evropës kontinentale është mbështetur tradicionalisht te transporti lumor. Kur thatësira ul kapacitetin mbajtës të mauneve, çdo ton qymyr, naftë, benzinë, kimikate apo biokarburantesh kërkon më shumë mjete lundruese, tarifa më të larta transporti dhe kohë më të gjata dorëzimi.
Ndërsa tensionet mes SHBA-së dhe Iranit kërcënojnë sërish rrjedhën e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit dhe nxisin rritjen e çmimeve të energjisë, tkurrja e rrugëve ujore në Evropë rrezikon ta shndërrojë një goditje të jashtme në furnizim në një krizë shumë më të gjerë logjistike brenda kontinentit, vlerësojnë analistët. Dhe koha nuk mund të ishte më e papërshtatshme.
Lumi Rajn është rruga ujore më e rëndësishme e transportit të mallrave në Evropë. Vetëm industria gjermane mbështetet te ky lumë për transportin e rreth 200 milionë tonëve mallra në vit, përfshirë karburante dhe lëndë të para industriale. Kompania ThyssenKrupp Steel u detyrua të pezullonte përkohësisht shërbimin e saj të transportit lumor për furnizimin me lëndë të para në uzinën e Duisburgut, për shkak të niveleve të ulëta të ujit në Rajn. Ndërkohë, gjiganti kimik BASF ka zgjeruar flotën e tij të mauneve për të kompensuar humbjen e kapacitetit transportues. Në shumë segmente të Rajnit, niveli i ujit ka rënë ndjeshëm, duke detyruar maunet të reduktojnë ngarkesat dhe duke rritur kostot e transportit.
Problemi përkeqësohet edhe më shumë nga mungesa e alternativave. Zhvendosja e transportit të mallrave nga lumenjtë drejt hekurudhës po has pengesa serioze, pasi një nga linjat kryesore hekurudhore të mallrave përgjatë bregut të djathtë të Rajnit është mbyllur për shkak të punimeve të mirëmbajtjes. Në këto rrethana, industria gjermane, e cila po përpiqet të rimëkëmbet pas disa vitesh stanjacioni, përballet me rrezikun e një vale të re vështirësish. Historia tregon se pasojat ekonomike mund të jenë të konsiderueshme. Një thatësirë e ngjashme në Rajn, në vitin 2018, i kushtoi ekonomisë gjermane rreth 0.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
E kombinuar me tensionet gjeopolitike në rritje, rënia e niveleve të ujit në lumenjtë evropianë po shndërrohet në një faktor që shumëfishon pasigurinë energjetike. Kërcënimi real për Evropën është mundësia që dy kriza të mëdha të ndodhin njëkohësisht. Nga njëra anë, rafineritë dhe industria po përballen me rritjen e kostove të naftës si pasojë e tensioneve në Gjirin Persik. Nga ana tjetër, ato përballen me pamundësinë fizike për ta shpërndarë karburantin në mënyrë efikase drejt zonave të brendshme. Kjo krizë e zinxhirit të furnizimit rrezikon të rikthejë presionet inflacioniste, pikërisht në një kohë kur Banka Qendrore Evropiane po shqyrton hapat e saj të ardhshëm në luftën kundër inflacionit.
“Politikëbërësit po i shohin gjithnjë e më shumë ndryshimet klimatike dhe gjeopolitikën si sfida të ndara që kërkojnë zgjidhje të ndryshme. Ngjarjet e fundit tregojnë se ato janë të ndërthurura ngushtë”, thotë Gavin Maguire, kolumnist i Reuters për tranzicionin global të energjisë.
Rreth 600 mijë pasagjerë udhëtojnë çdo vit në Danub. Lumi përbën një arterie jetike transporti dhe një burim të rëndësishëm të ardhurash nga turizmi për 10 shtetet që përshkon.
Tarifat e transportit lumor të naftës nga zona e Roterdamit drejt Karlsruhe, në jug të Gjermanisë, u rritën javën e kaluar, duke reflektuar vështirësitë e krijuara nga nivelet e ulëta të ujit në lumenjtë evropianë./”Kathimerini”

