Shkruar nga Guillermo Abril
Përmes një diplomacie ushtarake të pashembullt, Feldmarshalli pakistanez Asim Munir po luan rolin e urës lidhëse mes Uashingtonit dhe Teheranit. Ky veteran i shërbimit sekret ka arritur të fitojë besimin e Donald Trump-it, duke u shndërruar në aktorin kryesor që synon të shmangë një konflikt global në Lindjen e Mesme...
Më 21 prill, pak përpara se të skadonte afati i armëpushimit mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, Donald Trump njoftoi përmes rrjeteve sociale një shtyrje të re të afateve. Në mesazhin e tij, ai evidentoi figurat kyçe që punuan intensivisht për të shmangur përshkallëzimin e dhunës:
“Me kërkesë të Feldmarshallit, Asim Munir, dhe kryeministrit të Pakistanit, Shehbaz Sharif, na është kërkuar të pezullojmë sulmin tonë ndaj Iranit, derisa udhëheqësit dhe përfaqësuesit e tyre të arrijnë një propozim të përbashkët”.
Munir cilësohet shpesh si njeriu i vërtetë i “fortë” i Pakistanit. Ai përfaqëson figurën më me ndikim ushtarak në një shtet ku ushtria ushtron një peshë vendimtare mbi jetën politike. Analistë të ndryshëm paralajmërojnë për një rrëshqitje të vendit drejt një regjimi hibrid, ku kontrolli de facto ushtrohet nga forcat e armatosura.
Megjithatë, aftësia e tij për të fituar besimin e Trump-it, ndërkohë që ruan kanale të hapura komunikimi me autoritetet iraniane, e ka vendosur këtë oficer karriere dhe veteran të inteligjencës në epiqendër të negociatave që kanë një rëndësi globale.
Nëse Pakistani është shfaqur si një ndërmjetës i papritur, Munir është pa dyshim arkitekti kryesor i këtyre bisedimeve. Nga pozicioni i tij strategjik, ai ka arritur të ndërtojë marrëdhënie solide me të dyja palët antagoniste.
Ai është ndër të paktët zyrtarë që gëzon privilegjin e vizitave në të dyja kryeqytetet, duke përcjellë mesazhe të drejtpërdrejta dhe konfidenciale. Ai priti personalisht në aeroport Zëvendëspresidentin amerikan, J.D.Vance, për raundin e parë të bisedimeve të paqes në Islamabad.
Gjithsesi, pas dështimit të raundit fillestar dhe në pritje të rezultateve të fazës së dytë, mbetet ende e paqartë nëse ai do të triumfojë aty ku diplomacia tradicionale ka dështuar vazhdimisht.
I lindur në vitin 1968, Munir është pasardhës i një familjeje me vlera arsimore dhe fetare, duke qenë djali i një mësuesi dhe një imami. Ai u shqua herët në Shkollën e Oficerëve, ku u nderua me “Shpatën e Nderit” si studenti më i shkëlqyer.
Pas shërbimit në njësitë e këmbësorisë, ai i thelloi studimet në Universitetin Kombëtar të Mbrojtjes dhe në institucione prestigjioze ushtarake në Japoni dhe Malajzi. Gjatë kohës si atashe ushtarak në Arabinë Saudite, mësoi përmendësh Kuranin, duke fituar titullin e respektuar “Hafiz”.
Në vitin 2017, Munir u emërua Drejtor i Inteligjencës Ushtarake dhe vetëm një vit më vonë mori drejtimin e shërbimeve të inteligjencës. Ndonëse u largua përkohësisht nga ky post, në vitin 2022 ai u emërua Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, pozicioni më i lartë vendimmarrës për sigurinë dhe politikën kombëtare.
Kjo ndodhi në një periudhë tensionesh të larta pas atentatit dhe burgosjes së ish-kryeministrit Imran Khan. Në vitin 2024, Pakistani, si fuqi bërthamore dhe vendi i pestë më i populluar në botë, u përball me një krizë të rëndë ekonomike, ndërsa zgjedhjet shënuan rikthimin e familjes Sharif, fakt që konsolidoi më tej pushtetin e Munir-it mbi shtetin.
Afrimi i tij me Donald Trump ka ecur paralelisht me ngjitjen e tij në hierarkinë ushtarake. Pas konfliktit të shkurtër me Indinë në maj të vitit 2025, ai u portretizua si heroi i një fitoreje vendimtare. Për rrjedhojë, ai u promovua nga gjeneral me 4 yje në gradën e lartë të Feldmarshallit, duke u bërë i pari që mban këtë titull që prej vitit 1959.
Sipas analistit Qamar Cheema, ky ishte momenti kur presidenti amerikan kuptoi peshën reale të Munir-it. Një muaj më vonë, Trump e ftoi atë në Shtëpinë e Bardhë, duke shënuar një precedent historik ku një komandant ushtarak pritej me nderime shtetërore pa qenë zyrtarisht kreu i shtetit.
Në atë takim, krahas temave gjeopolitike, u diskutua për tregtinë, zhvillimin ekonomik dhe teknologjitë e reja si kriptovalutat. Pas këtij takimi, Trump deklaroi se pakistanezët e njohin Iranin “më mirë se kushdo tjetër”.
Kjo qasje e re e Uashingtonit ndaj Islamabadit, përfaqëson një gërshetim të interesave gjeopolitike me ato të biznesit. Një shembull konkret është marrëveshja për rindërtimin e Hotelit Roosevelt në Manhattan, pronë e Pakistanit, me një vlerë prej afro 1 miliard dollarësh.
Negociatat u udhëhoqën nga i dërguari special i Trump, Steve Witkoff, i cili njëkohësisht drejton bisedimet për paqe dhe projektin për rindërtimin e Gazës, ku Pakistani ka premtuar një kontribut të konsiderueshëm financiar.
Më 15 prill, Marshalli Munir mbërriti në Teheran me uniformë ceremoniale dhe shkopin e komandës, simbol i autoritetit të tij, për të bindur udhëheqjen iraniane që t’u kthehej bisedimeve.
Ndërmjetësimi i tij ishte vendimtar për sigurimin e një armëpushimi, në një kohë kur kërcënimet e ndërsjellta për shkatërrim ishin në kulmin e tyre. Gjatë qëndrimit 3-ditor atje, ai zhvilloi takime të nivelit të lartë me udhëheqësit politikë dhe ushtarakë iranianë, duke mbrojtur domosdoshmërinë e dialogut për një paqe rajonale.
Pakistani ka një interes ekzistencial në këtë stabilitet, sepse ndan një kufi të gjatë me Iranin por edhe lidhje të thella historike e fetare. Profesori Aqil Shah, vëren se Munir tashmë vepron si kreu de facto i ekzekutivit dhe arkitekti i diplomacisë pakistaneze.
Një amendament kushtetues i nëntorit 2025, i dha atij kontroll mbi të gjitha degët e mbrojtjes dhe imunitet të përjetshëm. Edhe pse rezultati përfundimtar i negociatave mbetet i pasigurt, analistët pajtohen se fakti që palët po komunikojnë, është një sukses i padiskutueshëm i diplomacisë ushtarake të Munir-it.
Siç shprehet Cheema: “Detyra e Pakistanit është të mbajë gjallë shpresën dhe të kapërcejë mosbesimin e thellë. Tani, barra e vendimmarrjes u mbetet vetë palëve”./ “El Pais”

